Haxhiu: Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, s’mund të na shantazhojnë me numra
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas seancës së jashtëzakonshme të 26 tetorit 2025, ku kabineti i ri i propozuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk mori votat e mjaftueshme për t’u formuar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu tha se kjo ditë i kujtoi 25 marsin e vitit 2020, kur, siç u shpreh ajo, “të njëjtët po e rrëzonin Kurtin 1, ndërsa sot pamundësuan Kurtin 3”.
“Fytyra të para, qeshje të njohura. Dita e sotme, 26 tetor 2025, ma kujtoi 25 marsin 2020. Atëherë të gjithë këta bashkë po na rrëzonin, sot nuk mundësuan ngritjen e Qeverisë së re. Asokohe rrëzonin Kurtin 1, sot pamundësuan Kurtin 3”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo e quajti “Klubin e Stërvjetëruar Politik” grupin e partive që, sipas saj, e pamundësuan votimin e Qeverisë, duke shtuar se pranë tyre qëndroi edhe Lista Serbe.
“Natyrisht, kjo është shumë e përkohshme. Shpesh, të njëjtit kanë menduar se e kanë mposhtur përfundimisht VV-në e Albin Kurtin, por dihet ku jemi ne e ku janë ata. Do të kthehemi sërish, me popullin në krah dhe me parimet e pathyeshme”, ka theksuar ajo.
Sipas Haxhiut, “ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të shantazhojnë me numra”, duke shtuar se Republika “nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim”.
“Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm”, përfundoi Haxhiu.
Reagimi i Plotë:
Fytyra të para, qeshje të njohura. Dita e sotme, 26 tetor 2025, ma kujtoi 25 marsin 2020. Atëherë të gjithë këta bashkë po na rrëzonin, sot nuk mundësuan ngritjen e Qeverisë së re. Asokohe rrëzonin Kurtin 1, sot pamundësuan Kurtin 3.
Në Kuvend, Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi votimin e njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës. Lista Serbe, si gjithnjë, pranë tyre.
Natyrisht, kjo është shumë e përkohshme. Shpesh, të njëjtit kanë menduar se e kanë mposhtur përfundimisht VV-në e Albin Kurtin, por dihet ku jemi ne e ku janë ata. Do të kthehemi sërish, me popullin në krah dhe me parimet e pathyeshme. Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të na shantazhojnë me numra. Më nuk ka terminale, ambasada apo tenderë në emër të votës. As populli i Kosovës, e as ne, nuk ua kemi borxh karrigen. Dhe për këtë, VV-në e Albin Kurtin nuk do ta thyeni asnjëherë.
Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Republika nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm.
