‘Fundi’ i ideve për shkëmbim territoresh, lajm i mirë nga SHBA për Kosovën
SHBA-ja nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose forma të tjera të ri-vizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor.
Kështu thuhet në një projektligj të datës 9 tetor 2025 të Kongresit amerikan, i cili për herë të parë përfshin edhe paragrafin mbi “mos ndryshimin e kufijve” në Ballkan.
Projektligji i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme dhe Komitetit të Drejtësisë, për shqyrtim të pjesëve që i përkasin juridiksionit të secilit, por afati i shqyrtimit nuk është përcaktuar ende.
Ky është një lajm i mirë për Kosovën, pasi jo rrallëherë në të kaluarën është përmendur shkëmbimi i territoreve nga politikanët shqiptarë.
Nëse projektligji miratohet nga Kongresi dhe Senati, dhe nënshkruhet nga presidenti Donald Trump, atëherë SHBA do të angazhohet ligjërisht që politika e saj e jashtme të mos mbështesë ndarjen e territoreve, shkëputjen apo ndonjë ndryshim tjetër kufitar bazuar mbi etni në Ballkanin Perëndimor, përfshirë midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndarjen e mundshme të Republikës Serbe nga Bosnjë dhe Hercegovina.
Ligji promovon gjithashtu biseda bilaterale, iniciativa konkrete për rritjen e tregtisë dhe investimeve, si dhe mbështetje nga SHBA-ja për një marrëveshje përfundimtare.
Në seksionin e projektligjit, që merret me raportet midis Kosovës e Serbisë, thuhet se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, e arritur më 27 shkurt 2023 me mbështetjen e BE-së duhet të zbatohet shpejt.
Se çka do të thotë ky vendim folën njohësit e çështjeve politike e ndërkombëtare.
Ymeri: Projektligji i Kongresit amerikan i 09 tetorit 2025 është shumë i drejtë për Republikën e Dardanisë, kur është fjala për mosshkëmbime territoresh
Së pari, profesori Eshref Ymeri e mirëpriti këtë vendim për ndalim të shlëmbimit të territoreve, derisa tha se është në të mirë të Dardanisë.
Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” u shpreh se, sa i përket ndryshimit të kufijve duhet të kundërshtohet, pasi që dihet se kombi shqiptar është copëtuar në Kongresin e Berlinit.
“Projektligji i Kongresit amerikan i 09 tetorit 2025 është shumë i drejtë për Republikën e Dardanisë, kur është fjala për mosshkëmbime territoresh në Ballkanin Perëndimor. Por në atë Projektligj përfshihet edhe paragrafi për mosndryshimin e kufijve në Ballkan.
Menjëherë pas publikimit në mjetet e informimit masiv të këtij Projektligji me këtë paragraf, qeveritë dhe presidencat e të dyja shteteve shqiptare, duhej të reagonin menjëherë dhe t’i drejtoheshin Kongresit amerikan, duke u shprehur kundër atij paragrafi. Kjo për arsye se në Ballkan ekziston një Çështje Madhore e Pazgjidhur e Kombit Shqiptar, me një prapavijë 112-vjeçare – copëtimi i trojeve tona etnike në Kongresin e Berlinitt të vitit 1878 dhe në Konferencën e Londrës të vitit 1913”, shpjegoi ai.
ImageEshref YmeriFoto galeri
Krahas kësaj Ymeri rikujtoi një deklaratë të Merkel, e që tha se duhet shqiptarët t’ia përmendin Kongresit Amerikan.
“Qeveria dhe Presidenca e Tiranës duhej t’i kujtonin Kongresit amerikan porosinë e Kancelares gjermane prej vitit 2005 deri në vitin 2021, Zonjës Angela Merkel, e cila ka deklaruar:
“Shteti shqiptar u nda gjatë luftërave ballkanike e gjatë Luftës së Parë Botërore. Shqipëria është i vetmi shtet në botë që kufizohet në të gjitha anët me bashkëkombësit e vet”. Merkel më pastaj do të shprehet se dëshirë e saj është ta shohë një Shqipëri ashtu si e ka krijuar Zoti. Pas pyetjes së një gazetari gjerman se, “përse kjo përkujdesje ndaj shqiptarëve nga ana e Angela Merkel”, ajo do të shprehet fare shkurt: “Ua kemi borxh” (Faqja e internetit “Kospress”. 19 janar 2023. Koment i Naim Kelmendit)”.
Ndër të tjera, profesori kritikoi ashpër politikanët shqiptarë që nuk e ngritën zërin në forumet ndërkombëtare për ribashkim të trojeve tona shqiptare.
“Për turpin e kryepolitikanëve të atdheut amë, të cilët, duke iu përmbajtur traditës së politikës antikombëtare të Enver Hoxhës, që, si një argat i regjur i Beogradit, nuk e ngriti kurrë zërin në forumet më të larta ndërkombëtare, duke filluar nga Europa dhe deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Organizatën e Kombeve të Bashkuara për ribashkimin e trojeve tona etnike, vazhdojnë të luajnë rolin e mumjeve dhe të servilëve të pashtirë para të huajve”, përfundoi Eshref Ymeri për “Bota sot”.
Shabani: Shkëmbimi i territoreve është një iniciativë e rrezikshme
Kurse, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani shkëmbimin e territoreve e cilësoi si iniciativë të rrezikshme.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se kjo çështje jo rrallëherë ka shkaktuar debate të forta në Kosovë dhe në rajon të Ballkanit.
“Shkëmbimi i territoreve është një iniciativë e rrezikshme për gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti. Ndonëse është diskutuar që veriu i Kosovës me shumicë serbe t’i jepet Serbisë, ndërsa jugu i Serbisë me shumicë shqiptare t’i jepet Kosovës, kjo gjë ka shkaktuar debate në tërë rajonin, pasiqë një iniciativë e tillë do depërtonte edhe në Bosnjë me Reuplika Srpska dhe në Maqedoninë e Veriut ku komuniteti i dytë më i madh në vend janë shqiptarët dhe kjo do krijonte destabilizim të pakontrolluar”.
Gjithashtu, ai potecoi se, përveç SHBA, këtë qëndrimin e kanë pasur edhe aleatët evropianë të shtetit tonë, si dhe vetë qeveria aktuale e Kosovës.
“Përveç SHBA-së që kanë deklaruar për mosprekjen e territoreve edhe aleatët kryesorë të Kosovës në Evropë, si Franca dhe Gjermania, po edhe Britania – kanë thënë se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit Perëndimor mund të sjellin destabilizim.
Këtë qëndrim e ka sot Qeveria e Kosovës, e cila thotë se përpjekja eventuale për ndarje të Kosovës, nën petkun e shkëmbimit territorial, nuk është projekt paqësor dhe ndez konflikt të gjerë e të gjatë në tërë Ballkanin”, nënvizoi ai.
ImageAmir ShabaniFoto galeri
Në fund, theksoi që, shkëmbimi i territoreve nuk do të rikthehet si temë, sepse liderët politik kanë ndryshuar, nuk janë të kaluarit.
“Është e vërtetë se Vuçiqit do t’i konvenonte rikthimi i kësaj ideje në diskutim, por ajo nuk përkon më me realitetin në terren.
Kështu që, mendoj se shkëmbimi i territoreve nuk do të rikthehet si temë diskutiminë të njëjtën mënyrë si më parë, sepse liderët politik kanë ndryshuar – së paku njëri prej tyre. Marrëveshja është folur në kuadër të një pajtimi mes Thaçit dhe Vuçiqit, të cilët i kanë besuar njëri-tjetrit, mirëpo në përballje me Albin Kurtin kjo temë thuaj se është e “vdekur””, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.
