Hyseni: Do ta krijojmë Zyrën e Mërgatës në Gjilan
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka deklaruar se mërgata mbetet pjesë thelbësore e shoqërisë gjilanase dhe se komuna do të vazhdojë ta forcojë lidhjen me qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Hyseni ka njoftuar për disa nisma të reja që synojnë përfshirjen dhe mbështetjen e mërgatës.
“Mërgata jonë është pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Gjilanit. Zotohemi se do ta vazhdojmë mbështetjen dhe do ta forcojmë lidhjen me mërgatën tonë. Do ta krijojmë Zyrën e Mërgatës, për t’i shërbyer më mirë dhe për të qenë më afër çdo qytetari tonë jashtë vendit”, ka shkruar Hyseni.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë organizimin e Forumit Ekonomik të Mërgatës, me qëllim të sjelljes së investimeve të reja dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në komunë.
“Kemi në plan shumë aktivitete dhe nisma të reja për mërgatën tonë”, ka shtuar Hyseni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë mes institucioneve lokale dhe bashkatdhetarëve në diasporë.
