OPINIONTË FUNDIT

Vijat e kuqe të opozitës për formimin e qeverisë – rezultat i varësisë dhe shantazhimit nga Lista serboshqipfolëse dhe oligarkët vendorë

Presidentja, për ta shpëtuar shtetin nga dy palë zgjedhje dhe pengimin e Serbisë në konsolidimin e shtetit, është dashur të ofrojë dorëheqje të sinqertë, duke iu bashkuar Listës Guxo për të garuar më pas bashkë me VV-në.

Është tragjedi kur vërehet një disponim antishtetëror tek partitë opozitare, nëse Kryeministri në detyrë nuk është në gjendje t’i sigurojë numrat e nevojshëm për ta formuar qeverinë, ani pse VV-ja siguroi 48 deputetë, që në fakt i mungojnë vetëm 13 vota për shumicë.

Sipas disa vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve, VV-ja i ka fituar diku rreth 55.77%, por me rënien e sistemit elektronik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me ndërhyrjen e shërbimeve inteligjente të jashtme, luftës hibride dhe vjedhjes së votave, VV-ja përfundoi me 48 deputetë – më shumë se e gjithë opozita bashkë.

Partitë opozitare ndezën dritat e kuqe të “semaforëve” bllokues sepse, për njëzet vjet, kanë qenë nën kontrollin dhe shantazhin e Listës serboshqipfolëse, e cila, sipas direktivave të Vuçiqit, përmes kësaj liste, i ka kontrolluar dhe njëkohësisht u ka mundësuar ardhjen në pushtet.

Pasi nuk qenë të gatshëm që Listës serboshqipfolëse t’i pamundësojnë regjistrimin si parti politike – si një organizatë terroriste – duke kërkuar nga prokuroria t’i verifikojë aktet që ishin shumë mirë të njohura për gjithë opinionin, jo vetëm dardan por edhe ndërkombëtar, aty fillon loja e opozitës, e cila nuk pati guximin t’u bashkohej anëtarëve të VV-së në Komisionin Qendror. Tani, siç thotë populli, “nga e gatshme ta sjellin në veresi”.

Kjo listë terroriste po paraqitet edhe si një lloj vetoje, nëse Gjykata Kushtetuese e aprovon ankesën e saj.

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, të varura nga shantazhet për të mos u zbuluar aferat korruptive, kriminale dhe pazaret politike të dëmshme për tërësinë territoriale, pranimin e ofertave serbe që nga themelimi i Listës serboshqipfolëse dhe bashkëpunimi me organizatat terroriste dhe udhëheqësit e tyre – në aspektin politik, biznesor e kriminal – kanë lejuar kolonizimin e pjesës veriore sipas vendimeve të Serbisë, duke sjellë edhe serbë të larguar nga lufta e Kroacisë.

Ndërkohë, shqiptarëve që jetonin në veri u është penguar të jetojnë lirshëm, duke mos u dhënë leje për ndërtimin e shtëpive, ndërsa kompleksi “Lugina e Diellit” u ndërtua pa kurrfarë leje ndërtimi.

Fatkeqësisht, Serbia i ka të dhënat edhe për vrasjet politike në Dardani. Prandaj, partitë e përfshira në këto vepra kriminale nuk guxojnë të sillen ndryshe, përveçse sipas kërkesave të Listës serboshqipfolëse, alias Beogradit.

Arrestimi i bashkëpunëtorëve të Serbisë dhe i qindra të tjerëve që janë ende në liri do ta nxjerrë në pah faktin se partitë opozitare kurrë nuk do të jenë në gjendje të veprojnë lirshëm në interes të Republikës së Dardanisë.

Në këtë mision antidardan e antikombëtar është aktivizuar kryeministri serb në Tiranë, Edi (Edvin) Kristaq Rama, i njëjti i nënshtruar politikës serbe dhe bashkëpunimit të ngushtë e të fuqishëm në pengimin, injorimin dhe sabotimin kundër Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, sepse ai nuk iu nënshtrua as politikave serbe e as atyre antidardane të pushtetit serb në Tiranë.

Si mund të heshtet e të mos reagojë, kur shteti shqiptar – i pari shtet shqiptar në Bashkimin Evropian – vendosi sanksione ndaj Republikës së Dardanisë sipas kërkesës së Vuçiqit?

Iu kujtohet anulimi i seancës së përbashkët të dy qeverive në Gjakovë, pa asnjë paralajmërim zyrtar, as pa dhënë arsyen e anulimit, për t’u mësuar më pas vetëm përmes mediave? Disrespekt, injorim dhe poshtërim.

Parlamenti shqiptar nuk e miratoi Rezolutën për gjenocidin serb në Dardani, gjë që ishte turpi i kombit, pasi i dha Serbisë argumentin se, “kur qeveria shqiptare nuk e miraton një rezolutë të tillë, atëherë kjo është vetëm një gënjeshtër”.

Merreni me mend! Kjo ndodh para takimit të Parlamentit Evropian, i cili për herë të parë doli me një qëndrim të ashpër ndaj Serbisë dhe regjimit totalitar të Vuçiqit, duke ia vështirësuar rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Mos të flasim për “Ballkanin e Hapur” dhe shumë plane serbe për përfshirjen e Shqipërisë, të cilat Albin Kurti i refuzoi kategorikisht.

E theksova me qëllim këtë bashkim të forcave opozitare, mjetet hibride të informimit në duart e oligarkëve dhe miliardat serbe në shërbim të rrëzimit të Albin Kurtit, që kanë për qëllim pengimin e konsolidimit të Republikës së Dardanisë pas çlirimit të veriut dhe rikthimit nën juridiksionin shtetëror, pas largimit të grupeve terroriste e kriminale – duke e shndërruar, sipas Edi Ramës, në “tokë të askujt” apo “Republikë të KFOR-it”.

Duke pasur respektin dhe mirënjohjen më të madhe ndaj Presidentes së Republikës, duke vlerësuar kontributin e saj në politikën e jashtme, aftësitë dhe përkushtimin atdhetar, si një mërgimtar që për tri dekada e gjysmë ka qëndruar e vepruar në SHBA përmes organizatës së parë dhe më të suksesshme lobuese – Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nën udhëheqjen e Joe dhe Shirley DioGuardit dhe Bordit Ekzekutiv – i brengosur për rrjedhat jo të duhura, me qëllim sinqerisht të mirë, po i drejtohem me një propozim jo të lehtë:

Që, për hir të konsolidimit dhe forcimit të shtetit, me shpresë që pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që duken të pashmangshme, t’ju shohim përsëri në postin e Presidentes, duke iu bashkuar koalicionit që e arritët në zgjedhjet e fundit nacionale, ku ishit më e votuara. Jam i bindur se populli tashmë e ka kuptuar se vërtetë, në mandatin e parë, keni udhëhequr me kompetencë dhe sukses.

Mendoj se, me një veprim të tillë patriotik, të një lidershipi të kalibrit ndërkombëtar dhe me respektin që gëzoni – që ne e kemi parë gjatë mandatit tuaj – përsëri do të jeni në krye të shtetit, sepse kjo është dëshirë e popullit.

E nderuara Presidente, si person i unitetit dhe prosperitetit të Republikës së Dardanisë, mendoj se duhet që bashkë me Kryeministrin në detyrë të analizoni dhe të vendosni për më të mirën e shtetit dhe popullit, i cili gjithmonë ka mirëpritur udhëheqës që punojnë e angazhohen për të mirën e qytetarëve – jo duke i vjedhur, jo duke falur territore, jo duke nënshkruar marrëveshje të dëmshme, e as duke iu nënshtruar Serbisë gjenocidale që na mban nën kërcënime të pandalshme.

Kot e ka, sepse i kemi miqtë tanë në radhë të parë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – administrata e të cilave ka një respekt të veçantë për ju, falë edhe lidershipit tuaj të suksesshëm dhe të ndershëm.

Besoj se nuk më keqkuptoni, sepse nuk kam qëllim të përzihem në punët tuaja, por i dhashë vetes të drejtën ta shpreh publikisht brengën time me qëllime krejtësisht të sinqerta.

Megjithatë, përgjegjësia është e juaja, si lidere të zgjedhur me shumicën më të madhe të votave në historinë e këtij shekulli – juve dhe Kryeministrit në detyrë.

P.S. Autori është publicist dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të LQSHA.

New York, 24 tetor 2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *