Lumir Abdixhiku ëndërron për 51%, por e mban LDK-në në vend të tretë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vazhdon të tregojë se më shumë jeton në botën e ëndrrave politike sesa në realitetin e ashpër të skenës kosovare. Duke refuzuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me Albin Kurtin, Abdixhiku po e sheh interesin kombëtar si pengesë për ambiciet e tij personale.
Në vend se të jetë faktor unifikues, ai po sillet si pengesë e çdo bashkimi opozitar që do të mund ta forconte frontin politik kundrejt problemeve reale të vendit. Deklarata e tij se “ëndërron ta çojë LDK-në në 51%” është më shumë retorikë boshe sesa vizion real. Sepse udhëheqësi që e gjeti LDK-në në vendin e tretë, jo vetëm që nuk ka arritur ta forcojë, por e ka mbajtur në të njëjtin pozicion, me rënie të vazhdueshme të besimit qytetar. Kjo tregon se ai nuk ka arritur të krijojë besim, frymë apo vizion që do ta bënte partinë të rikthehej në majë.
Në fakt, Abdixhiku po tregohet më shumë si menaxher i zbehtë sesa si lider. Ai nuk po e lexon frymën e kohës, nuk po e kupton dëshirën e qytetarëve për ndryshim dhe për bashkëpunim ndërmjet forcave që mendojnë për Kosovën mbi interesat partiake. Duke e trajtuar Vetëvendosjen si armike, e jo si partner potencial për të mirën e vendit, ai po humb terren dhe po e largon LDK-në nga roli historik që ka pasur.
Nëse vazhdon me këtë qasje, Abdixhiku do të mbahet mend si kryetar që e mbajti LDK-në në hije, jo si lider që e ngriti atë. Ëndrrat për 51% duken të bukura në fjalime, por populli kërkon vepra, jo retorikë e këtu Lumiri ka dështuar më së shumti.
