OPINIONTË FUNDIT

Koalicioni LDK–LVV në dilemë- Zbulohet arsyeja që po e frenon bashkëpunimin mes dy subjekteve

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për formimin e qeverisë së re, ndërsa spekulimet e raportime për takime mes partisë fituese dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë filluar të shtohen.

Fillimisht u raportua se kryeministri Albin Kurti do të lëshojë pe në Prishtinë, që ta marrë Mitrovicën dhe që t’ia jep presidentin LDK-së dhe kështu do të arrihet krijimi i qeverisë së re.

Këto spekulime u shtuan pas nënshkrimit të koalicionit pas zgjedhor në Vushtrri mes kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Tahirit dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Sylejman Meholli.

Reagim të menjëhershëm pati bërë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se kandidati i saj për kryetar të kësaj komune Xhafer Tahiri ka ndërmarrë hapa për të formuar këtë koalicion pa miratimin e partisë.

Në komunikatë, LDK njofton anëtarësinë dhe opinionin publik se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gerë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

LDK-ja ka bërë të ditur se vendimet për koalicione apo bashkëpunime do të merren vetëm pas një analize të performancës së kandidatit dhe degës në këtë komunë.

Partia më tej e quan veprimin e kandidatit si të pavlefshëm dhe në kundërshtim me parimet e saj të brendshme.

“Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale”, thuhet në njoftim.

Por, ky koalicion ka bërë që të rriten zëra për një koalicion të mundshëm, madje raportohet për negociata të fshehta për të bërë qeverinë.

Bekim Çollaku në një emision në median vendore, thotë se ngriten shumë pikëpyetje nëse Abdixhiku apo LDK po luajnë lojë të dyfishtë.

“Abdixhiku tha se në nivelin lokal nuk kanë vija të kuqe me askënd. Dhe ajo deklaratë bie në kundërshti të plotë me deklaratën e sotme. Sepse tani del vet kryetari që janë kundër atij koalicioni dhe thotë se nuk ka pasur dijeni. Nga përvoja ime është e pamundur që në lider të mos jetë në dije. Ngritën shumë pikëpyetje nëse Abdixhiku apo LDK po luajnë lojë të dyfishtë, kush është i përfshirë në negociatat e fshehta që janë duke u zhvilluar për bërjen e koalicionit tani dhe jo në zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

A po bën Lidhja Demokratike e Kosovës një ‘lojë të dyfishtë’ dhe a është e ndarë ajo në një pjesë për e tjera kundër koalicionit me LVV, për këtë kanë folur analistët politikë.

Sipas tyre, LDK është e ndarë në frymën e re dhe në elitën tradicionale të partisë dhe koalicioni me LVV-në do të duhej të bëhej menjëherë pas zgjedhjeve.

LDK e ndarë në dysh?

Analisti politik, Fatoh Mehmeti, thotë se LDK-ja shihet si lojtari kryesor i dyfishtë.

ImageAnalisti politik, Fatoh MehmetiFoto galeri
Sipas tij, një pjesë e LDK-së sidomos ajo që lidhet me frymën e re dhe elektoratin e zhgënjyer mund ta sheh LVV-në si partner të natyrshëm për reforma, ndërsa pjesa elita tradicionale e sheh si rrezik.

“Kjo situatë që po zhvillohet mes LDK-së dhe LVV-së mund të përkufizohet si një lojë e dyfishtë politike, ku të dyja partitë po testojnë terrenin publik dhe reagimin e bazës përpara se të marrin një vendim përfundimtar. Në këtë rast, LDK-ja shihet si lojtari kryesor i dyfishtë. Nga njëra anë, disa figura lokale si rasti i degës në Vushtrri po e testojnë bashkëpunimin me LVV-në në nivel komunal, ndërsa nga ana tjetër, qendra e LDK-së e mohon kategorikisht çdo mundësi bashkëqeverisjeje. Kjo tregon mungesë koherence të brendshme dhe një strategji të paqartë politike. Një pjesë e LDK-së, sidomos ajo që lidhet me frymën e re dhe elektoratin e zhgënjyer, mund ta shohë LVV-në si partner të natyrshëm për reforma. Por elita tradicionale e partisë, që ruan ende ndikim të fortë, e sheh një koalicion me Kurtin si rrezik për identitetin politik të LDK-së dhe për pushtetin e brendshëm në strukturat e saj”, deklaron Mehmeti.

Sipas tij, qëllimi i lojës politike është presion ndaj LVV-së që të bëjë lëshime në negociata për qeveri.

“Po, ekziston një ndarje e qartë brenda LDK-së sa i përket raportit me LVV-në. Krahët e rinj janë më pragmatikë, të gatshëm për bashkëpunim në emër të stabilitetit dhe për të shmangur zgjedhjet. Krahët tradicionalë (të lidhur me ish-strukturat e qeverisjeve të kaluara) e shohin Kurtin si rival politik që ka ndërtuar kapital politik duke e sulmuar LDK-në ndër vite. Qëllimi i kësaj loje politike është presion ndaj LVV-së që të bëjë lëshime në negociata për qeveri. Testim i opinionit publik, për të parë si do të reagonte baza elektorale ndaj një bashkëqeverisjeje me Kurtin. Besoj kjo javë pritet të jetë përcaktuese. Nëse LVV-ja pranon disa kompromise në ndarjen e posteve dhe në programin qeverisës, mund të ketë një koalicion LVV–LDK”, shton analisti.

Pa dëgjueshmëria brenda partive politike

Ndërsa, Milazim Maraj, thotë se ka rebelim të anëtarëve të kryesive të partive apo aktivistëve në të gjitha partitë.

Sipas tij, të gjithë partitë brenda kanë një një temperaturë brenda e cila po shpërthen me mos dëgjueshmëri dhe organizime jashtë vullnetit të partisë.

“Loja e dyfishtë apo mungesë e demokracisë? Një rebelim i anëtarëve të kryesive të partive apo aktivistëve shihet në të gjitha partitë politike. Madje ky rebelim duket të jetë i arsyeshëm. Kur uji nuk rrjedh, mbetjet që i ka në fund i nxjerr në sipërfaqe. Këto janë si pasoja të mungesës së demokracisë dhe korrektësisë brenda partive. Këto shpërthejnë tani në zgjedhje. Rasti i Lladrovcit në Drenas tregon se ky kishte të drejt dhe jo partia e tij. Rast tjetër është në Vushtrri koalicioni i LDK me VV që si duket në bazë të reagimeve është bërë pa pajtimin e Kryesisë së LDK. Në demokraci nuk ka centralizëm. Kurse kryesitë e PDK dhe LDK po tentojnë ta bëjnë. Nëse të gjitha partitë politike e durojnë centralizmin për shembull si AAK, në LDK centralizmi nuk funksionon dhe del me pasoja. LDK tentoj që të centralizohet pas vdekjes së Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, por edukata politike demokratike nga viti 1989 kishte bërë kulturën e vet. Kjo nuk e durojë këtë centralizëm; shpërthej më dhunë në kuvend dhe me pasoja e ndarje. Më ardhjen në postin e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa ndërroj edhe struktura organizative e LDK dhe kjo strukturë u përgatit për t’u centralizuar, por as kjo nuk funksionoi. LDK ra në 11%. Tani që nga zgjedhjet parlamentare nuk lëvizje pozitive. Andaj të gjitha partitë pulitke në Kosovë kanë një temperaturë brenda e cila po shpërthen me mos dëgjueshmëri dhe organizime jashtë vullnetit të partisë. Reagimet janë të ndryshme: Në AAK ka ikje nga partia, në PDK ka mos dëgjueshmëri dhe fitim të zgjedhjeve”, deklaron Maraj.

Sipas tij, kur pyetet për koalicion mes partive të mëdha, edhe pse nuk ka ndonjë disponim të mirë, në politikë kurrë nuk ka pikë.

“Në LDK ka mos dëgjueshmëri në parti me rastin e formimit të koalicionit me VV. Ndërsa mund të pritet edhe ndonjë komunë tjetër të ketë diçka të tillë. Kjo nuk tingëllon si përçarje, si ndarje të partive. Kjo me duket një trokitje në dyer të partive politike që të i hapin derën demokracisë që mungon brenda edhe pse nga një “D” e kanë në emrin e tyre. Kur behët pyetje nëse do të kemi apo jo koalicion në mes të partive të mëdha tani për tani nuk dukët ndonjë disponim i mirë, por në politikë kurrë nuk ka pikë. Ka po por, ose jo por. Politika është art i të mundshmes por për fate të keq mungesa e demokracisë në kuvende zgjedhore të partive ka sjell në kryesi aktor të dobët, që ju mungon arti në politikë. Që harrojnë çka kanë premtuar, pse janë të zgjedhur, nuk kanë respektuar kodin e mirësjelljes që së paku ta ruajnë minimumin e mirëkuptimit dhe besimit të njeri tjetrin qoftë brenda partisë qoftë me partitë tjera. Nuk e kanë kuptuar qartë se kundërshtari politik nuk është armik. Nuk u kujdesën për ta ruajt mirëkuptimin, që pas zgjedhjeve duhet të bashkëpunojnë qoftë në pluralizëm qoftë në koalicion demokratik. Për të bërë diçka duhet të jesh diku, deri sa nuk pranon asnjë bashkëpunim atëherë ndikimi i jot është (0). Tani varët çka do të bëjnë partitë politike me rebelët e vet, do të i dënojnë apo do të bashkëpunojnë me ta”, shprehet analisti.

Ai shton se LDK do të duhej të pranonte koalicionin me VV menjëherë pas zgjedhjeve.

“ Nëse vazhdon ngritja e temperaturës në parti do të ketë më shumë të padëgjueshëm dhe ndoshta qeveria Kurti- 3 do të formohet më rebelet e partive që kanë humbur rrugën e demokracisë. Çka do të thuhet për Kandidatin për kryetarë të Prishtinës që ishte në Tiranë në një protestë shumë të pa kuptimtë dhe pa fare ndikimi në drejtësi. Madje kjo protestë degradon pamëshirshëm imazhin e shtetit të Kosovës. Këto protesta tregojnë se në Kosovë nuk ka mundësi të funksionoj drejtësia e pa ndikuar por kandidati për kryetarë të Prishtinës doli në protestë bashkë me PDK dhe AAK. Nuk pati hatër mbetje nga LDK, pse? Apo ishte me një leje të heshtur të partisë. Nuk duket që kemi një strategji për apo kundër koalicionit LDK-VV, më shumë duket që janë veprime sipas situatës. LDK do të duhej të pranonte Koalicionin më VV menjëherë pas zgjedhjeve. Të ushtrojë ndikimin e vet demokratik në këtë koalicion për të ruajt bashkëpunimin me aleatët e natyrshëm të Kosovës. Në artikulimin e duhur të kërkesave dhe arsyetimin e besueshëm në reagime ndaj kurtheve të Serbisë”, përfundon Maraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *