OPINIONTË FUNDIT

Britania thirrje anëtarëve të OKB-së ta njohin Kosovën, ndërsa Serbisë ta dorëzojë Radoiçiqin

Britania e Madhe ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit.

Përfaqësuesja e Britanisë foli gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për Kosovën.

“Britania mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik. Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, deklaroi ajo.

Përfaqësuesja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë në Kosovë dhe përgëzoi “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal.

Ajo shprehu shqetësim për disa deklarata të fundit që, sipas saj, “rrezikojnë të rrënojnë institucionet shtetërore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese”. Kryeministri në detyrë Albin Kurti më herët kishte shprehur kritika për Kushtetuesen.

“Institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse janë jetike për të avancuar integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të ofruar progres për qytetarët e saj”, theksoi ajo, duke e cilësuar kthimin e kryetarëve serbë në komunat me shumicë serbe si “një hap pozitiv drejt një pushteti lokal përfaqësues”.

Ajo kërkoi nga të gjitha palët që tranzicioni institucional në komunat ku kanë fituar kandidatët e Listës Serbe të zhvillohet me “respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe me mundësi reale për riintegrimin e komunitetit serb”.

Dy vjet pas sulmit në Banjskë, Britania ritheksoi thirrjen ndaj Serbisë që të bashkëpunojë për “tkurrjen e tensioneve” dhe të sigurojë “përgjegjësinë penale të autorëve të sulmit”, përfshirë Milan Radoiçiqin.

“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, ka thënë ajo, duke shtuar se çështjet e pazgjidhura duhet të adresohen përmes dialogut.

Në deklaratë u theksua rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që u cilësua si “element thelbësor për ndërtimin e besimit dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë”.

Britania gjithashtu mirëpriti “angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve” në procesin e Berlinit dhe u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të fokusohen në përdorimin më efikas të resurseve të OKB-së.

“Me presionin e shtuar mbi buxhetin e Kombeve të Bashkuara, resurset duhet të rialokohen aty ku kanë më shumë efekt, e jo të mbahen në misione të trashëguara pa mandat të qartë”, theksoi ajo, duke kërkuar “rishikim strategjik të UNMIK-ut dhe një qasje më efikase të stafit civil”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *