Për çfarë ia kalon Prishtina Tiranës dhe Tirana Prishtinës?
Një raport i publikuar më 13 tetor 2025 nga platforma ndërkombëtare Numbeo, të cilës i është referuar edhe JOQ ALBANIA, ka krahasuar indekset kryesore të cilësisë së jetës mes Tiranës dhe Prishtinës. Të dhënat tregojnë një epërsi të ndjeshme të kryeqytetit kosovar në pothuajse çdo tregues kryesor, duke nxjerrë në pah sfidat që përballen qytetarët e Tiranës në përditshmërinë e tyre.
Tiranë, indeksi i fuqisë blerëse është vetëm 41.45, duke u vlerësuar si “i ulët”, ndërsa në Prishtinë është 62.98, një nivel “mesatar” që tregon fuqi më të madhe për blerje e nivel më të lartë jetese. 2 – Siguria e jetës, lëvizjes, rendit, pronës… është më e madhe në Prishtinë se sa në Tiranë. Në kryeqytetin e Kosovës ka një indeks prej 67.95, ndërsa në Tiranë, 60.03.
3- Kujdesi shëndetësor në Tiranë arrin vetëm 47.29, krahasuar me 68.61 në Prishtinë
4- Kostoja e jetesës është pothuajse dyfish më e lartë në Tiranë (48.92) në krahasim me Prishtinën (28.34). 5-Raporti çmim-pronë ndaj të ardhurave është 17.82 në Tiranë, duke e bërë blerjen e një banese jashtëzakonisht të vështirë, ndërsa në Prishtinë ky raport është 14.44. 6-Në përmbledhje, indeksi i përgjithshëm i cilësisë së jetës në Tiranë është 94.40, një nivel shumë i ulët krahasuar me 137.76 të Prishtinës, që reflekton një standard më të lartë jetese dhe kushte më të mira.
Për çfarë ia kalon Tirana Prishtinës?
Tirana ia kalon Prishtinës për dhuratat natyrore, dy detet e shumë liqene më të mëdha. Por edhe për dimrin më të butë e verën më të gjatë, sidomos për periudhë më të gjatë plazhi…dhe ditë më me shumë diell
2- Tirana ka në qendër të saj, edhe mbi teatro dhe ish ambiente të gjelbëruara, si lulishte e kënde lojërash, më shumë se Prishtina kulla kanabizi apo “lavatriçe” të pastrimit të parave të pista…!
3- Tirana ia kalon Prishtinës edhe për numrin e kafeneve, qebabtoreve, byrektoreve, suflaqetoreve, picerive, farmacive, klinikave mjekësore, dentare, laboratorëve për analiza; bankave private, agjencive të këmbimit valutor; të shkollave, kolegjeve dhe universiteteve private…!
4- Tirana ia kalon Prishtinës edhe për shifrën më të lartë të dyqaneve, restoranteve, magazinave të peshkut si dhe për “aromën” e peshqve bajatë, ardhur pas muajsh e vitesh të ruajtur në magazinat e vendeve të largët e të afërt…!?
5- Tirana ia kalon Prishtinës dhe kryeqyteteve të tjerë të botës edhe për kullën ngjitur me stadiumin…!?
6- Tirana ia kalon Prishtinës edhe për vështirësitë e lëvizjes së automjeteve dhe zhurmnajën e tyre nga motorët, boritë, sirenat, të bërtiturat e të sharat e shoferëve, edhe nën hundën e policëve të trafikut rrugor…! Trafiku në Tiranë është më problematik me kohë udhëtimi mesatare 38.44 minuta, krahasuar me vetëm 22.81 minuta në Prishtinë.
7- Gjithashtu, ndotja është shumë më e lartë në Tiranë me indeks 86.98, ndërsa Prishtina e ka 68.68, domethënë rreth 20% më të ulët.
8- Tirana ia kalon Prishtinës edhe për Parlamentin me më shumë deputetë dhe për qeverinë me ministre roboteshën Diella…!?
9- Tirana ia kalon Prishtinës për karvanet paraprirëse dhe shoqëruese të veturave dhe furistradave të kryeministrit, presidentit, kryetarit të parlamentit, ministrave…,deri në 4-5 para e rreth 8-10 prapa!?
10- Tirana ia kalon Prishtinës për Lumin e Lanës me shumë ura të mesme, shndërruar poshtë tyre në wc publike për meshkuj…!? 11- Mbi të gjitha Tirana ia kalon Prishtinës për çmimet më të larta të shumicës së artikujve ushqimorë, të higjienës, farmaceutikë; të pajisjeve hidraulike. elektronike dhe shtëpiake, të karburanteve, edhe pse shumicën e sasisë e merr nga Shqipëria… 12-Sipas raportit të Transparency International për 2924 Shqipëria renditet e 80-ta ndër 180 vendet e botës për nivelin e korrupsionit, ndërsa Kosova në vendin e 63!?
13- Tirana ia kolon Kosovës edhe për normën e tvsh-së në rreth 20% në minimarkete, supermarkete, kafene, restorante, farmaci…, kudo ku janë vendosur dhe funksionojnë rregullisht kasat e faturave, ndërsa Kosova aplikon normën në 8 dhe 10%
14-Tirana ia kalon Prishtinës për koston më të lartë apo shqip, për shpenzimet më të mëdha të jetesës, në nivelin 48.92, në krahasim me 28.34 në Prishtinë si dhe për më shumë lypës në trotuare, lokale, para xhamive dhe kishave…si dhe gjatë verës, në qytetet turistike në trotuaret e rrugicave buzë plazheve e deri mes çadrave në rërë…!?
15- Nga shtat lartësia e kryeministrave! Edi Rama është më i gjatë se Albin Kurti!
16- Tirana ia kalon Prishtinës edhe pse Edi Rama është ulur dy a tre herë në gjunjë para kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, ndërsa Albin Kurti asnjëherë!
17- Edi Rama i Tiranës ka bërë dy akte fyese e tallëse ndaj Donald Trump, ndërsa Albin Kurti asnjë!
18- Tirana ia kaloi Prishtinës edhe për faktin fare të freskët, të dt.22 tetor 2025, se Edi Rama u dha mend edhe qeverisë britanike dhe shumë britanikëve për BREXIT-in, raportet me BE, për politikën e emigracionit…, ndërsa Albin Kurti, në takimet me kryeministrin Starmer dhe me mbretin Chaarlses III, nuk guxoi ta bënte këtë veprim prej “PROFESORI”, edhe pse nuk ka diplomë piktori!
19- Shifra 1 milion leje qëndrimi të shqiptarëve në BE e rendit Shqipërinë në krye të vendeve për emigracionin e lartë në raport me popullsinë, duke na renditur gjithashtu ndër komunitetet më të mëdha të emigrantëve në hapësirën europiane, pra edhe më lart se sa Kosova e këtyre viteve të fundit.
20- Tirana dhe Shqipëria ia kalojnë Prishtinë-Kosovës edhe për nivelin e kriminalitetit. Shqipëria ka nivel më të lartë, në 5.17 pikë, ndërsa Kosova më të ulëtin në rajon, me 4.97 pikë.
Natyrisht, secili nga lexuesit, në Shqipëri e Kosovë, mund të shtojë tregues të tjerë për ta vazhduar krahasimin, për të cilat Prishtina e Kosova ia kalojnë Tiranës dhe Shqipërisë e në të kundërtën! Ky shkrim, me një dozë të lehtë humori, është më shumë për debat…, demokratik dhe sa më objektiv, pa doza mbivlerësimi, lavdërimi dhe “bojatisjeje” të qeverive dhe kryeministrave të zemrës!