Raporti që trazoi Ballkanin: Rusia dhe Serbia prapa krizës në Kosovë – ekspertët kërkojnë masa
Një raport i publikuar nga New Diplomacy Project në Londër, me titull “Restoring British Leadership in the Western Balkans”, vuri në pah bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë në nxitjen e destabilitetit në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Raporti, i hartuar nga një grup ekspertësh britanikë dhe ndërkombëtarë, përfshirë ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, paraqet qartazi tentativat ruse dhe serbe në prishjen e paqes rajonale.
Sipas raportit, Kosova është bërë “epiqendra e përpjekjeve të koordinuara ruso-serbe për destabilizim”, me theks të veçantë në sulmin paramilitar të shtatorit 2023 në Banjska, ku mbetën të vrarë tre persona, përfshirë një polic të Kosovës, heroin Afrim Bunjku.
Dokumenti thekson se sulmi ishte drejtuar nga ekstremistë me lidhje direkte me qeverinë e Aleksandar Vuçiqit, ndërsa Rusia ka luajtur rol logjistik dhe informativ në këtë operacion
Raporti përmend se Kremlini dhe Beogradi po kryejnë operacione të përbashkëta inteligjente në rajon për të penguar zgjerimin e NATO-s dhe për të forcuar ndikimin serbo-rus në Kosovë, Bosnje dhe Mal të Zi.
Autorët paralajmërojnë se ndërhyrjet ruse dhe serbe në rajon janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni në Ukrainë dhe për të krijuar tensione të reja në Evropën Juglindore.
“Në Kosovë, Serbia dhe Rusia kanë punuar së bashku për të shkaktuar krizën më serioze të sigurisë në Evropë pas Ukrainës”, thuhet në raport.
Mirëpo, çka do të thonë këto të gjetura nga ky raport, dhe se a duhen marrë masa ndërkombëtarët ndaj Serbisë, folën ekspertët.
Tali: Ky raport duhet të merret shumë seriozisht
Fillimisht, analisti Driton Tali në prononcimin e tij për “Portali Realiteti” u shpreh se ky raport duhet të merret shumë seriozisht.
Madje, ai u sugjeroi politikanëve dhe analistëve ta shkarkojnë dhe ta lexojnë me vëmendje.
“Raporti i “New Diplomacy Project” me titull “Rivendosja e Lidershipit Britanik në Ballkanin Perëndimor”, është një elaborat i punuar me ekspertizë. Duhet cekur se “think tanku” New Diplomacy Project udhëhiqet nga disa njohës të mirë të gjeopolitikës, siç janë bie fjala Sam Goodman apo David Lawrence të cilët ka kohë që merren me analiza dhe këshillime për qeveritë e ndryshme britanike në lidhje me politikën e jashtme.
Prandaj ky projekt, i publikuar javën e kaluar (me 21 tetor) duhet të merret shumë seriozisht, dhe ata që merren me gjeopolitikë (flasë për partitë politike tonat por edhe analistët tanë) duhet patjetër ta shkarkojnë dhe lexojnë”.
Kësisoj, Tali radhiti disa nga pikat kryesore që vë në pah raporti në fjalë, e që edhe njëherë u konfirmua se Serbia nuk largohet nga Rusia, pavarësisht përpjekjeve të BE-së.
“Sidoqoftë, për ata që se kanë lexuar t’i them disa fjalë se çka përmban.
Raporti i New Diplomacy Project në realitet e formalizon një shqetësim që prej kohësh (unë e shumë si unë e kemi ngre) se: “kjo Serbi”, edhe pse zyrtarisht kërkon integrim në UE, realisht është “pro Putiniste”, dhe kjo shihet ashiqare në lidhjet shumë të afërta që i ka me “këtë Rusi” në të gjitha fushat, qoftë në atë të sigurisë, ekonomisë, energjisë, kulturës propagandës apo politikës.
Sigurisht se këto lidhje janë për të ruajtur ndikimin rus në rajon — veçanërisht nëpërmjet tensioneve ndëretnike në Kosovë, Bosnja por edhe Mal të zi, e besa edhe në Kroaci duke patur parasysh mundësitë ekzistuese. Dhe këto bëhen me qëllim të nxitjes së destabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Sidomos nëpërmes propagandistes, ku media të lidhura me Rusinë si Informer, Kurir, Alo, Srpski Telegraf, Tanjug, Pink etj, të cilat janë dirket të lidhura me ato ruse si Sputnik Serbia apo Rusia Tiday, përhapin hexhemonizëm serb dhe rus si dhe narrativa anti-perëndimore në rajon”.
Krahas kësaj, ai theksoi një këshillë që ky raport ia bëri Kosovës në lidhje me integrimin ndërkombëtarë dhe forcimin e sigurisë.
Në këtë pikë, Tali nënvizoi se raporti masat e rekomanduara ndaj Serbisë i sheh si një mjet presioni për ta detyruar atë që të demokratizohet.
“Elaborati në fjalë rekomandon Perëndimin që t’ia kushtëzojë Serbisë ndihmat dhe procesin e integrimit në UE me ndarje nga Rusia dhe qëndrime të qarta pro-Perëndimore.
Ajo që ma tërhoqi mua vëmendjen ishte këshilla që “Kosova të fitojë mbështetje më të fortë në konsolidimin e shtetësisë, e sidomos në përforcimin e sigurisë dhe integrimin ndërkombëtar, sepse mundësitë janë reale për përsëritjen e Banjskës (2023) në një formë apo tjetër, nēse ky ambient vazhdon të mbizotërojë.
Gjithashtu, Raporti, këshillon për sanksione selektive ndaj individëve apo strukturave të Serbisë që financojnë ose nxisin destabilitet në Kosovë.
Për fund më duhet ta ceki se Raporti masat e rekomanduara ndaj Serbisë nuk i sheh si qëllim më vete, por si një mjet presioni për ta detyruar Serbinë që të demokratizohet duke zgjedhur midis integrimit në Perëndim apo vazhdimit të kultivimit të hexhemonisë së saj në rajon dhe mbështetjes së agjendës ruse”, përfundoi Dritan Tali.
Hoxha: Deklaratat dhe kërcënimet e vazhdueshme që vijnë nga Serbia janë të papranueshme
Kurse, ish-ushtaraku, Hafir Hoxha tha se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për paqe dhe siguri.
Ai në bashkëbisedimin me “Portali Realiteti” u shpreh se institucionet tona bashkëpunojnë ngushtë me partnerët strategjik, përfshirë NATO-n.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve pa dallim etnie.
Kosova është shtet sovran dhe demokratik, i ndërtuar mbi parimet e sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ne bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë strategjikë – SHBA, NATO, dhe Bashkimin Evropian – për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Hoxha tha se kërcënimet e vazhdueshme nga shteti serb janë të papranueshme dhe në kundërshtim me realitetin politik e juridik.
“Deklaratat dhe kërcënimet e vazhdueshme që vijnë nga Serbia, të cilat nxisin tensione dhe përpiqen të paraqesin institucionet legjitime të Republikës së Kosovës si struktura të paligjshme, janë të papranueshme dhe në kundërshtim me realitetin politik e juridik në terren. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë institucione kushtetuese dhe legjitime, të cilat veprojnë në kuadër të ligjeve të Republikës dhe në bashkërendim me misionin e KFOR-it.
Republika e Kosovës mbetet e vendosur për të kontribuar në ruajtjen e paqes, por gjithashtu është e përgatitur të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, nënvizoi ai.
Në fund, bëri thirrje që qytetarët të jenë të qetë, pasi institucionet tona dhe partnerët ndërkombëtarë sigurojnë paqen në Kosovë.
“I bëjmë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të bashkuar dhe të mos bien pre e dezinformatave apo propagandës që synon krijimin e pasigurisë.
Institucionet e vendit janë të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar stabilitetin dhe rendin publik në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, përmbylli Hafir Hoxha
