Kurti: Kosova ka ecur përpara – progres në 35 fusha, ngecje në vetëm tri
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk ka obligim të sigurojë 61 nënshkrime për t’ia dorëzuar presidentes Vjosa Osmani për zgjedhjen e Qeverisë së re.
“Sot dërguam tek zonja presidente emrin e Glauk Konjufcës, nënkryetarit të parë të subjektit ku unë jam kryetar, që të bëjmë edhe një tentim për zgjedhje të Qeverisë që të mos ketë dy palë zgjedhje për pak muaj,” tha Kurti.
Ai shtoi se, për shkak se Qeveria aktuale nuk mund të votojë buxhet, Qeveria e re do të ketë mundësi të votojë buxhetin e vitit 2026.
“Nëse duhen 61 nënshkrime, nuk do të kishte kuptim afati 15 ditor për zgjedhjen e Qeverisë. Sa vota janë saktësisht, mund të merret vesh vetëm në seancën plenare,” shtoi Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur një konferencë për media në ora 19:00, pas takimeve me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku.
Ndërkohë, PDK, LDK, AAK dhe NISMA Socialdemokrate kanë kundërshtuar publikisht propozimin e LVV-së për Konjufcën si mandatar për kryeministër.
Vetëvendosje, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm më 4 nëntor 2025, ka mandatua Glauk Konjufcën për kryeministër.
04.11.2025 – 18:46
Kurti: Orientim ynë është i qartë: anëtarësimi i plotë në BE
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar ‘Raportin për Vendin 2025 nga Komisioni Evropian’. Ai tha se raporti në fjalë vlerëson zhvillimet në të gjithë sektorët e shtetit. Sipas tij, edhe pse qeveri në detyrë, raporti konstaton se janë kryer detyrat me sukses.
Duke falënderuar BE dhe Zyrën e BE-së në Kosovë për bashkëpunimin në agjendën e përbashkët drejt agjendës evropiane, Kurti tha se integrimi në BE mbete prioritet edhe vleror edhe strategjik i vendit.
“Raporti i sivjetmë është pozitiv, pothuajse, në të gjitha fushat dhe ofron rekomandime të qarta aty ku ka ngecje. Ai pasqyron punën e qeverisë dhe progresin tonë të përbashkët shoqëror. Në këtë vit, sikurse gjatë gjithë mandatit, nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë. Ka progres në 35 fusha dhe ngecje në vetëm 3 fusha. Progresi varion nga i kufizuar në në të përparuar. Orientim ynë është i qartë: anëtarësimi i plotë në BE. Raporti konfirmon përkushtimin tonë dhe mbështetjen e gjerë publike për procesin e integrimit”, tha Kurti
Ai më tej shtoi se raporti vlerëson përafrimin e përbashkët të jashtëm e të sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë e Bjellorusisë, si dhe dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.
04.11.2025 – 18:46
Mandatimi i Konjufcës, Kurti: Numri i votave do të dihet vetëm në seancë plenare
Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në konferncë i pytur nga gazetarët ka folur sot rreth mandatimit të Glauk Konjufcës si kandidat për kryeministër.
Ai ka theksuar se Qeveria po bën një përpjekje për të formuar qeverinë e re dhe për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Nuk është një obligim që të sigurohen 61 nënshkrime, por është një veprim i domosdoshëm për të bërë një tentim të dytë për formimin e qeverisë. Kjo është e nevojshme për të shmangur zgjedhjet e reja, që do të ishin dëm i madh nëse do të mbaheshin në dhjetor apo në prill,” ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se Qeveria në detyrë ka përgatitur gjithashtu dorëzimin e emrit të Konjufcës tek presidentja për të bërë një përpjekje të fundit për formimin e qeverisë, duke përfshirë edhe nënkryetarët e Kuvendit.
“Prandaj, ne kemi dërguar tek presidentja emrin e Glauk Konjufcës, si nënkryetar i Kuvendit dhe nënkryetar i parë i subjektit ku unë jam kryetar, që të bëjmë edhe një tentim për formimin e qeverisë. Kështu synojmë të shmangim dy palë zgjedhje brenda pak muajsh,” tha ai.
Kurti theksoi gjithashtu se opozita po kundërshton çdo mundësi për të votuar buxhetin e qeverisë në detyrë, pavarësisht se në të kaluarën kanë vepruar ndryshe.
“Edhe ne e kemi bërë këtë kur ishte kryeministër Abdulla Hoti. Atëherë le të kemi një qeveri e cila nuk është më në detyrë, por e votuar. Por tani, për shkak të mungesës së nënshkrimeve, një përpjekje e dytë për formimin e qeverisë nuk do të kishte kuptim. Sa vota mund të merren, mund të merret vesh vetëm në seancë plenare,” përfundoi Kurti.
04.11.2025 – 18:34
Orav: Ky vit është i humbur, duhet partneritet për integrime
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, në një konferencë për media ka deklaruar se për t’i ndihmuar Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, është e nevojshme të ketë partnerë.
Sipas tij, Shqipëria dhe Mali i Zi janë në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e BE-së.
Orav theksoi se në këtë aspekt dhe në ngjarjet e fundit që po kalon Kosova, ky vit mund të konsiderohet si një vit i humbur.
Ai shtoi se elita politike në Kosovë duhet të bashkohet për të siguruar një shumicë që do të mbështesë Planin e Rritjes.
“Në shumë vende kemi pare progres të jashtëzakonshme, fqinjët tuaj Shqipëria dhe Mali i Zi janë ne rrugën e duhur. Më lejoni të them shumë qartë, për të ndihmuar juve në rrugën e Bashkimit Evropian, duhet të kemi partnerë. Në këtë aspekt ku po kalojmë është e pamundur, ky vit është i humbur. Elita politike në Kosove duhet të bëhet bashkë përtej dallimeve politike për të siguruar një shumice për Planin e rritjes. Liria e shprehjes duhet te përmirësohet, duke përfshirë ligjin për RTK-ne dhe Komisionin e Pavarur”, ka deklaruar Orav.
Tutje Orav u ka bërë thirrje partive politike që të bashkohen përtej ndasive dhe të krijojnë një shumicë të fuqishme që do të mundësojë zbatimin e reformave dhe ratifikimin e marrëveshjeve të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.
“Jemi në një kohë vendimtare për Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Për BE-në, zgjerimi është një imperativ strategjik – një investim në stabilitet, siguri dhe prosperitet”, ka thënë Orav gjatë konferencës për media të martën bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ku po prezantohen të gjeturat e Raportit të Progresit.
04.11.2025 – 18:34
Kurti: Kosova ka ecur përpara – progres në 35 fusha, ngecje në vetëm tri
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot një konferencë për media pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën 2025 nga Komisioni Evropian.
Në këtë konferencë, ku mori pjesë edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, Kurti tha se raporti konstaton se Qeveria e Kosovës ka kryer detyrat me sukses, pavarësisht se është në detyrë.
“Raporti konstaton se kemi kryer detyrat me sukses. Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet i Republikës së Kosovës. Raporti sivjet është pozitiv në pothuajse të gjitha fushat dhe ofron rekomandime të qarta aty ku ka ngecje. Ka progres në 35 fusha dhe ngecje në vetëm tri fusha,” deklaroi Kurti.
Sipas tij, raporti vlerëson me progres edhe ato sektorë që shpesh janë kritikuar në opinionin publik.
“Progresi varion nga i kufizuar në të përparuar. Raporti vlerëson me progres sektorë kyç, ku politikat e Qeverisë sonë janë kritikuar pa bazë solide në opinionin vendor. Ajo që në opinion po karakterizohej si kollaps ekonomik, ky raport tregon se është zhvillim ekonomik,” theksoi Kurti.
Kryeministri në detyrë shtoi se raporti i Komisionit Evropian evidenton përmirësim edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
“Ajo që në opinionin publik reflektohej si prishje e raporteve me jashtë, ky raport tregon progres në marrëdhëniet me jashtë. Në marrëdhëniet me jashtë, raporti thekson avancim të dukshëm,” tha Kurti.
Raporti i Progresit për Kosovën 2025 i Komisionit Evropian vlerëson zhvillimet në sundimin e ligjit, administratën publike, ekonominë dhe dialogun, duke theksuar se Kosova ka shënuar përparim në shumicën e fushave, por mbeten edhe sfida për t’u adresuar.
