OPINIONTË FUNDIT

Kurti zgjodhi stabilitetin, opozita po zgjedh bllokadën! Shihemi në zgjedhje

Nëntë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, qytetarëve të Kosovës u ka mbetur vetëm edhe një shans për të mos iu nënshtruar edhe një procesi tjetër zgjedhor.

Kur të gjithë menduan se vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, menjëherë, për shkak se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti t’i siguronte votat e mjaftueshme për votimin e Albin Kurtit në postin e kryeministrit, një propozim i ri shënoi një kthesë mjaft të rëndësishme në skenën politike të Kosovës.

Albin Kurti dëshmoi karakterin e tij prej lideri konstruktiv e jo-egoist duke propozuar Glauk Konjufcën si mandatar për kryeministër. Politikani më i votuar në Kosovë viteve të fundit, hoqi dorë nga pozita meritore e kryeministrit vetëm e vetëm që proceset shtetërore, që janë qenësore për qytetarët të ecin përpara dhe të tejkalohet ngërçi politik.

Ai vuri interesin qytetar para atij personal e partiak në mënyrë që Kosova të mos i ketë dy palë zgjedhje.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për Glauk Konjufcën si kandidat për kryeministër mund të konsiderohet si një hap i duhur për të mos rrezikuar votimin e buxhetit për vitin 2026 dhe për të siguruar një qeveri funksionale në kompetenca deri në zgjedhjet e ardhshme, kur edhe përfundon mandati i presidentes Vjosa Osmani.

Konjufca shihet si një personalitet më i pranueshëm për partitë opozitare të cilat shprehnin gatishmërinë që ta votonin përsëri edhe për postin e kryetarit të Kuvendit, gjersa e kundërshtonin Albulena Haxhiun për këtë post.

Insistimi i opozitës për zgjedhje të reja mund të konsiderohet si hap i gabuar.

Ato po refuzojnë të vlerësojnë mundësinë që Konjufca mund të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme për formimin e qeverisë me arsyetimin se nuk kanë marrëveshje me LVV-në lidhur me këtë.

Por, ato po harrojnë se zgjidhja e situatës aktuale duhet të tejkaloj çdo marrëveshje partiake të interesit!

Secila parti politike ka përgjegjësi për situatën e krijuar dhe mbase do të duhej të ishte momenti i fundit, që me votimin e Konjufcës ta rregullonin sadopak këtë maskaradë politike që e shkaktuan për muaj me radhë.

Në vend që të shohin mundësinë për të bashkëpunuar në një mënyrë konstruktive, ata po e paraqesin vetveten si faktor pengues, duke çuar vendin drejt një procesi politik të tejzgjatur dhe të pasigurt.

Askush nuk e garanton këtë klasë politike për rezultat të njejtë si të 9 shkurtit, disa madje rrezikojnë.

Shihet qartë se insistimi i vazhdueshëm në zgjedhje tregon se për ta prioriteti nuk është zgjidhja e krizës apo stabiliteti i vendit, por vetëm bllokimi i Lëvizjes Vetëvendosje, e me këtë edhe bllokimi i funksionimit të shtetit.

Kjo qasje e opozitës duket jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme për stabilitetin e vendit. Në vend që të shohin mundësinë për një zgjidhje reale dhe praktike, ata mbeten të ngurtë dhe të bllokuar në lojën e tyre të ngushtë politike, duke vendosur interesat e tyre partiake mbi interesin e përgjithshëm të Kosovës.

Gjithsesi, shihemi në zgjedhje!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *