OPINIONTË FUNDIT

Albina Hyseni: Kosova pas përfundimit të pjesës së zgjedhjeve lokale dhe sfidat që vijnë për qeverinë e re

Kosova po kalon një periudhë politike delikate ndërsa shumica e zgjedhjeve lokale kanë përfunduar, disa komunave ende presin konfirmimin përfundimtar të rezultateve, pasi KQZ po shqyrton ankesa dhe konteste. Në nivel qendror vendi është përballë një udhëkryqi me vendim për formimin e qeverisë së re apo shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Sipas Kushtetutës, pas dështimit për formimin e qeverisë, Presidentja ka afat dhjetëditor për të ftuar partitë në konsultime dhe për të vendosur nëse do të mandatojë një kandidat të ri për kryeministër. Ky është momenti më i ndjeshëm institucional që përcakton nëse Kosova do të ecë përpara me një qeveri të re apo do të rikthehet në garë elektorale brenda disa muajsh. Nëse edhe pas këtyre konsultimeve qeveria nuk formohet, Presidentja është e detyruar të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga shpallja, duke dhënë kohën e duhur për organizimin praktik të zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.

Paratë që shpenzohen për çdo proces zgjedhor janë të qytetarëve dhe vonesat e rezultateve kombinuar me pasiguri politike bartin kosto financiare dhe sociale. Qeveria aktuale duhet të kuptojë se vazhdimësia e saj varet nga legjitimiteti i dalë nga zgjedhjet dhe nga gatishmëria për të menaxhuar boshllëqet e trashëguara nga periudhat e mëparshme qeverisëse. Në këtë mënyrë, vendi mund të shmangë përplasje dhe vonesa të mëtejshme dhe të ecë përpara drejt funksionimit normal të institucioneve.

Aktualisht opozita duket më e zëshme në deklarata ndërsa qeveria, megjithëse bart përgjegjësinë për vendin, është e kufizuar në lëvizje publike. Kjo krijon perceptimin se opozita dominon debatin ndërsa qeveria menaxhon institucionet pas skenave publike.

Disa periudha të gjata qeverisjeje nga subjektet më të fuqishme politike të vendit kanë treguar sfida të dukshme në menaxhimin ekonomik, transparencën e institucioneve dhe funksionimin e shërbimeve publike. Përvoja e këtyre periudhave ka lënë pasoja që ndihen edhe sot dhe ndikojnë në paqartësitë dhe tensionet politike aktuale.

Gjithçka kjo, nga vonesat e rezultateve lokale deri te dështimi i formimit të qeverisë qendrore, krijon një situatë të ndërlikuar në një vend kaq të vogël ku institucionet mund të vepronin më shpejt dhe më efikas. Në shumë vende evropiane me madhësi dhe burime të krahasueshme proceset zgjedhore dhe formimi i qeverive bëhen brenda afateve duke ruajtur stabilitetin dhe besimin qytetar. Situata aktuale tregon se nuk mungojnë vetëm sfidat teknike por edhe mungesa e koordinimit politik, respekti për ligjin dhe prioriteti i interesit publik mbi interesat partiake. Vetëm duke e kuptuar këtë Kosova mund të ecë drejt qeverisjeje funksionale dhe një shoqërie të qëndrueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *