Kryeministri Kurti mori pjesë në festën e Falënderimeve të Kishës “Bashkësia e Popullit të Zotit”
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Shërbesën Qendrore të Kishës Protestante Ungjillore “Bashkësia e Popullit të Zotit” me rastin e festës së Falënderimeve, që u mbajt në Kishën “Bashkësia e Popullit të Zotit”.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se mirënjohja është kujtesë për punën, përkujdesjen dhe për bashkësinë që na mban afër njëri-tjetrit dhe na mëson të shohim jo vetëm jashtë vetes, por edhe përtej vetes.
Me këtë rast, ai falënderoi stafin e Kishës “Bashkësia e Popullit të Zotit” dhe pastorin Artur Krasniqi për punën që po bëjnë për komunitetin, për ndihmën ndaj njerëzve në nevojë dhe për përfshirjen e tyre aktive në jetën e qytetit.
“Kjo bashkësi tregon se besimi nuk qëndron larg jetës publike, por e ndihmon atë të jetë më njerëzore e më e drejtë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se në Kosovë pluralizmi fetar është pasuri, sepse ajo është bashkëjetesë dhe bashkëveprim dhe se kjo ditë është dëshmi se përtej dallimeve, ajo që na bashkon është vullneti për të bërë mirë dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin.
“Ashtu si bashkësitë fetare, edhe Qeveria ka detyrë të shërbejë. Prej latinishtes, fjala ministër, do të thotë shërbëtor, që do të thotë se zëvendësministri është zëvendës shërbëtor e kryeministri është kryeshërbëtor. Përballë sfidave të përditshme, si varfëria e pabarazia, padrejtësia dhe nevoja për përmirësim të kushteve të jetesës, secili prej nesh mban një pjesë të përgjegjësisë së përbashkët,” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.