POLITIKATË FUNDIT

10 ditë afat, Gazmend Halilaj tregon mënyrën e vetme për votimin e Qeverisë Kurti 3: Ka hapësirë për dialog me…

Avokati dhe njëherit anëtari i listës Guxo, Gazmend Halilaj, e ka quajtur dështimin për formimin e Qeverisë Kurti 3 “moment të ndjeshëm për skenën politike”, por ka theksuar se ende ka hapësirë për dialog që do të shmangte zgjedhjet e parakohshme.

Ai ka kërkuar që interesat e qytetarëve të vendosen mbi ato partiake, duke theksuar përkushtimin e Listës Guxo për ta mbështetur Vetëvendosjen dhe përpjekjet për stabilitet e zhvillim.

Halilaj ka kritikuar opozitën për mungesë bashkëpunimi dhe ka bërë thirrje për reflektim e përgjegjësi politike.

“Dështimi për formimin e Qeverisë Kurti 3 pa dyshim paraqet një moment të ndjeshëm për skenën politike në Kosovë. Megjithatë, unë besoj se ende ekziston hapësirë për dialog dhe marrëveshje politike që do të shmangte zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të ngarkonin edhe më shumë proceset institucionale dhe ekonomike të vendit.

Është thelbësore që subjektet politike ta vendosin interesin e qytetarëve mbi kalkulimet e ngushta partiake. Lëvizja Vetëvendosje ka dëshmuar se zotëron një vizion të qartë për shtetin, reformën dhe drejtësinë sociale. Prandaj, qëndrimi ynë mbetet i palëkundur në përkrahje të saj dhe të përpjekjeve për stabilitet, zhvillim dhe sovranitet të plotë të Republikës së Kosovës.

Sa i përket qëndrimit të partive tjera opozitare, fatkeqësisht vërehet më shumë tendencë për konfrontim sesa për bashkëpunim institucional. Ky moment duhet të shërbejë si thirrje për reflektim dhe përgjegjësi, në mënyrë që vendi të mos rikthehet në cikle të pafundme zgjedhore, por të ecë përpara me një qeveri funksionale dhe vizionare”, deklaron ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *