TË FUNDIT

Takimi ‘befasi’ Abdixhiku-Limaj, zbërthehen prapaskenat e tij – ja cili ishte qëllimi!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumri Abdixhiku dhe ai i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj janë takuar gjatë ditës së hënë.

Takimi vjen një ditë pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk arriti ta krijojë një shumicë parlamentare për votimin e qeverisë së re, e cila dështoi të zgjidhej.

Abdixhiku e quajti “të shkëlqyeshëm” takimin me Limajn.

“Ishte një takim i shkëlqyeshëm me një mik të shkëlqyeshëm siç është Fatmir Limaj”, tha ai.

I pyetur për diskutimet që janë bërë, kreu i LDK-së tha: “Me pasë dashtë ju me ditë, ju kishim thirrë brenda në takim”.

Kurse, po atë ditë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, doli në konferencë për media.

Ai tha se asnjëra nga partitë parlamentare të cilave iu bënë ftesë (NISMA e LDK) nuk kanë pranuar bashkëqeverisje, megjithëse, sipas tij, vota e qytetarit kishte përcaktuar që duhet të kishte koalicion bashkëqeverisës

“I bëmë ftesë hy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nismën. LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë. Po të rezononin ndryshe këto dy parti e të pranonin ofertën tonë për bashkëpunim, ne jo vetëm që do t’i kishim numrat e nevojshëm të kishim qeverinë e re, por edhe do të mund t’i jepnin zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit që na pret pas vetëm 4 muajsh”, tha në nisje të kësaj konference për media.

Mirëpo, çfarë fshihet pas takimit Limaj-Abdixhikut, që erdhi menjëherë pas refuzimit dhe mosvotimit të qeverisë Kurti 3?

Halilaj: Takimi Abdixhiku-Limaj, nuk është rastësi!

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli Gazmend Halilaj, i cili tha se takimi në fjalë nuk ishte rastësi.

Sipas tij, takimi Limaj-Abdixhiku ishte i përgatitur dhe që synim ka krijimin e një boshti të ri opozitar pak para zgjedhjeve të reja.

“Takimi mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj, menjëherë pas dështimit të formimit të Qeverisë Kurti 3, nuk është rastësi. Është e qartë se ky takim ka pasur një prapavijë të përgatitur, një koordinim politik që synon të krijojë një bosht të ri opozitar në prag të zgjedhjeve të mundshme të jashtëzakonshme”.

Krahas kësaj, ai tha se NISMA e LDK me refuzimin ndaj Kurtit, synuan ta dobësojnë LVV-në.

“Refuzimi i përbashkët për të hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje nuk duhet parë si veprim i parimeve politike, por si pjesë e një strategjie për ta dobësuar subjektin më të fuqishëm politik në vend – LVV-në dhe kryeministrin Kurti. Ky lloj bashkëpunimi mes partive që kanë humbur besimin e qytetarëve tregon frikën nga përballja e drejtë në zgjedhje dhe mungesën e vizionit të përbashkët për të ardhmen e vendit”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Halilaj shtoi se edhe nëse arrihet koalicioni LDK-NISMA, do të jetë më shumë koalicion mbijetese se një ndryshim në skenën politike.

“Nëse vërtet po përgatitet një koalicion NISMA–LDK për zgjedhjet e reja, ai do të jetë më shumë koalicion për mbijetesë politike sesa për ndryshim real. Qytetarët tashmë e kanë dëshmuar se kërkojnë qeverisje të drejtë, të pastër dhe me integritet – diçka që vetëm Vetëvendosje e ka ofruar dhe do ta ofrojë sërish në çdo proces zgjedhor”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Gacaferi: Një “koalicion” i mbijetesës politike

Kurse, anëtari i ‘Guxo’, Luan Gacaferi takimin Abdixhiku-Limaj e cilësoi si “takim të zorit”.

Sipas tij, ata janë afruar pasi vlerëson se partitë e të dyve janë në një pozitë të keqe.

“Takimi i Abdixhikut me Limaj ishte një takim i zorit dhe jo se ka ardhur nga dashnia e respekti që kanë për njëri-tjetrin!

Pra, ky takim është si me thënë figurativisht kur dy veta po shohin që po fundosen, i thonë njëri tjetrit ma jep t’i mua dorën qe ta jap edhe unë ty dorën, e kështu kemi shanse të shpëtojmë së bashku ose të fundosemi së bashku!”

Gjithashtu, Gacaferi tha se Abdixhiku gjendet në një situatë të vështirë, pasi nuk guxon të marrë më pak vota në zgjedhjet e ardhshme, se në zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi do kishte goditje të mëdha nga kundërshtarët brenda LDK-së.

“Abdixhiku edhe me dreqin do bëjë koalicion e marrëveshje vetëm ta ruaj rezultatin e zgjedhjeve të fundit të 9 shkurtit të këtij viti, sepse nëse nuk arrin ta mbaj atë rezultat, është i mbaruar por edhe i “copëtuar” nga kundërshtarët e vet brenda LDK-së, që janë duke e pritur në njërën këmbë këtë ditë! Pra, çdo rezultat më i keq se në zgjedhjet e fundit, për zt. Abdixhiku, është fundi i tij, politik si kryetar i LDK-së, por edhe jo vetëm!” – shpjegoi ai.

Ndërsa për Limajn, tha se i duhet për mbijetesë një koalicion me NISMËN, pasi nuk ka shans të kalojë pragun kjo parti e vetme.

Si përfundim, tha se ky do jetë një “koalicion i mbijetesës”.

“Kurse për Limaj, dihet botërisht që e ka për ekzistencë apo thënë ndryshe për mbijetesë, sepse ai, e di, qe nuk ka asnjë shans qoftë edhe teorike të mbijetoi ose ta kaloj 5% nëse shkon i vetëm në zgjedhje! Pra, nuk e kalon pragun elektoral të vendosur të 5%, prandaj ju ka bashkuar Abdixhiku, sepse me Ramushin e ka “dh..” punën!

Prandaj, për bindjen time kjo marrëveshje, është 100% e zorit. Pra një “koalicion” i mbijetesës politike si për Abdixhiku e si për Limaj dhe nuk është asgjë tjetër!” – përmbylli Luan Gacaferi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *