OPINIONTË FUNDIT

Shoqata Historike Ruse/ Eksperti i sigurisë zbulon planin që kërcënon paqen në Ballkan – keshtu funksionon!

Shala: Ai përfaqëson një mekanizëm të ri të ndikimit rus në rajon, që vepron përmes narrativës historike, identitetit kombëtar dhe përgatitjes ideologjike të opinionit publik serb

Në Serbi u themelua Shoqata Historike Ruse.

Kryetari i kësaj shoqate Aleksander Vulin tha se heqja dorë nga Rusia është gjithashtu heqje dorë nga Serbia, dhe se çdo gjeneratë e popullit serb “ka pritur që mbijetesa e saj fizike të varet nga Rusia”.

Mes tjerash theksoi se Shoqata Historike Ruse në Serbi e ka si detyrë të parë luftën kundër çdo rishikimi të historisë dhe ruajtjen e “vërtetësisë historike për popullin serb dhe atë rus”.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se krijimi i “Shoqatës Historike Ruse” në Serbi nuk është hap kulturor, por mekanizëm i ndikimit rus.

Ai paralajmëron se retorika e Vulinit rrit varësinë strategjike të Serbisë nga Moska dhe krijon bazë për ndërhyrje ideologjike, politike dhe operative në rajon, duke koordinuar rrjete pro-ruse dhe duke ndikuar në hapësirat akademike dhe politike të Serbisë.

“Krijimi i të ashtuquajturës “Shoqatë Historike Ruse” në Serbi nuk është një hap i pafajshëm kulturor apo akademik — përkundrazi, ai përfaqëson një mekanizëm të ri të ndikimit rus në rajon, që vepron përmes narrativës historike, identitetit kombëtar dhe përgatitjes ideologjike të opinionit publik serb.

Deklarata e Aleksandar Vulin-it, ku lidh drejtpërdrejt mbijetesën e popullit serb me Rusinë, është shenjë e qartë e rritjes së varësisë politike dhe strategjike të Beogradit nga Moska, dhe e një përpjekjeje për ta vendosur Serbinë si pikë referimi të botës sllavo-ortodokse në Ballkan.

Kjo retorikë është e rrezikshme, sepse krijon bazë justifikuese për ndërhyrje ideologjike, politike dhe ndoshta edhe operative në rajon, nën petkun e “mbrojtjes së historisë” apo “botës serbe”.

Në thelb, kjo nismë është një strukturë para-inteligjente, që maskohet si organizatë kulturore, por që realisht shërben për:

– të koordinuar aktivitetet e ndikimit rus në Ballkan;

– të formuar rrjete ideologjike dhe mediatike pro-Moskë;

– të kanalizuar informacione dhe ndikime në hapësirat akademike e politike të Serbisë”, shpjegon Shala.

Derisa në aspketin rajonal, eksperti paralajmëron se krijimi i Shoqatës Historike Ruse në Serbi është pjesë e ndikimit rus në Ballkan, duke destabilizuar raportet me Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai thotë se për Kosovën, kjo paraqet rrezik të presionit politik, mediatik dhe operativ, duke kërkuar forcim të inteligjencës, diplomacisë dhe komunikimit ndërkombëtar.

“Në aspektin rajonal, ky zhvillim është drejtpërdrejt destabilizues. Sa herë që Serbia afrohet më shumë me Rusinë, përkeqësohen raportet e saj me Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Beogradi nën ndikimin rus do të jetë më pak i prirur për dialog dhe më i orientuar drejt strategjive konfrontuese, hibride dhe propagandistike.

Për Kosovën, kjo paraqet një rrezik real të përshkallëzimit të presionit politik, mediatik dhe ndoshta operativ nga strukturat pro-serbe të mbështetura nga Moska. Kosova është ende në proces të ndërtimit të kapaciteteve të saj kundër-influencuese — prandaj duhet të fuqizojë sistemin e saj të inteligjencës, diplomacinë strategjike dhe komunikimin ndërkombëtar, për të ekspozuar çdo formë të këtij ndikimi.

Pra në përfundim, krijimi i Shoqatës Historike Ruse në Serbi nuk është një veprim i izoluar, por pjesë e një projekti më të gjerë të ndikimit rus në Ballkan, me synim për ta mbajtur rajonin nën tension dhe për ta përdorur si front politik ndaj Perëndimit.

Kjo është arsyeja pse veprimi duhet kritikuar hapur dhe trajtuar si element i sigurisë kombëtare, jo si një aktivitet “kulturor” i padëmshëm”, përmbyll ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *