TË FUNDIT

Nga krenaria në turp!” — A ka mbetur ndonjë “fije shprese” për koalicionin VV-LDK?

Ndërsa ka mbetur vetëm edhe një ditë shpresë për një koalicion të mundshëm paszgjedhor për formimin e qeverisë së re, gjuha politike pozitë–opozitë ka shkuar në kulmin e degradimit.

Koalicioni për balotazhin në Vushtrri, që kryetari i degës së LDK-së atje, Xhafer Tahiri, e lidhi me Lëvizjen Vetëvendosje, ka ashpërsuar edhe më tej situatën.

Për rrjedhojë, edhe “gjuha politike e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, është bërë dukshëm më e ashpër.”

Madje, sipas Lumir Abdixhikut, ndërsa vite më parë ishte krenari fotografimi me Albin Kurtin, tani kjo gjë është shndërruar në “turp”.

“Në vitin 2020 u kanë mirë me dalë me Albin Kurtin në fotografi, tash o marre”, tha kreu i LDK-së në një debat televiziv.

Lidhur me këtë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, foli analisti politik Zejnullah Jakupi.

Sipas tij, Abdixhiku po e portretizon Kurtin si autokrat, përçarës dhe pengesë për bashkëpunim opozitar, çka sinjalizon një pozicionim të qartë konkurrues, e jo bashkëpunues.

“Ky lloj diskursi zakonisht nuk është rastësor. Ai ndodh në periudha kur partitë ndiejnë nevojën të dallohen qartë nga një kundërshtar që dominon skenën politike (si VV-ja sot), dhe duan të mobilizojnë elektoratin e tyre tradicional, që mund të jetë ndier i ‘pushtuar’ nga narrativa e VV-së,” thekson Jakupi.

Sa i përket mundësive për bashkëpunim mes LDK-së dhe VV-së, analisti ka thënë se historia e prishjes së qeverisë Kurti 1 (2020) ka lënë plagë të hapura mes dy subjekteve.

“Ka disa arsye: historia e prishjes së qeverisë Kurti 1 (2020) ka lënë plagë të hapura mes dy subjekteve. Mungesa e besimit është ende e thellë. Kalkulimet elektorale: LDK e di se një afrim me VV-në e Kurtit e bën të padallueshme në sytë e votuesve, ndaj kërkon të rikrijojë identitetin e vet politik. Roli i opozitës: Abdixhiku po përpiqet ta pozicionojë LDK-në si alternativë të qartë qeverisë aktuale, jo si partner potencial të saj,” shpjegon ai.

Sipas tij, për momentin, retorika agresive është pjesë e një strategjie elektorale, jo domosdoshmërisht shenjë armiqësie të pakthyeshme.

Vitet e fundit ka pasur edhe një fushatë të ashpër mediale “anti-Kurti”.

I pyetur nga “Bota sot” nëse kjo fushatë mund të ketë ndikuar edhe në disa qëndrime opozitare, Jakupi thekson se “po, ky është një faktor real.”

“Në Kosovë, një pjesë e mirë e mediave dhe opinionistëve kanë pozicionime të qarta — disa pro, disa kundër VV-së. Ata që janë kritikë ndaj Kurtit shpesh i japin hapësirë më të madhe LDK-së dhe Abdixhikut, duke amplifikuar diskursin e tij opozitar. Kjo krijon një ekosistem komunikimi që nxit më shumë konfrontim sesa bashkëpunim. Nga ana tjetër, edhe mediat më afër VV-së shpesh reagojnë me ton të fortë, duke thelluar ndasitë,” vlerëson Jakupi.

Në përfundim, ai nënvizon disa pika kyçe të analizës së tij:

“Diskursi ‘agresiv’ është më shumë strategjik se emocional. Bashkëpunimi LDK–VV është politikisht i ngrirë, jo i vdekur përfundimisht. Mediat dhe opinionistët po luajnë rol të dukshëm në polarizimin e narrativës publike. Në thelb, të dyja partitë po përgatiten për një garë elektorale frontale, ku secila dëshiron të jetë boshti kryesor i qendrës politike,” përfundoi Jakupi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *