Kadri Kryeziu sulmon Lumir Abdixhikun: LDK-ja po shndërrohet në parti rajonale
Juristi Kadri Kryeziu ka reaguar ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e krahasuar atë me një “Tito të vogël” që sipas tij rrezikon të shndërrojë partinë në një subjekt rajonal.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Kryeziu thekson se dallimi mes tij dhe Abdixhikut qëndron tek qëllimet: ai dhe të tjerët e krahut “majtist” të LDK-së nuk kishin dallime kombëtare me Presidentin Rugova, ndërsa, sipas tij, agjenda ku u formua Abdixhiku shthur traditën kombëtare dhe favorizon interesat kozmopolite dhe rajonale.
Postimi i plotë:
Njëherë e një kohë, opozitë e Presidentit Rugova ishim të dy — unë dhe Lumir Abdixhiku.
Unë, si pjesë e krahut të luftës që LDK-ja aso kohe na quante “majtistë”; dhe Lumiri, si pjesë e SOROS-it — asaj agjende të mbrapshtë që punonte ditë e natë për ta rrënuar traditën kombëtare të LDK-së.
Por dallimi mes nesh është thelbësor.
Ne, krahu “majtist”, nuk kishim dallime kombëtare me Presidentin Rugova — kishim dallime vetëm në metodologji. Ndërkaq agjenda ku u formua Lumiri kishte një qëllim tjetër: të shthurte trungun kombëtar dhe ta zëvendësonte me harrna kozmopolite që vjellin vrer ndaj Tiranës dhe flasin me admirim për Beogradin.
Ne, rivalët e dikurshëm të Rugovës, nuk kemi hezituar asnjëherë ta nderojmë figurën e tij. Ndërsa harrnat e SOROS-it ia përmendin emrin vetëm sa për të larë gojën.
Dhe kështu, siç po shkon puna, nëse Lumiri vazhdon të rrijë aty ku është — një Tito i vogël që djeg gjithçka për karrige dhe për egon e vet — LDK-ja do të kthehet në një parti rajonale.
