Zgjedhje te reja! / Opozita akuzohet për bllokadë politike dhe lojëra të fshehta
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, mund të mos arrijë të formojë Qeverinë e re.
Në një deklaratë për media, Kurti tha se situata politike po shkon drejt një impasi institucional.
“Siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë,” u shpreh ai, duke nënkuptuar se bisedimet për krijimin e shumicës parlamentare nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, theksoi Kurti të martën.
Hajdaj: Partitë opozitare janë ato që po e bllokojnë formimin e qeverisë
Anëtari i kryesisë së Guxo, Kujtim Hajdaj, ka akuzuar opozitën se ka penguar me qëllim konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë Kurti 3, pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas tij, vonesat u shkaktuan nga kontestimet e opozitës në Gjykatën Kushtetuese dhe nga bllokimi i zgjedhjes së nënkryetarit të pestë të Kuvendit nga komuniteti serb.
“Opozita kërkonte ta vononte formimin e qeverisë përpara zgjedhjeve lokale, me shpresën se do t’i fitonte ato dhe do ta izolonte Kurtin. Por ndodhi e kundërta – LV-GUXO-ALT arritën rezultate shumë të mira në nivel lokal,” deklaroi Hajdaj.
“Po siç e dini, koalicioni qeverisës LVV-GUXO-ALT, doli fitues nga zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe prej atëherë asnjëherë s’ka munguar vullneti dhe as përpjekjet e vazhdueshme të kryeministrit Albin Kurti, së pari për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe në vijim edhe të formimit të qeverisë Kurti 3.
Tanimë, opinioni ynë publik e ka shumë të qartë se vonesa që iu bë konstituimit të kuvendit, kjo u bë për fajin e opozitarëve të cilët vazhdimisht kërkonin arsyetime të paqena pranë Gjykatës Kushtetuese, për të vonuar procesin e formimit të qeverisë Kurti 3. Bile këta të opozitës në fillim i kontestonin edhe mandatet e tyre si deputet. Qesharake. Pastaj, ju e keni parë edhe vonesën që e shkaktoi opozita me votimin e nënkryetarit të pestë nga radhët e minoritetit serb.
Sigurisht, partitë opozitare nuk donin në asnjë mënyrë me mundësu parakohshëm konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të qeverisë, përpara organizimit të zgjedhjeve komunale duke pritur se do t’i fitonin ato bindshëm, me qëllim për të izoluar edhe ma shumë Albin Kurtin për formimin e qeverisë. Por doli të jetë e kundërta, sepse LV-GUXO-ALT jo vetëm që nuk dolën humbës në zgjedhjet lokale, por përkundrazi, arritën një rezultat shumë të kënaqshëm dhe një shtrirje elektorale lokale që se kishte patë më parë në Kosovë”, thotë Hajdaj.
ImageAnëtari i kryesisë së Guxo, Kujtim HajdajFoto galeri
Sa i përket formimit të Qeverisë, ai ka thënë se formimi i Qeverisë Kurti 3 po pengohet nga partitë opozitare, megjithëse LDK dhe NISMA kanë pasur oferta serioze për bashkëqeverisje me koalicionin LV-GUXO-ALT.
Sipas tij, PDK po pret një “momentum të ri” politik, të lidhur me mundësinë e lirimit të ish-presidentit Hashim Thaçi, për të hyrë në zgjedhje të parakohshme.
“Edhe LDK po synon një rikthim triumfues në rast të zgjedhjeve të reja,” tha Hajdaj, duke shtuar se nëse shkohet në zgjedhje, LVV-GUXO-ALT do të hyjë më e fortë, falë mbështetjes së gjerë elektorale dhe perceptimit publik se opozita është përgjegjëse për bllokadën politike.
“Tash, sa i përket formimit të qeverisë, ju e dëgjuat së fundi edhe prononcimin e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, se negociatat me partitë opozitare janë të vështira, ani pse LDK dhe NISMA, kanë patur oferta serioze për bashkqeverisje me LV-GUXO-ALT. Bile, atë të NISMA e bëri publike duke thënë që i kishte ofruar postin e nënkryetarit të kuvendit, një ministri dhe dy zëvendësministra. Pra, siç po e kuptoni, partitë opozitare janë ato që po e bllokojnë formimin e qeverisë.
Sipas mendimit tim, këtu është në pyetje edhe një lojë tjetër e maskuar e opozitës, e sidomos nga ana e PDK-es, që sipas disa burimeve po pret një momentum të ri të hyrjes në zgjedhjet e parakohshme të jashtëzakonshme, duke shpresuar në “lirimin” e Hashim Thaçit nga Haga, për të krijuar kështu – sipas tyre – një klimë zgjedhore më të përshtatshme dhe të favorshme për ta. Tanimë edhe LDK po e reklamon një “kthim” të saj “triumfues” në rast të shkaktimit të zgjedhjeve të parakohshme. Sigurisht, LV-GUXO-ALT dhe kryeministri Kurti, që e tha edhe vet, se nëse s’mbetet opsion tjetër, atëherë shkojmë në zgjedhje të parakohshme.
Në një rast të tillë, pyetja që shtrohet, është se: LVV-GUXO-ALT a do të shkojnë me të dobësuar në zgjedhjet e parakohshme? Jo, aspak. E mendoj të kundërtën, duke u mbështetur në rezultatin zgjedhor të suksesshëm që u arritë në zgjedhjet lokale të12 tetorit, duke u mbështetur në fuqinë elektorale që LV-GUXO-ALT e ka në Kosovë dhe mërgatë, e parasegjithashë, duke u bazuar në atë se opinioni publik në Kosovë dhe jashtë saj, si shkaktar kryesor të bllokadës së konstituimit të kuvendit dhe formimit të qeverisë e sheh tek partitë opozitare”, deklaron ai.
Rexhepi: Ideja e rikthimit në zgjedhje mund të shihet si një hap demokratik
Edhe anëtari i Guxo-s, Agim Rexhepi, ka deklaruar se fjalët e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për mundësinë e zgjedhjeve të reja nuk tregojnë dobësi, por pasqyrojnë situatën reale politike në Kosovë.
Sipas tij, ndonëse Vetëvendosje doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, mungesa e shumicës absolute dhe vështirësitë për të gjetur partnerë të gatshëm për koalicion janë sfida të zakonshme në një sistem parlamentar pluralist.
“Deklarata e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për mundësinë e rikthimit në zgjedhje nuk duhet parë si shenjë e dobësisë apo dështimit, por si një pasqyrim i sinqertë i realitetit politik në vend dhe i sfidave që vijnë nga një sistem pluralist dhe shpeshherë i fragmentuar politik.
Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën absolute në Kuvend për të formuar qeverinë e vetme. Ky është një realitet i zakonshëm në demokracitë parlamentare, ku shpeshherë qeveritë formohen përmes koalicioneve. Mirëpo, ajo që është e veçantë në këtë rast është vështirësia për të gjetur partnerë të gatshëm për bashkëqeverisje”, tha ai.
Pse ndodh kjo?
Ai tha se partitë e tjera po hezitojnë të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen sepse janë më të fokusuara në ruajtjen e pozitave dhe ndikimit të tyre në institucione, sesa në interesat e qytetarëve.
Sipas tij, ato i frikësohen mandatit reformues dhe antikorrupsion të LVV-së.
“Kjo ndodh sepse shumë nga partitë e tjera politike, edhe pse formalisht i përmendin interesat e qytetarëve, në praktikë janë më të fokusuara në ruajtjen e pozitave të tyre, në ndikimin mbi institucionet, dhe në kontrollin e proceseve që shpesh kanë qenë të lidhura me interesa të ngushta ekonomike apo politike. Pra, krijohet përshtypja se disa parti nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë me një subjekt si LVV, që ka marrë një mandat të fuqishëm qytetar për reforma të thella dhe luftë kundër korrupsionit”, deklaron Rexhepi.
A po vendosin partitë e tjera interesat e tyre mbi interesin e vendit?
Derisa, në fund Rexhepi ka thënë se partitë opozitare po refuzojnë bashkëpunimin me Vetëvendosjen për arsye politike dhe jo programore, duke vënë interesat e tyre mbi ato të vendit. Sipas tij, përpjekjet për ta dobësuar VV-në dhe për ta paraqitur si të izoluar janë pjesë e një narrative që synon ruajtjen e “status quo”-së.
Ai shtoi se rikthimi në zgjedhje do të ishte një hap demokratik që i jep fjalën qytetarëve për një mandat të plotë reformash.
“Për fat të keq, shumë sinjale tregojnë se po. Refuzimi për të bashkëpunuar me fituesin e zgjedhjeve, jo për arsye programore apo parimore, por për kalkulime politike, është një tregues i qartë i një qasjeje që i shërben më shumë interesave partiake sesa qytetarëve.
Përpjekjet për të dobësuar politikisht Vetëvendosjen janë gjithashtu evidente. Ato vijnë jo vetëm nga partitë rivale në skenën politike, por edhe nga segmente të caktuara brenda sistemit, që e shohin si kërcënim për “status quo”-n një subjekt politik që është i vendosur të çrrënjosë korrupsionin, të rrisë transparencën dhe të forcojë shtetin e së drejtës. Këto përpjekje për ta paraqitur VV-në si të izoluar ose të paaftë për bashkëpunim janë pjesë e një narrative që synon t’i heqë legjitimitetin një fituesi zgjedhjesh që, në të vërtetë, ka mbështetje të gjerë qytetare.
Në këtë kontekst, ideja e rikthimit në zgjedhje mund të shihet si një hap demokratik, që i kthen fjalën qytetarëve për të vendosur nëse duan një qeveri të qëndrueshme me mandat të plotë për reforma, apo një vazhdim të pazareve të vjetra politike” – përfundon ai .
