Tri komuna, një sinjal politik? Çfarë fshihet pas marrëveshjeve LDK–PDK
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi në tri komuna për balotazhin e 9 nëntorit 2025, duke synuar të sigurojnë fitore në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Në Fushë Kosovë, kandidati i LDK-së për kryetar, Besnik Osmani, ka njoftuar ditë më parë për një koalicion me PDK-në, të cilin e ka cilësuar si “koalicion për të mirën e qytetarëve”.
“Është arritur koalicioni i madh për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, që i thotë PO zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit. Në këtë frymë bashkëpunimi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ecin bashkë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve, për Fushë-Kosovën tonë”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.
Në Prizren, bashkëpunimi midis dy partive është konfirmuar nga kandidati i PDK-së për kryetar, Shaqir Totaj, i cili javën e kaluar njoftoi se marrëveshja me LDK-në është rezultat i një vizioni të përbashkët për zhvillimin e qytetit.
“Sot jam i lumtur ta ndaj lajmin e arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje me LDK-në, i bindur se idetë e reja dhe përvoja e kësaj force politike do t’i shërbejnë Prizrenit edhe më shumë. E falënderoj udhëheqjen e kësaj partie dhe kryetarin e degës në Prizren për besimin dhe mbështetjen në balotazh. Prizren, urime dhe na priftë e mbara!”, ka shkruar Totaj.
Aktualisht, Totaj përballet në balotazh me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Artan Abrashi, i cili pas përvojës së tij në nivel qendror si deputet, synon të marrë drejtimin e Komunës së Prizrenit.
Një koalicion i ngjashëm është arritur edhe në Mitrovicën e Jugut, ku kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, ka njoftuar për nënshkrimin e marrëveshjes me LDK-në për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
“Sot e vendosëm Mitrovicën mbi dallimet politike që të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë në qytetin tonë. Marrëveshja e koalicionit që nënshkruam me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një premtim për qytetin tonë. Është dëshmi se kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Tahiri, i cili ka shërbyer si nënkryetar i komunës gjatë katër viteve të fundit, garon në balotazh kundër kandidatit të LVV-së, Faton Peci, që synon ta sjellë përvojën e tij në nivel qendror në udhëheqjen komunale.
Rreth këtyre koalicioneve dhe ndikimit që ato mund të kenë në skenën politike të Kosovës, ka folur për gazetën Bota Sot analisti politik Nexhat Haziri, i cili vlerëson se bashkëpunime të tilla janë krejtësisht të natyrshme në nivel lokal.
“Koalicionet në nivel lokal janë bërë edhe në të kaluarën, varësisht specifikave të komunave. Edhe koalicioni i LDK-së me PDK-në në disa komuna është normal, njësoj si koalicionet e tjera që po ndodhin, si ai i PDK-së me LVV-në në Dragash apo bashkëpunimet e LVV-së me AAK-në në Fushë Kosovë, Viti, Junik e të tjera”, tha Haziri.
ImageNexhat HaziriFoto galeri
Ai shtoi se këto bashkëpunime lokale nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndonjë afrim politik në nivel qendror.
“Janë koalicione normale dhe si të tilla duhet parë. Uroj që të jenë në interes të qytetarëve. Në nivel qendror, partitë politike në Kosovë kanë bashkëqeverisur thuajse të gjitha me njëra-tjetrën, ndaj edhe nëse ndodh një bashkëpunim i tillë, nuk është asgjë e pazakontë,” theksoi Haziri.
Analistët politikë vlerësojnë se këto marrëveshje tregojnë një pragmatizëm të ri në politikën komunale, ku prioritet po i jepet interesit lokal dhe jo ndarjeve ideologjike. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky bashkëpunim do të prodhojë ndikime të reja në skenën politike të Kosovës pas përfundimit të zgjedhjeve.
