Hafiz Shala: Sakrifica e familjes Jashari duhet të jetë program kombëtar, jo vetëm simbol kujtese
Në një reagim të fuqishëm në rrjetet sociale, anëtari i Bordit Ekzekutiv të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), Hafiz Shala, ka rikujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe figurave të mëdha të kombit si Hasan Prishtina, duke bërë thirrje për unitet kombëtar dhe qëndrueshmëri ndaj tradhtive politike.
Në postimin e tij, Shala thekson se vizitat në familjen Jashari nuk duhet të jenë vetëm gjeste simbolike, por betime morale e kombëtare për vazhdimin e rrugës së tyre.
Ai u bën apel udhëheqësve shtetërorë që të qëndrojnë besnikë ndaj amanetit të dëshmorëve dhe të mos lejojnë kthimin e Kosovës nën ndikimin e Serbisë.
Këtë koment Shala e ka bërë në kuadër të një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja e Jashtme në detyrë Donika Gërvalla shihen duke dalë nga kulla e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, e nga ku përcillen nga kryefamiljari, baca Rifat.
Postimi i plotë:
Teuta me Hasan Prishtinën dhe bashkëpunëtorë, së pari i vendosin dorën te Ylli Polar i Shqiptarisë — shembull dhe themel i heroizmit, vepër unike e sakrificës dhe e qëndrueshmërisë gjithëfamiljare përballë bishës shekullore me qëllim të shkrirjes së qenit shqiptar. Aty, ku fëmija nuk largohet nga shtëpia në mbrojtje të pragut, siç e ka edukuar gjyshi Shaban Jashari — krenari dhe shembull i qëndresës sipas traditës së heronjve të Drenicës së kuqe, të cilës Serbia kurrë nuk ia hoqi qafe; megjithatë, gjithmonë është larguar e turpëruar, duke lënë eshtrat, të cilat ende nuk e kanë të qartë se në Drenicën e Dardanisë kurrë nuk do të ketë sukses përveç humbjeje dhe turpërimi. Aty, ku Komandanti legjendar, njëherësh themelues i UÇK-së, pinjoll i familjes heroike Jashari — krenaria e Drenicës, e Dardanisë dhe e gjithë kombit — ata që janë përkushtuar t’i dalin zot atdheut e jo t’i bashkohen shkjaut, së pari duhet t’i japin betimin brenda pragut të kësaj familjeje, nëse duan të shërbejnë me nder e jo të vjedhin, të falin e të copëtojnë territorin, siç e patëm praktikuar në njëzet vitet e fundit duke iu përkulur shkjaut dhe duke i thënë “razumem, gospodine” në Dardaninë e lirë, por më parë e përgjakur.
Disa prej tyre akuzohen për vrasje në mënyrë mizore ndaj shqiptarëve — ndaj atyre që, sipas veprave të tyre patriotike, i dërguan në specializime ushtarake që dikur t’i dilnin zot vendit; disa, sipas urdhrave, u likuiduan brenda qendrave shqiptare.
Këta udhëheqës që vizituan familjen heroike u betuan se sakrifica e familjes Jashari do të bëhet program shtetëror, politik, ushtarak dhe diplomatik.
E nderuara Presidente, i nderuari Kryeministër në detyrë, i nderuari i propozuar për Kryeministër në fazën kalimtare — populli ju ka besën dhe beson se kurrë nuk do të devijoni nga kursi kombëtar; amanet i atyre që ranë për liri në radhët e UÇK-së. Jo si ata që, për përfitime personale e karrieriste, madje duke shpenzuar para në favor të ndarjes së vendit, tani pa merita tentojnë të kthehen në pushtet dhe duan të na kthejnë nën Serbi, sepse janë shumë të shantazhuar.
Populli i beson vetëm jush e jo atyre që janë pjesë e listave serboshqipfolëse, terroriste e genocidale, pjesë e hordhís udhëheqës-policore serbe dhe Radoiqiqit, i cili edhe sot provokon, tenton dhe organizon sulme ndaj shtetasve dardanë para organeve të drejtësisë së Republikës së Dardanisë. Populli, me të drejtë, pret nga ju që t’i dilni zot vendit duke bërë sakrifica të gjitha, ashtu siç bëri Hasan Prishtina, i cili shkrizi të gjithë pasurinë për Dardaninë e pastaj u vra përmes atentatit në Selanik. Ju nuk keni pasuri, por keni moral dhe dinjitet kombëtar, dhe duhet ta kuptoni se kur hyni në atë familje, jeni betuar në besën shqiptare se do ta vazhdoni rrugën e kësaj familjeje. Është përgjegjësi e madhe kombëtare.
Iu priftë e mbarë.
