Tahiri: Abdixhiku më kërkoi bashkëpunim me VV-në për Suharekën
Xhafer Tahiri, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, ka thënë se kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, ishte i njoftuar për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komunë.
Tahiri është kundërpërgjigjur pas Abdixhiku e kishte cilësuar atë mbrëmë si “qyqan”.
Sipas ish-kryetarit të Vushtrrisë, Abdixhiku dhe e gjithë dega e LDK-së në këtë komunë ishin të njoftuar paraprakisht për lidhjen e koalicionin me VV-në.
“Unë nuk kam tradhtuar dhe nuk kam vepruar kokë më vetë. Më ka shkruar Abdixhiku dhe më ka pyetur a kemi ndonjë ofertë për në Vushtrri dhe i kam treguar se kemi marrë ofertë nga VV-ja dhe më ka thënë a mundeni me fitu, i kam thënë se po. Në bazë të numrave kemi qenë 1 mijë vota më shumë dhe me NISMA-në bëheshin 2 mijë vota më shumë. Ia kam shpjeguar se në këtë marrëveshje thjesht ndërrohen rolet që LDK dhe VV kanë pasur në 2017 kur VV na ka mbështetur në Vushtrri për qeverisjen, thjesht i kemi ndërru rolet.
Ia kam shpjeguar Abdixhikut se pse është stabile kjo marrëveshje, i kam shpjeguar se skam marrëveshje për PDK dhe se nuk kam interesim”, ka thënë fillimisht Tahiri në Kanal 10.
Ai ka vazhduar më tej duke akuzuar Abdixhikun, kinse ai ka kërkuar nga Tahiri që të arrijë një bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje për Komunën e Suharekës.
“Më ka thënë a mundesh me fol për një qytet tjetër, konkretisht për Suharekën dhe i kam thënë nuk di a muj me fol por të njoftoj. Në këtë moment kam takuar Kurtin në ora 7 të mbrëmjes së të shtunës. Jo për Vushtrrinë sepse aty jam marrë vesh me degën. Kurtit i kam thënë se unë jam LDK dhe nuk jam asnjëherë VV, kam interesim t’ia kthej një të mirë VV për kushtet në vijim, kam kërkuar zotimin e tij personal se këto 4 marrëveshje të realizohen. Pastaj i kam thënë për kërkesën për ndihmë në Suharekë dhe më ka thënë se parimisht kemi një vendim që nuk i këmbejmë kokë më kokë por do të diskutoj me degën për këtë takim. E kam lajmëruar Abdixhiku dhe Ardian Shalën në telefon, kjo është marrëveshja dhe vazhdoni diskutimet me degën atje”, ka thënë Tahiri.
