OPINIONTË FUNDIT

Mediat ndërkombërtare: Kosova drejt zgjedhjeve

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar gjerësisht për dështimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të siguruar mbështetjen parlamentare për formimin e qeverisë së re. Sipas tyre, vendi po përballet me një tjetër krizë politike, e cila mund ta çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Agjencia e lajmeve Reuters ka shkruar se Parlamenti i Kosovës nuk arriti të zgjedhë Albin Kurtin si kryeministër, duke rritur gjasat që të thirren zgjedhje të parakohshme për të zgjidhur ngërçin politik.

Sipas kësaj agjencie, Kurti, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktualisht kryeministër në detyrë, mori vetëm 56 vota në Kuvendin me 120 ulëse, pesë më pak se shumica e nevojshme për të formuar qeverinë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votuan kundër kandidaturës së tij.

Reuters shton se ende mbetet e paqartë nëse presidentja e vendit do t’i kërkojë partisë së dytë apo të tretë të formojë qeverinë, megjithëse të dyja ato kanë deklaruar se mendojnë se duhet të mbahen zgjedhje të reja.

PDK, LDK, AAK kanë refuzuar të qeverisin me Kurtin, duke kritikuar mënyrën se si ai ka trajtuar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët perëndimorë dhe veprimet e tij në veriun e vendit, ku jeton një pakicë serbe.

Bloomberg ka raportuar për situatën e tensionuar politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme pasi kryeministri në detyrë nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e kabinetit të ri.

Sipas këtij mediumi, deputetët u mblodhën në orët e fundit të afatit kushtetues për krijimin e qeverisë, por Kurti nuk mori miratimin e Kuvendit për përbërjen ministrore.

Bloomberg shkruan se Kurti u kishte bërë thirrje deputetëve të votojnë “në interes të shtetit dhe qytetarëve”, duke paralajmëruar se mungesa e një qeverie funksionale mund të çojë në bllokim buxhetor dhe në vonesa të pagave publike, pensioneve, ndihmave për fëmijë dhe furnizimeve mjekësore.

Ndërkohë, mediumi turk, TRT World raportoi se Kurti nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme parlamentare për formimin e qeverisë, duke thelluar krizën politike disa mujore të vendit.

Sipas TRT-së, partia e Kurtit, Vetëvendosje, siguroi vetëm 56 vota, më pak se 61 të nevojshmet për krijimin e qeverisë, duke e lënë vendin pa një administratë funksionale pothuajse nëntë muaj pas zgjedhjeve.

Presidentja tash duhet të shpallë një kandidat tjetër për kryeministër për një votim të dytë në parlament. Ende nuk dihet nëse Kurti mund të merret sërish në konsideratë, apo nëse do të propozohet një kandidat nga opozita.

Por nëse as në votimin e dytë nuk arrihet shumica e nevojshme, vendi më i ri i Evropës mund të detyrohet të mbajë zgjedhje të reja parlamentare.

TRT World kujton gjithashtu se partia e Kurtit fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e shkurtit, por nuk siguroi mjaftueshëm ulëse për të qeverisur e vetme, gjë që çoi në përplasje të ashpra dhe vonesa në votimet kyçe në një parlament të përçarë.

Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, një nga partitë kryesore opozitare, e fajësoi drejtpërdrejt Kurtin për bllokimin politik që ka përfshirë vendin.
“Duket se po shkojmë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme,” deklaroi Abdixhiku.

Partitë opozitare kanë refuzuar të qeverisin me Kurtin, duke kritikuar qasjen e tij ndaj marrëdhënieve me aleatët perëndimorë dhe veprimet e tij në veriun etnikisht të ndarë të vendit, ku jeton një pakicë serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *