Balotazhi në Mitrovicë, provë e vetëdijes kombëtare dhe qytetare
Ibrahim Shala
Në zgjedhjet komunale të 12 tetorit 2025, qyteti i Mitrovicës ngeli në balotazh në mes të kandidatit të LVV Faton Peci dhe kandidatit të PDK-së Arian Tahiri. Në shikim të parë gjithçka është normale brenda procedurave zgjedhore, sepse edhe balotazhi është produkt i raportit të vullnetit të votuesve. Por një rezultat i tillë nuk është normal në qytetin e Mitrovicës, sepse qyteti ka një historik të veçantë dhe aktualisht ka pozicion shumë specifik. Që nga qershori i vitit 1999, qyteti ishte ndarë në baza etnike përmes lumit Ibër, kjo ndarje atëherë u ndihmua nga ndërhyrja e ushtrisë franceze që ishte pjesë e misionit të KFOR-it, nga pamundësia e UÇK-së për kundërvënie ushtarake si dhe nga përvoja e Serbisë nga luftërat në Kroaci dhe Bosnje, për të krijuar enklava serbe në prani të forcave ndërkombëtare.
Që nga 12 qershori Serbia e ndau Mitrovicën e veriut si dhe Veriun e Kosovës dhe ruajti qeverisjen në Kosovë përmes institucioneve dhe formacioneve paralele. Gjendja faktike atëherë tregonte se pushteti i Serbisë kishte vazhdimësinë e vet edhe në territorin e Kosovës.
Ndryshimet pozitive në Veri nuk ndodhën vetvetiu
Është botërisht e ditur se gjendja atje ndryshoi me ardhjen në pushtet të LVV dhe me Qeverinë e Albin Kurtit. Që ky ndryshim është meritë e qeverisjes së tij e din dhe e pranon Serbia, ndërkombëtarët dhe ata shqiptarë që duan ta dinë dhe që nuk kanë perde në sy. Është e çuditshme se si i gjithë ky ndryshim pozitiv nuk pati efekt më të madh në numrin e votave të fituara për kandidatin e LVV-së?! Në këto zgjedhje nuk është me rëndësi çfarë ishte rezultati në qytetet tjera, por mos të fitojë kandidati i LVV me të parën në Mitrovicë në vitin 2025, kjo nuk është normale, kjo është shumë shqetësuese, kjo tregon se te shqiptarët diçka nuk po funksionon mirë.
Askush më mirë se qytetarët e Mitrovicë nuk e dinë se kush i zhbiu: strukturat paralele, strukturat dhe organizatat shtetërore që vepronin si zgjatim i Serbisë në Mitrovicën e Veriut dhe në Veriun e Kosovës bashkë me bandat kriminale paramilitare. Qytetarët e Mitrovicës duhet ta dinë dhe ta vlerësojnë se kush e prishi në Veri oazën e bandave serbe të krimit të organizuar. Po ashtu qytetarët e Kosovës dhe veçanërisht ata të Mitrovicës e din mirë se kush i luftoi bandat armatosura diversante nga Serbia dhe e ktheu sovranitetin e shtetit të Kosovës në Veri, që të valojë flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës.
Lexo po ashtu: Poeti i madh Zhiti del kundër propagandës serbe: “Nuk ka identitet kosovar, nuk ka letërsi kosovare. Ka vetë shqiptarë dhe letërsi shqiptare”
Pas të gjitha këtyre ndryshimeve pozitive, pas të gjitha këtyre fitoreve të shtetit Kosovës, të Qeverisë së Kosovës në krye me Kryeministrin Albin Kurti, është e pa kuptueshme që në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 Mitrovica të ngelet në balotazh dhe të mos fitoi kandidati i LVV që në raundin e parë? A thua kujtesa individuale dhe kolektive nga pas lufta e këndej është shlyer aq shumë në Mitrovicë?! Po kush duhet ta dijë, ta ndjej dhe ti gëzohet më shumë këtyre ndryshimeve sesa se sa qytetari i Mitrovicës?! Në rastin e Mitrovicës nuk është me rëndësi aq dallimi i personaliteteve të kandidatëve as ekspertiza e tyre profesionale, sa është me rëndësi busulla e shqiptarëve për t’u orientuar në kohë të trazuara.
Kur partia dhe pushteti vihen mbi interesat kombëtare
Kur partia dhe pushteti vihet mbi interesat kombëtare, atëherë politikanët arrijnë në qasjen makiaveliste, se qëllimi arsyeton mjetin. Në sfondin e raporteve të tensionuara të Kosovës me Serbinë dhe presionit ndërkombëtarë, kjo qasje pa fije frike e turpi proklamohet si politikë e hollë, si politikë fleksibile e integrimeve bashkëkohore. Është shqetësues qëndrimi i partive opozitare së bashku me liderët e tyre kur të yshtur nga lufta jo parimore për pushtet deklarojnë se: “Serbët e Veriut po vuajnë nën qeverisjen e Albin Kurtit sikur shqiptarët nën regjimin e Millosheviqit”. Kjo qasje sigurisht se ka efekt të drejtë për drejtë në orientimin e votuesve në Mitrovicë, dhe dërgon mesazhe negative te faktori ndërkombëtarë, e vështirëson pozicionin shtetërorë të Kosovës dhe të Qeverisë së saj, si dhe rritë shpresat e Serbisë për rikthim.
Prandaj në Mitrovicë edhe për zgjedhjet lokale kërkohet një qasje me më shumë vëmendje dhe përqendrim, vërtetë problemet lokale janë të rëndësishme për qytetarin, por në këtë qytet ato duhet të kalojnë përmes fokusit të interesave shtetërorë dhe kombëtarë. Te kutitë e votimit, qytetari i Mitrovicës duhet njëqind herë me matë dhe njëherë me pre, sepse çështja është shumë më e rëndësishme se kryerja e detyrës qytetare për të hedhur një votë. Kur për shkak të neglizhencës ose padijes përballemi me efekte negative është vonë. Një popull nuk i ka punët mirë, atëherë kur njeriu me shkollë dhe me mend në kokë, nuk din të dallojë të bardhën dhe të zezën, të mirën dhe të keqen, kombëtaren dhe antikombëtaren, atëherë ai ka probleme të mëdha me veten dhe vetëdijen e tij.
Çfarë pasoja ka një komb kur i mungon vetëdija kombëtare, më së miri e ilustron shkrimtari jonë i madh Ismail Kadare në poezinë “Pushtimi i Çekosllovakisë” ku shkruan: “Atë natë, thonë, s’punuan radarët. S’qenë radarët, defekt kish ndërgjegjja e kombit“. Sipas Kadares ky ishte shkaku që BRSS me 1968 e pushtoi Çekosllovakinë pa krisë as një plumb. Për efekte elektorale dhe propaganduese, mohuesit e ndryshimeve pozitive të qeverisjes së Albin Kurtit në Veri, kanë filluar të përdorin si kundër argument rezultatet e “Listës serbe” në zgjedhjet e fundit lokale. Ata argumentojnë: ja tash do të kemi situatën e njëjtë si më parë, në komunat veriore do të qeverisë Lista serbe, krejt çka bëri Qeveria Kurti ishte farsë, e ka bërë për popullizëm e të ngjashme.
Ky është spekulim politik dhe interpretim i realitet për nevojat e strategjive politike, të partive që e duan Veriun jashtë sovranitetit të Kosovës. Prandaj askush nuk do t’i gëzohej më shumë humbjes së LVV-së në Mitrovicë, më shumë se Serbia dhe zgjatimet e saj në Kosovë.
Të drejtat kanë edhe obligime
Kryeministri Albin Kurti nuk është deklaruar asnjëherë, që qytetarët serb të Kosovës nuk duhet të gëzojnë të drejtat e tyre ligjore dhe kushtetuese. Ata do të gëzojnë të drejtat nacionale dhe civile në qytetet ku janë me shumicë. Për votimet e drejta apo jo, pasojat dhe përgjegjësinë do ta bartin ata, sepse ata do të provojnë qeverisjen e të zgjedhurve mbi supet e veta.
Kosova me kushtetutën e saj dhe shqiptarët si komunitet shumicë, kanë siguruar të drejta aq të larta për komunitetin serb dhe të tjerët, as sa nuk mund të afrohet asnjë shtet tjetër në Evropë. Qeveria Kurti në Veri e ka shtri sovranitetin shtetërorë, kontrollin, sigurinë dhe funksionimin e shtetit njëjtë si funksionon, në Shtërpcë, Ferizaj, Graçanicë, Fushë Kosovë, Podujevë etj. Një ditë serbet e Kosovës duhet të kuptojnë qartë, se ata duhet të zgjedhin hapur dhe me vendosmëri që të jenë qytetarë të Kosovës, e jo misionar të Beogradit. Të drejtat dhe privilegjet qofshin edhe përmes diskriminimit pozitiv kanë obligime kushtetuese, ligjore dhe morale.
Dihet se asnjë shtet nuk lejon mekanizma qeverisës të shtetit tjetër në territor të vetin, nuk lejon as njësi paramilitare, nuk lejon as kolonë të pestë në territorin e vet, për më tepër nuk lejon as ndërhyrje armiqësore virtuale me internet. Këtë e dinë mirë Serbia, shtetet Evropiane dhe SHBA-të. Prandaj edhe shqiptarët duhet ta kuptojmë se Kosova është shtet dhe do të sillet si shtet në çdo situatë.
Ibrahim Shala, politolog dhe ekspert i sigurisë.
