OPINIONTË FUNDIT

Agim Rexhepi: Faton Peci ka epërsi morale dhe politike në Mitrovicë

Në një intervistë për “Bota sot”, anëtari i listës Guxo, Agim Rexhepi, thotë se në Mitrovicë ndihet një atmosferë e tensionuar, por njëkohësisht edhe e mbushur me shpresë. Ai e përshkruan garën mes dy kandidatëve si të fortë, por jo të barabartë.

Sa i përket koalicioneve mes PDK-së dhe partive të tjera, Rexhepi thotë se ato më shumë i kanë dëmtuar, ndërsa si fitues e sheh Faton Pecin, për shkak të epërsisë morale, elektorale dhe politike.

Për situatën e formimit të qeverisë, Rexhepi thekson se Albin Kurti nuk bën pazare për pushtet, por mbron parimet dhe vullnetin e popullit.

ImageAgim RexhepiFoto galeri
Fajtore për bllokimin e proceseve ai e sheh opozitën, që sipas tij vepron për interesa personale. Rexhepi shton se gjuha politike është ashpërsuar nga ata që po humbin terren, ndërsa Kurti e Peci po përgjigjen me qetësi dhe punë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në Mitrovicë para balotazhit?

Agim Rexhepi: Situata në Mitrovicë është e tensionuar, por edhe shpresëdhënëse. Qytetarët janë më të vetëdijshëm se kurrë më parë për nevojën e ndryshimit të vërtetë. Ka lodhje nga politika e vjetër, nga premtimet boshe dhe nga interesat e ngushta. Fushata e Faton Pecit ka sjellë energji të re, sinqeritet dhe afërsi me qytetarin. Mitrovica është gati për ndryshim të drejtë, me njerëz që nuk blehen e nuk shiten

“Bota sot”: Si e shihni garën në balotazh mes Faton Pecit dhe Arian Tahirit? A do të jetë një garë e ashpër?

Agim Rexhepi: Do të jetë garë e fortë, por jo e barabartë. Nga njëra anë kemi Faton Pecin njeri i punës, i ndershëm dhe me mbështetje të sinqertë qytetare; nga ana tjetër kemi strukturat e vjetra që po mundohen të mbijetojnë përmes presioneve e pazareve politikë.

Faton Peci po garon me zemrën e popullit, ndërsa kundërshtarët me aparatin e interesave. Kjo është diferenca që do të vendosë më 9 nëntor.

“Bota sot”: A mendoni se do të ndikojë koalicioni PDK-LDK në favor të kandidatit të PDK-së?

Agim Rexhepi: Ky koalicion më shumë i ka dëmtuar sesa i ka ndihmuar. Populli i ka kuptuar pazarët pas dyerve të mbyllura. Kur dy parti që kanë qenë rivale për vite të tëra bashkohen vetëm për t’u mbrojtur nga ndryshimi, kjo tregon frikë, jo forcë.

Në fakt, ky koalicion ka bashkuar elektoratin që do ndershmëri dhe zhvillim rreth Faton Pecit. Pra, efekti është i kundërt nga ai që ata kanë synuar.

“Bota sot”: Kush sipas jush ka më shumë shanse të fitojë në Mitrovicë dhe pse?

Agim Rexhepi: Fatin e ka në dorë populli, por sinqerisht Faton Peci ka epërsi morale, elektorale dhe politike. Ai është simbol i njeriut që vjen nga terreni, që flet me qytetarin pa protokoll, dhe që ka një mbështetje të madhe nga strukturat e Vetëvendosjes Guxo, Alternatives dhe nga vetë kryeministri Albin Kurti.

Fushata e tij është e pastër, energjike dhe përfaqëson frymën e ndryshimit që Mitrovica e ka pritur gjatë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni ndikimin e fushatës dhe takimeve publike në preferencat e votuesve për balotazhin?

Agim Rexhepi: Takimet publike të Faton Pecit kanë qenë shembull i komunikimit të sinqertë me qytetarët. Ai nuk po flet për interesa të ngushta, por për zhvillim, punësim, ndriçim publik, siguri e mirëqenie.

Ndërsa pala tjetër ka tentuar ta mbushë fushatën me akuza, frikë e shpifje, Peci po flet me argumente dhe me projekt konkret. Kjo qasje po reflekton qartë në terren çdo ditë e më shumë njerëz po i bashkohen kampit të tij.

“Bota sot”: A do të ishte ndonjë koalicion pas balotazhit i pritshëm dhe cili do të kishte më shumë ndikim?

Agim Rexhepi: Koalicioni i vetëm që ka vlerë pas balotazhit është ai me qytetarin. Faton Peci nuk është kandidat që bën pazare politike ai bashkon njerëz, jo poste.

Nëse ndodh ndonjë bashkëpunim institucional pas fitores, ai do të jetë vetëm mbi baza të zhvillimit lokal, transparencës dhe interesit publik, jo për ndarje të pushtetit.

Koalicioni Peci–qytetar është ai që do të ketë ndikimin më të madh në transformimin e Mitrovicës.

“Bota sot”: Pse Kurti nuk po arrin ta bëjë qeverinë?

Agim Rexhepi: Albin Kurti nuk po e bën qeverinë sepse nuk po pranon pazare. Ai po mbron parimet, jo karriget. Opozita po e bllokon çdo proces vetëm për të ruajtur privilegjet e veta, jo për të ndihmuar vendin.

Kurti është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të reja, vetëm që të mos tradhtojë vullnetin e popullit. Kjo është arsyeja pse shumica e qytetarëve, edhe pse mund të mos pajtohen me çdo vendim, e respektojnë Albin Kurtin sepse nuk shitet dhe nuk shantazhohet.

“Bota sot”: A është ashpërsuar më shumë se që duhet gjuha mes liderëve politik, si duhet kaluar kjo fazë?

Agim Rexhepi: Po, është ashpërsuar, por përgjegjësia kryesore bie mbi ata që po humbin terren politik. Kur dikush s’ka ide, përdor fjalë të rënda.

Albin Kurti dhe Faton Peci kanë zgjedhur të përgjigjen me qetësi, me argumente dhe me punë. Kjo është rruga e duhur jo hakmarrja, por ndërtimi.

Kosova duhet ta kalojë këtë fazë duke i kthyer vlerat në politikë: moralin, punën dhe drejtësinë. Vetëm kështu do të ketë politikë që bashkon, jo që ndan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *