Kënaqësia cinike për bllokimin e formimit të qeverisë!
U deshën gati dhjetë muaj që partitë e ish-opozitës nën këshillat e Edi Ramës t’i thoshin Albin Kurtit se “Ti Albin nuk bëhesh dot kryeministër, sepse nuk i ke numrat”! Sot ndodhi ajo që pritej. Shumica parlamentare, përfshirë dhe Listën Srpska, vendosën që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja. Ky ishte në fakt që nga fillimi projekti i Aleksandër Vuçiq dhe i Edi Ramës. Ta bllokonin e ta largojnë Albin Kurtin nga drejtimi i qeverisë së Kosovës. Fatkeqësisht qytetarët e Kosovës nuk e kanë kuptuar këtë intrigë. Prandaj votuan që Albin Kurtit t’i nevojitej një partner në qeverisje. Pa menduar se të gjithë partnerët e mundshëm ishin pjesë e qeverisjeve të dëshmuara si “Pronto”! Por unë besoj se të gjithë këta kanë gabuar në llogaritë e tyre. Zgjedhjet e ardhshme do të prodhojnë një rezultat të qartë fitues!
Dje Albin Kurti paraqiti kërkesën në Kuvend për ta krijuar Qeverinë nr. 3 të tij. Mori vetëm 56 vota, nga 61 që duheshin për krijimin e qeverisë. Pesë vota më pak. Po kaq ishin edhe abstenimet dhe votat kundër. Tetë deputetë nuk votuan. Një plan perfekt i skenarizuar me regjisurë të Beogradit. Kosova që ka votuar kryeministër me 13 deputetë, nuk votoi kësaj radhe një kryeministër me 48 vende në parlament. Po pse ndodhi kjo? Përgjigjen qytetarët e marrin nga deklarimet e krerëve politikë të partive ish-opozitare shqiptare. Ndodhi, sepse Kurti nuk deshi që qeverinë ta krijonte me ndihmën e Beogradit, Edi Ramës dhe Listës Srpska, siç ka ndodhur më parë.
Kreu u Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, deklaroi: “Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar edhe me izolimin, edhe me përçarje, edhe me humbje kohe. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më”. Madje ai tha se secila qeverisje e re pa Kurtin do të jetë e mirë për Kosovën. Kush ka kujtesë të shëndoshë ose normale, e di nëse Kosova me partinë e Memlit do të ketë ose jo një qeverisje më të mirë sesa ajo e Kurtit. Nëse krahasojmë qeverisjet e PDK-së dhe koalicioneve të saj të varësisë me qeverisjen e zotit Kurti, gjithkush bëhet dëshmitar se peshorja anon nga ky i fundit. Por ky është një debat që shfrytëzohet për politikë e jo për të menduarit logjik e racional.
Ndërsa Lumir Abdixhiku e shprehu cinizmin e tij në formë pak më të hapur. Ai deklaroi sot se “Na keni thënë ‘numrat i kemi’, urdhëroni mateni veten me numra”! Dukej sikur kreu i Lidhjes Demokratike po dëshmonte militamntizmin e tij pro dëshirave dhe ambicieve të Edi Ramës për ta parë Albin Kurtin jashtë qeverisë dhe jashtë politikës. Në thelb të dy këta liderët e dy partive më të mëdha thonë se “Albin Kurti është një dështak”! E kosniderojnë veten “fitues”, pavarësisht faktit se të dy këta bashkë nuk arrijnë numrin e deputetëve që ka Albin Kurti.
Megjithatë Memli dhe Lumiri duhet ta marrin një këshillë. Nëse në zgjedhjet e ardhshme Kurti nuk fiton, ndërkohë që ju të dy i bëni numrat, pra, nëse Vetëvendosje del në opozitë, ju të dy bashkë, madje edhe nëse ju vjen në ndihmë Tirana zyrtare dhe Beogradi fashist, nuk përballeni dot me opozitën e Albinit. Nëse Kurti i qëndron zotimeve që ka marrë për ta mbrojt Kosovën dhe shtetësinë e saj me çdo kusht e me çdo mjet, ju të gjithë bashkë nuk do të arrini që ta zhveshni Hashim Thaçin nga akuza për tradhti për shkak të përpjekjeve të tij për ndarjen e Kosovës. Është e kotë, me Albin Kurtin në opozitë ose në pushtet, nuk do të arrini të realizoni projektin e Serbisë e të kryeministrit të Shqipërisë për ndarjen e Kosovës, qoftë drejtpërdrejt, qoftë me artifice siç është projekti i Zajednicës!
Për në fund dy fjalë për Fatmir Limajan: – Tha se “Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik dhe ai duhet të japë dorëheqje sepse është dëm i madh për Kosovën”. Nëse Fatimiri i milionave edhe në duart e djalit të tij pretendon për poste publike, nuk ka asnjë arsye që Dimal Basha të japë dorëheqje. Kjo është e gjitha! U ngritën këmbët dhe i ranë kokës. Kjo është ajo që ndodhi në parlamentin e Kosovës.
