Standarde të dyfishta në LDK, koalicioni i Vushtrrisë nxjerr kontradiktat e Abdixhikut
Një koalicion paszgjedhor i arritur në Vushtrri mes kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe atij të Vetëvendosjes nuk ishte mirëpritur nga kjo e fundit.
Raportohet se marrëveshja u bë pa dijen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të degës së partisë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se koalicioni për Vushtrrinë është arritur pa lejen e partisë.
Megjithatë, kjo situatë duket se nuk është krejt e vërtetë. Kandidati i LDK-së, Xhafer Tahiri, ka publikuar mesazhet e tij me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke treguar se ky i fundit ishte në dijeni të marrëveshjes.
Tahiri tha se ka arritur marrëveshje për balotazh me Lëvizjen Vetëvendosje me dijen e Abdixhikut, megjithëse kryetari i partisë e ka cilësuar marrëveshjen si të pavlefshme.
Ai ka pyetur nëse mund të flisja për një qytet tjetër, konkretisht Suharekën, dhe i kam thënë se nuk jam i sigurt, por do ta njoftoja. Në këtë moment takova Kurtin në orën 19:00 të së shtunës. Jo për Vushtrrinë, sepse aty jam marrë vesh me degën. I kam thënë Kurtit se jam LDK dhe nuk jam kurrë VV, por kam interes të kthej një të mirë VV për kushtet e ardhshme. Kam kërkuar zotimin e tij personal që këto katër marrëveshje të realizohen. Më pas i kam thënë për kërkesën për ndihmë në Suharekë dhe ai më ka thënë se parimisht ka një vendim që nuk i bëjmë këmbim për këmbim, dhe se do ta diskutojë me degën për këtë takim. E kam lajmëruar Abdixhikun dhe Ardian Shalën në telefon, kjo është marrëveshja dhe vazhdoni diskutimet me degën atje”, ka thënë Tahiri për mediat vendore.
Salihaj: Tahiri u bë viktimë e interesave individuale në LDK
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se në politikë nuk ka moral, dhe kjo është veçanërisht e dukshme në Kosovë, por edhe në shtetet përreth.
Sipas tij, vetëm LDK-ja gjatë kohës së Presidentit Rugova kishte moral dhe dashuri për vendin.
“Është një thënie që thotë se në politikë nuk ka moral. Kjo më së miri është parë në Kosovë, por as shtetet përreth nuk qëndrojnë më mirë, bile ndoshta edhe shumë më keq. Mendoj se mungesa e moralit në politikë nuk i bën aspak mirë shoqërisë sonë. Kjo është parë gjatë gjithë periudhës së pasluftës. E vetmja parti që kishte moral dhe dashuri për vendin dhe popullin ishte LDK-ja sa ishte gjallë Presidenti Rugova.
Tash jemi në një situatë që të gjitha partitë kanë nevojë për koalicione lokale, por bëjnë përpjekje që kjo mos të merret vesh, të bëhet në mënyrë diskrete, sepse deklarimet publike janë të kundërta”, është shprehur ai.
Tutje, Salihaj ka thënë se Tahiri kishte miratimin për koalicion me VV-në në Vushtrri dhe kishte dëshirë ta zgjaste edhe në Suharekë, që ishte aprovuar nga Abdixhiku.
Megjithatë, ai ka zbuluar se anëtarët e Kryesisë nga Peja kundërshtuan.
“Ishte e qartë që Xhafer Tahiri fillimisht kishte aprovimin për koalicion me VV-në në Vushtrri, madje me dëshirë që i njëjti koalicion të lidhej edhe në Suharekë. Sipas asaj që u pa, Lumir Abdixhiku i kishte aprovuar të dy këto koalicione. Kundër dolën anëtarët e Kryesisë nga Peja, për arsyet që unë nuk po i kuptoj, sepse këto dy koalicione nuk do të mund të kishin ndikim në Pejë.
Sido që të jetë, mendoj se Xhafer Tahiri në këtë rast ishte viktimë e kalkulimeve të interesave individuale, jo interesit të LDK-së.
Interesi i LDK-së është të fitojë në Suharekë dhe të përfitojë në Vushtrri, të tjerat nuk janë interesa të LDK-së”, ka deklaruar Salihaj.
Kontradiktat e Abdixhikut, Mehmeti: LDK-ja po duket paqartë dhe paqëndrueshme
Në anën tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti ka thënë se rasti i Tahirit tregon kontradiktë në qëndrimet e Abdixhikut ndaj VV-së, duke përdorur standarde të dyfishta.
ImageFaton MehmetiFoto galeri
“Rasti i fundit me mesazhet e publikuara nga Xhafer Tahiri nxjerr në pah një kontradiktë të thellë në qasjen e Lumir Abdixhikut ndaj Vetëvendosjes. Nga njëra anë, ai publikisht mban një qëndrim të ashpër duke deklaruar se LDK-ja nuk do të bashkëpunojë me VV-në, ndërsa nga ana tjetër, faktet tregojnë se ka pasur komunikime për favore në nivel lokal. Kjo tregon se Abdixhiku po përdor standarde të dyfishta një gjuhë për opinionin publik dhe një tjetër për pazaret politike prapa skenës”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Mehmeti ka theksuar se sjellja e Abdixhikut dëmton besueshmërinë e tij si kryetar dhe e bën LDK-në të duket e paqëndrueshme.
“Një sjellje e tillë jo vetëm që dëmton besueshmërinë e tij si kryetar partie, por e bën LDK-në të duket e paqëndrueshme dhe e paqartë në raport me partnerët politikë. Në vend të qëndrimeve parimore, po mbizotëron logjika e interesave të ngushta, që në fund dëmton vetë LDK-në dhe e largon nga baza e saj tradicionale”, ka përfunduar Mehmeti.
