Kosova para dy palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, juristi sqaron çka do të ndodhë në vazhdim
Pas dështimit për formimin e qeverisë së re janë shtuar zërat se Kosova rrezikon të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.
Sipas njohësve të ekonomisë qeveria në detyrë nuk ka kompetenca të propozojë as ligj dhe as ndryshim të ligjit.
Kësisoj juristi Muhamet Kelmendi ka thënë për “Bota sot” se Kosova gjendet para dy palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, pasi vendi ka mbetur pa qeveri dhe pa Ligj mbi Buxhetin.
“Kosova gjendet para dy palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Kosova ka mbetur pa qeveri. Në mungesë të saj nuk kemi as Ligj mbi Buxhetin.
Nëse buxheti nuk përcaktohet në kohën e duhur me Ligjin mbi Buxhetin, ka mundësi që me vendim të qeverisë në detyrë të kryhen detyrat e shtetit. Natyrisht, nëse del qeveria e re, shkohet me Ligj mbi Buxhetin,” ka deklaruar Kelmendi.
Ai ka shtuar se Kuvendi është organ i pavarur dhe duhet të vazhdojë punën me formimin e komisioneve.
“Kuvendi nuk është organ që varet nga qeveria. Kuvendit i kërkohet të shkojë me bërjen e komisioneve. Për këtë ekziston Rregullorja e Kuvendit. Me Rregullore, themelimi i komisioneve nuk varet nga formimi i qeverisë. Janë dy çështje të ndryshme,” ka theksuar ai.
Sipas tij, tash pritet që Presidentja të ndërmarrë veprimet kushtetuese për mandatimin e një kandidati për kryeministër.
“Tash pritet që nga Presidentja të mandatohet ndonjë person i ndonjë partie apo jashtë saj që mund të formojë qeverinë. Kërkesa shkon te partia e parë parlamentare. Afati për mandatim është 10 ditë, 15 ditë i ka pastaj mandatori,” ka sqaruar juristi.
Në këtë kuadër, Kelmendi ka vlerësuar se ish-partitë opozitare i kanë votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
“Në këtë kuadër, ish-partitë opozitare i kanë votat për qeveri, natyrisht me votat e deputetëve të minoriteteve në Kosovë. A do të shfrytëzohet kjo, varet nga partitë në Kuvend,” ka thënë ai.
Ai beson se Presidentja do t’i ftojë partitë në takim për të vendosur rreth mandatimit ose për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Besohet se Presidentja do t’i ftojë partitë në takim dhe të vendosë për mandatim apo për zgjedhje të jashtëzakonshme,” ka theksuar Kelmendi.
Juristi ka paralajmëruar se e njëjta gjendje politike mund të përsëritet edhe në zgjedhjen e Presidentit të ri.
“Kjo gjendje, nëse partitë nuk dakordohen me Presidenten, do të ndodhë edhe në kohën kur do të zgjidhet Presidenti i vendit. Jemi kështu para dy zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme: një palë zgjedhje tani, pse nuk kemi qeveri, dhe zgjedhjet tjera për President në fillim të vitit të ardhshëm,” ka përfunduar Kelmendi.
Ndryshe, kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet sot nga ora 14:00. Në këtë mbledhje të Kryesisë do të ketë konsultim për funksionalizimin e trupave punuese të Kuvendit, si dhe diskutim rreth miratimit të buxheteve komunale për tri komuna.
