OPINIONTË FUNDIT

PDK e keqpërdor Zotin dhe shtëpitë e Tij për fushatë elektorale

Nga Kimete Berisha

Shpresa nga burgu, shpresa nga varri!

E keni provuar të jetoni pa shpresë?
Unë, po: është dhimbje pa Zot, asi dhimbje ateiste, që s’pushon, pa bërë paqe me të.

Sot, shpresa ka dy porta: njëra hapet nga burgu, tjetra nga varri.
Në mes, Ju që kërkoni shpresë nga të pashpresët.

Dhe Kosova.
E pushtuar nga Opozita agresive që nga pallati luksoz – ty të lë pa bukë.

Është çmenduri, kjo.
I vogli i duket vetes i madh. Komandanti sillet si Zot.
PDK e keqpërdor Zotin dhe shtëpitë e Tij për fushatë elektorale…
nga qytetet që vet i la në terr.
I quajnë “qytete”, por janë prona të tyre private.

Presidentja blen kohë për vete, sepse edhe ajo është milionere.
U bë duke punuar tri punë: përkthyese e Hashim Thaçit (300 euro),
asistente e Fatmir Sejdiut (300 euro)…
dhe ja, kështu me 1000 euro në muaj bëhesh milionere, aty ku as letërsia, as politika, as lufta, askush nuk ka biografi të shkruar.
Aty ku asgjë nuk është e vërtetë.

Askush nuk merret me punët e veta.
Një poet plak më pyet në ministrinë e kulturës: “A je ti, Kim?” – anipse e di që jam.
Kaq është kritika letrare.

E një polic i Komisariatit të Tiranës, që ishte zgjuar në pesë të mëngjesit (roje, sigurisht), më inkurajoi për talentin:
“Më dëgjo, ti duhet të shkruash… komedi!”

Ndërsa unë mund ta lajmëroj në polici një person me emrin ‘Syle Karadaki’ që më shkeli me tanke fjalësh, publikisht, duke më kërcënuar një ditë se do të më shkatërrojë mua dhe KFOR-in.

Dhe më përshkruante me plot fantazi se çfarë do të më bënte, sikur të ishte polic.
Shko, tha, lajmërom – ta paguaj edhe taksinë.

Por unë nuk e lajmërova në policinë e Kosovës, por në policinë e Facebook-ut.
Sepse këtu, për kërcënim me vrasje, dënohesh me 1000 euro – e ndoshta ai nuk i ka, ose i dhimbsen aq shumë, sa nga humbja frymëzohet dhe më vret përsëri.

Ai trim e kish veç një shok.
Padyshim, Komandant.
E di unë, se jam dyfish Gemini në horoskop…!

Unë kam pasur një mësues që është rritur në qeli, për flamurin kuq e zi, që për mua është marrëzi.
Ai më ka thënë: “Shkruaj, mos u ndal… se nëse dikush ta mësyen, nuk ka kush që e ndal.”

Atmosfera që është krijuar këtu është e njëjtë me atmosferën pas luftës:
askush me askënd nuk flet, dhe çdo milioner opozitar nxit vëllavrasje.

Të gjithë, pa përjashtim, duhet ta dinë:
Duken kriminelë të kthyer në vendin e krimit – tul mbi tul – që karrierën e kanë ndërtuar mbi krim, tradhti, mashtrime, korrupsion dhe tragjedi.

Dhe të njëjtit po e thellojnë luksin e tyre duke e shfrytëzuar fatin tragjik të të burgosurve në Hagë.
Ata që i kanë çuar atje – më së shumti i qajnë dhe i vizitojnë!
Kujt i dëgjohet vaji më shumë – vuan më së paku.

Dhimbja është mbytëse, ta mbyt edhe zërin, edhe lotët ti shter, edhe fjalët ti humb.

Të gjithë ata që sot e bllokojnë buxhetin janë milionerë dhe jetojnë në lagje luksoze.
E kush të bën milioner në një vend të korruptuar?
Fati! Dihet.

Vendi më i varfër në Evropë, e ka opozitën më të pasur në Ballkan.

Si pas luftës – luftë.
Dhe prapë Ti pyet veten: pse jam fatkeq?

1. PDK – Shpresa te i Burgosuri

Presin Hashim Thaçin të dalë nga burgu.
Shpresojnë që ai do ta marrë komandën, derisa Memli ruan hijen.
Loja e “Jo”-s vazhdon.

Dje Memli krijoi një thënie:
“Uji i turbullt nuk pihet dy herë” – pra, një herë pihet.
Këtë “thënie” nuk do ta kishte nënshkruar as babai i tij.

Në çdo qytet, PDK ka nga një kryetar-ushtarak që mban vulën si çelës të kazinosë politike.
PDK-ja nuk është parti.
Është rrjet bosësh lokalë që i falen burgut si faltore shprese.

2. LDK – Shpresa te i Vdekuri

Për së vdekuri shfrytëzojnë Ibrahim Rugovën, anipse as heshtjen nuk ia e kanë mësuar.
Ata janë grup burrash e grash arrogantë, që gjithë ditën çirren, mallkojnë, merren me gra e me fëmijë të kundërshtarëve.
Hykmetja bile kërkon që e bija e Albin Kurtit të jetojë në Kosovë.

Ata janë gjithçka që s’ishte Rugova.

Ai ka vdekur? S’ka problem.
Populli e di, por ende e voton Rugovën.
Quhet besnikëri.

Dhe çdo premtim kalon përmes varrit të tij.
Prandaj, LDK ecën përpara me kokën pas, derisa fantazmat e votuesve shpirtmirë presin ringjalljen.

3. AAK – Familja e pushtetit lokal

Nuk ka parti… por ka rrjet: vëllai, daja, nesër nipi.
Secili kryetar lokal është edhe komandant, edhe filial i bankës familjare…që nuk pyet për Zot.

Sot duhet guxim me pi kafe me Ramush Haradinajn.
Nuk dihet kush kë pi: ti kafen, apo kafeja ty.

Çdo fjalë e këtij burri katundi është intrigë ordinere e mesjetare, si e shtrigave në fillim të karrierës.
Po ta kishte lexuar një libër, do ta dinte si të thurte një gënjeshtër për t’u besuar.

4. Bedri Hamza – Armiku i padukshëm i Mitrovicës

Bedri Hamza nuk zbulohet lehtë, por i bën të tjerët ta zbulojnë veten.
Është si akrepi që bën dritë natën, kur s’e sheh askush – përveç atyre që janë si ai.

Me prirje paranormale lexon mendime, dhe gjatë këtyre leximeve ka kuptuar se partia e tij ka nevojë për fe dhe rituale.
Memento mori.

Bedriu di gjithçka për secilin, dhe askush nuk di gjë për të.
Është armik i përsosur, sepse duket mik i të gjithëve.

5. Deputeti – Shpresa e përjetshme

Bashkëpunon vetëm në ëndërr, sepse realiteti është i papranueshëm.
Kush zgjohet, përjashtohet.

Salla e Kuvendit u bë krevat gjigant: aty lindin ligjet, flenë idealet dhe i martuari rimartohet.
Pushteti e përtrin shtratin, dhe zhvillimet më të mëdha po ndodhin në sektorin erotik.
Urime çiftit!

6. Duda Balje – “Ne bojim se drugova tvoga frajera”

Kanë menduar se do ta frikësojnë duke zbuluar bisedat e saj sekrete me agjentë të deklaruar të Serbisë.
Sekreti është i mbrojtur me ligj. E spiunazhi është zanat i ndershëm – kur e bën me shpirt.

Kjo “zanë e sekreteve”, e bija e atij që ka shpërndarë bukë për policinë serbe gjatë luftës
(siç tha vetë: “ishte i detyruar”),
sot nuk pranon as bukë politike nga shumica shqiptare.
Ajo vendos kundër tyre, gjithmonë.
Ky është dallimi mes detyrimit dhe zgjedhjes.

Në familje ndryshon vetëm uniforma. Instinkti mbetet.

Duda Balje, pronare e disa banesave, sot luan me politikanë shqiptarë, sepse atyre u pëlqen.
Meshkujt shkrihen… në disa raste.

Paqja – I vetmi vend i lirë

Sot, kur të gjithë thërrasin në ndarje, në luftë vëllavrasëse e në leçitje,
i vetmi vend i zbrazur është varri i Ibrahim Rugovës.

Mungon njeriu i mençur, i qetë, i urtë, që ia lëshon udhën Ramush Haradinajt…
sepse e di që gjithçka është – edhe pak çështje fati.

P.S.

Në luftë jam dukur e shëmtuar, e shkrirë nga pikëllimi, pa letër e pa laps.
Këndoja me një plakë që i lutej qiellit:
“Eh, moj Kosovë e shkretë…”
dhe unë i përgjigjesha: “Ç’mu dësh’ru me t’pa ty…”

Cigaren e ndërroja me ushtarët: një copë mishi për një cigare, një shishe raki për dy lugë kafe.
Ndjehesha feudale e luftës – ndërroja dehjen me dehje.

U bëra pasqyrë e vdekjes së të tjerëve,
por më tremb më shumë vdekja në paqe se sa vdekja në luftë.

E gjallë, gabimisht.
Një burrë mund të më vrasë me moral, para se një armik të më shuajë me plumb.

Të vritesh në liri, kur ke pasur mundësi të vritesh në luftë…

Që atëherë, nuk jam më patriote.
Dhe nuk dhemb më.
Dhe kjo është forma më e re e dhimbjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *