Faton Mehmeti: LDK, kjo patericë e PDK-së
LDK po humb çdo ditë e më shumë kuptimin e një partie opozitare, duke u shndërruar në një patericë të PDK-së. Në vend që të ndërtojë një alternativë të qartë politike, LDK po e lidh fatin e saj me një subjekt që për vite ka mbajtur barrën kryesore të qeverisjes korruptive në Kosovë.
Ky afrim i LDK-së me PDK-në nuk është rezultat i vizionit, por i frikës nga izolimi dhe i mungesës së drejtimit të qartë.Në çdo garë zgjedhore lokale apo qendrore, LDK po shfaqet si një subjekt që pret sinjale nga të tjerët, e jo që jep drejtim. Me marrëveshje të fshehta, me kalkulime për poste, dhe me heshtje përballë devijimeve të partnerëve të rinj, LDK po e humb atë që dikur e dallonte karakterin e saj institucional e qytetar.
Nëse dikur përfaqësonte besimin, sot ajo shihet si parti që kërkon mbështetje tek PDK për të mbijetuar politikisht.Ky rol nënshtrues e ka bërë LDK-në një instrument të përdorur për interesa të ngushta, jo një forcë me qëndrim të pavarur. Duke iu afruar PDK-së, LDK nuk po forcohet, përkundrazi po e humb identitetin e vet historik dhe po zhytet në një krizë ekzistenciale që do ta ndëshkojë rëndë në zgjedhje.
Në fund, pyetja që lind është e qartë: a mund të ringrihet një parti që pranon të jetë patericë e tjetrit, apo fati i saj tashmë është vulosur si hijë e PDK-së?
