OPINIONTË FUNDIT

Ibër-Lepenci – zemra ujore e Kosovës në rrezik nga tradhtarët

Pasuria strategjike që ka mbajtur gjallë industrinë, bujqësinë dhe jetën në Kosovë

“Ibër-Lepenci” nuk është thjesht një ndërmarrje ujore ,është sistemi më jetik i Kosovës, që nga themelimi i tij ka ushqyer me ujë, energji dhe jetë pjesën më të madhe të vendit.

Por gjatë viteve të fundit, kjo pasuri kombëtare është bërë pjesë e debatit politik, ekonomik dhe kombëtar, si rezultat i interesave të ndryshme që kanë rrezikuar kontrollin dhe qëllimin e saj strategjik.

Historiku dhe Rëndësia Kombëtare

Ndërmarrja Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” Sh.A., me seli në Prishtinë, është themeluar me Vendimin e Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt 1967. Në vitin 1986, ajo u konstituua si Ndërmarrje Shoqërore me qëllim të operimit dhe mirëmbajtjes së sistemit shumëfunksional ujë-energji.

Ky sistem është projektuar në dy faza:

— Faza I – Ibri, e përfunduar në vitin 1986;

— Faza II – Lepenci, e planifikuar por e papërfunduar.

Pas luftës së fundit në Kosovë, ndërmarrja u transformua nga UNMIK-u në Ndërmarrje Publike N.H. “Ibër-Lepenc”, ndërsa më 1 janar 2008, pas procesit të korporatizimit, u shndërrua në Ndërmarrje Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” Sh.A., e cila sot është shoqëri aksionare 100% në pronësi të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Roli Ekonomik dhe Energjitik

Penda në Ujman mundëson akumulimin e ujit që përdoret për:

1. Prodhimin e energjisë elektrik

— Hidrocentrali Ujman: 2 x 17.5 MW

— Prodhimi mesatar: 95 GWh/vit

2. Furnizimin me ujë të papërpunuar për industri

KEK-u

Feronikeli

Trepça

3. Furnizimin e ujësjellësve rajonalë

— Ujësjellësi Rajonal i Mitrovicës

— Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës

4. Furnizimin e bujqësisë

— Rreth 20,000 hektarë tokë bujqësore ujitet përmes këtij sistemi.

Infrastruktura Strategjike

Objektet e sistemit “Ibër-Lepenc” shtrihen në 7 komuna:

Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Drenas.

Zona ujëmbledhëse përfshin pjesë të Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës, çka e bën këtë sistem edhe më të ndjeshëm në aspektin gjeopolitik.

Të dhëna teknike

— Penda Ujman: lartësi 107.5 m

— Akumulimi Ujman: 375 milion m³

— Hidrocentrali Ujman: 2 x 17.5 MW

— Penda Pridvoricë: lartësi 10 m, akumulim 480,000 m³

— Kanal kryesor: 146 km, kalon në 4 komuna dhe 31 vendbanime rurale

— 14 stacione pompimi, 4 objekte ndarëse, 766 km rrjet nëntokësor për ujitje, 120 km largpërçues.

Çështja Kombëtare e “Ibër-Lepencit”

Sot, “Ibër-Lepenci” nuk është thjesht një ndërmarrje teknike – është çështje kombëtare. Kontrolli mbi ujërat, energjinë dhe pasuritë e Kosovës është thelbësor për sovranitetin e saj.

Çdo përpjekje për ta relativizuar apo për ta vënë në diskutim pronësinë dhe kontrollin e këtij sistemi duhet të shihet si cenim i interesit kombëtar.

Ndërkohë, shumë qytetarë, intelektualë e punëtorë të këtij sektori shprehin shqetësimin se politika dhe interesat e huaja po ndikojnë në mënyrën se si trajtohen këto pasuri strategjike – “Ibër-Lepenci” dhe “Trepça” janë shembuj të qartë të kësaj.

Pa ujë nuk ka jetë, pa energji nuk ka zhvillim, dhe pa “Ibër-Lepencin” nuk ka Kosovë të qëndrueshme.

Ky sistem është fryma ujore dhe energjitike e vendit, dhe mbrojtja e tij është detyrë kombëtare dhe qytetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *