Ëndrrat e Vuçiqit për BE-në përplasen me realitetin e Kosovës së pavarur
Në një periudhë të trazuar për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe proceset integruese në Ballkanin Perëndimor, deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq kanë ngjallur reagime dhe shqetësime të reja lidhur me perspektivën evropiane të Serbisë dhe stabilitetin rajonal.
Vuçiq deklaroi se Serbia mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030, por theksoi se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Unë besoj se ekzistojnë shanse të tilla. Por ekziston një çështje tjetër, çështja e Kosovës. Unë nuk mund dhe nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Vuçiç në një intervistë për media.
Sipas tij, Serbia mbetet e rrezikuar politikisht nga situata gjeopolitike dhe se rreziku më i madh do të vinte nga një “luftë e vërtetë” midis Evropës dhe Rusisë.
Deklarata e Vuçiçit, “nuk do ta pranoj kurrë pavarësinë e Kosovës”, nuk është thjesht një qëndrim politik, por një sinjal shqetësues që mund të interpretohet si kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, duke vënë në pikëpyetje gjithë përpjekjet për paqe dhe integrim evropian në Ballkan.
Mirëpo, se a do të lejoj BE ja të ketë në gjirin e vet anëtarë që kanë probleme të hapura, siç është Serbia, e cila madje ka qëndrim armiqësor ndaj Kosovës, folën njohësit e çështjeve politike.
Koci: Vuçiq mund të sheh ëndrra zgjuar dhe ato janë pa pagesë, por realiteti është tjetër
Fillimisht, për këtë çështje për “Bota sot” foli Melazim Koci, i cili u shpreh se kjo deklaratë e Vuçiqit është vetëm për konsum të brendshëm.
Sipas tij, pretendimi i presidentit serb nuk ka gjasë të realizohet, këtë e pa më shumë si një ëndërr të tij, se sa një gjë që qëndron në realitet.
Në këtë pikë, përmendi sanksionet me të cilat përballet Serbia nga SHBA, derisa beson se shumë shpejt edhe BE do marrë masa ndëshkuese ndaj saj.
“Pohimi i presidentit serb Aleksandër Vuciq se Serbia do të anëtarësohet në BE para vitit 2030 edhe pa njohur pavarësinë e Kosovës është bërë për konsum të brendshëm dhe nuk ka asnjë gjasë të jetësohet. Vuçiq mund të sheh ëndrra zgjuar dhe ato janë pa pagesë, por realiteti është tjetër. Nëse deri tash në Perëndim është toleruar politika serbe e “dy karrikave”, asaj tani është duke i skaduar afati. Serbia tashmë ballafaqohet me sanksione të SHBA-së ndaj industrisë së naftës, për shkak të faktit që kompania NIS është në shumicë në pronësi të kompanive ruse. Besoj shumë se sanksionet do të zgjerohen edhe në sfera tjera për shkak të raporteve të afërta të Serbisë me Kinën dhe do të inicohen nga SHBA, që Pekinin e kanë shpallur rivalin kryesor në rang global.
Rrugën e sanksioneve ndaj Serbisë herët a vonë nën presionin e SHBA-së do ta ndjekin edhe vendet e BE-së”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Koci theksoi se Serbia as nuk është afër anëtarësimit në BE, pasi ende mban raporte me Pekinin e Moskën.
ImageMelazim KociFoto galeri
Kurse, për njohjen e Kosovës, tha se shteti ynë nuk ka nevojë për njohje të Serbisë, por për anëtarësim në NATO.
“Rrjedhimisht, jo vetëm që anëtarësimi i Serbisë në BE nuk është në horizont, por Beogradi shumë shpejtë do të duhet të deklarohet nëse është përcaktuar për Perendimin apo për boshtin Moskë – Pekin.
Pasi që është gati e sigurtë që Beogradi do t’i bashkohet Lindjes, Serbinë në periudhën e ardhshme e pret izolimi nga Perëndimi.
Sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ka ardhur koha që kjo çështje të demistifikohet. Për Kosovën nuk është vendimtare njohja nga Serbia, por anëtarësimi në NATO. Kjo garanton kufinjët e tashëm të Kosovës dhe jo njohja nga Serbia. Këtë e dëshmon rasti i Ukrainës: Kievi ishte i njohur nga Rusia, kishte ulëse në Kombet e Bashkuara, por nuk ishte anëtare e NATO-s dhe përjetoi agresionin nga Rusia”.
Ndër të tjera, ai shtoi se Kosova duhet ta ketë prioritet anëtarësimin në NATO, pasi kjo do i hapet rrugët për zgjidhjen e shumë problemeve dhe çështjeve të caktuara.
“Rrjedhimisht, prioritet i Kosovës duhet të jetë anëtarësimi në NATO dhe jo njohja nga Serbia. Në çastin që Serbia do ta sheh që Kosova është bërë anëtare e NATO-s, do ta kuptoj që Kosova nuk varet nga njohja e saj dhe vetëm atëherë Beogradi do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk bëhet përmes dialogut me Serbinë. Ai tashmë ka dështuar. Kosova do të anëtarësohet në NATO përmes bashkëpunimit të ngusht me Brukselin dhe veçanërisht Uashingtonin. Në këtë ekuacion nuk ka vend për Serbinë”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.
Burjani: Kërcënimi nga Serbia mbetet i gjallë gjatë gjithë kohës
Kurse, njohësi tjetër, Blerim Burjani u shpreh se BE e di mjaft mirë qasjen e Serbisë dhe kërcënimi që kjo e fundit ia bën në vazhdimësi Kosovës.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“Kjo është e ditur për Bashkimin Evropian — ata e dinë mirë se Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga Kosova. Serbët mund ta njohin shtetin e Kosovës vetëm nëse u imponohet kjo me sanksione ose me presion të fortë ndërkombëtar. Kërcënimi nga Serbia ka qenë i hapur dhe publik për 26 vjet, dhe kjo është e njohur për gjithë komunitetin ndërkombëtar”.
Po ashtu, Burjani në bashkëbisedimin e tij me “bota sot” theksoi faktin se është e kot të bëhen nga ndërkombëtarët favore për Serbinë, pa e pranuar realitetin kjo e fundit.
“Përpjekjet e BE-së dhe të SHBA-së përmes dialogut, që tashmë zgjat më shumë se 12 vjet, janë bërë të pakuptimta. Është e kotë t’i bëhen favore Serbisë apo t’i lutet ajo për bashkëpunim. Kjo është humbje kohe dhe shpenzim i panevojshëm, një investim i kotë në një shtet që një ditë, pavarësisht gjithçkaje, do të detyrohet ta njohë realitetin e ri”, nënvizoi analisti.
Në fund, ai shtoi se shteti serb nuk ka interes për anëtarësim në BE, asaj i interesojnë vetëm përfitimet financiare, derisa kërcënimet ndaj Kosovës janë ende të vazhdueshme.
“Kërcënimi nga Serbia mbetet i gjallë gjatë gjithë kohës. Perëndimi, në mënyrën si po vepron tani, nuk mund ta detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën — jo pa sanksione konkrete nga BE-ja. Serbia nuk ka interes real për anëtarësim në Bashkimin Evropian; asaj i interesojnë vetëm donacionet, kreditë dhe përfitimet financiare, por jo vlerat apo detyrimet që burojnë nga integrimi evropian”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.
