POLITIKATË FUNDIT

Kërkohet dorëheqja e Memli Krasniqit: Ja kalkulimi i gabuar me Ramiz Lladrovcin

Pas humbjes që PDK pësoi në Drenas, humbje kjo që është e para për PDK-në në këtë komunë, deputeti i kësaj partie, Nait Hasani, ka kërkuar dorëheqjen e Memli Krasniqit nga pozita e të parit të PDK-së, duke e fajësuar këtë të fundit për përplasjet me Ramiz Lladrovcin, i cili doli fitues pa balotazh në Drenas.

“Partia Demokratike ka bërë gabimin fillimisht që nuk e kandidoi Ramiz Lladrovcin për kryetar, pavarësisht rrethanave politike. Lladrovci ka shfrytëzuar të drejtën për ta gjetur elektoratin e PDK-së dhe për ta formuar iniciativën, e cila është pjesë e strukturës së PDK-së. Prandaj, fitorja e tij tregon suksesin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Drenasit në mbrojtje të vlerave të tyre. Ramiz Lladrovcin nuk e ka votuar asnjë anëtar i VV-së, sepse ata do ta votonin vetëm nëse do të kishte balotazh. Përkundrazi, të gjithë qytetarët e Drenasit e kanë mbështetur atë kundër Memli Krasniqit dhe strukturave aktuale të PDK-së. Në politikë ka moral. Nëse Memli dhe të tjerët kanë moral, bashkë me deputetët në Drenicë që i ka mundur Ramizi, duhet të japin dorëheqje. S’kanë më fytyrë të qëndrojnë aty”, ka thënë deputeti, Nait Hasani.

E analisti Afrim Kasolli, duke komentuar situatën e krijuar në PDK, thotë se kryesia qendrore e PDK dëshironte një kryetar kukull në Drenas, andaj edhe erdhi deri te përçarja.

“Prej se mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, për herë të parë Partia Demokratike e Kosovës nominalisht nuk do ta drejtojë Komunën e Drenasit, një bastion ky elektoral tradicional i këtij subjekti politik. Dhe atë jo pse munguan votat, por për shkak të përçarjeve të brendshme. Arsyet e këtyre përplasjeve mund të jenë të shumta, por në esencë ato reflektojnë dëshirën dhe ambicien e kryesisë qendrore të këtij subjekti politik që ta kenë një kryetar kukull në krye të asaj komune. Ata janë nisur nga supozimi se mbase në Drenicë fiton emblema e partisë dhe jo kandidati”, shprehet Kasolli për “Bota sot”.

Sipas tij, kalkulimi i kryesisë qendrore për eliminimin e Lladrovcit doli i gabuar.

“Prandaj kanë kalkuluar se në këtë mënyrë kanë shansin ta eliminojnë politikisht Ramiz Lladrovcin si dhe ta ruajnë pushtetin për vete. Por ky kalkulim u doli i gabuar, sepse nuk e kanë lexuar si duhet disponimin e qytetarëve të Drenasit, ku edhe ata nuk do të votojnë paushall”, thotë Kasolli, sipas të cilit, Memli Krasniqi duhet të japë dorëheqje.

“Pas këtij dështimi dorëheqja morale është akti i parë që Memli Krasniqi me kompaninë e tij duhet ta bënin. Madje ata janë vonuar në këtë drejtim”, përfundon për “Bota sot”, analisti Afrim Kasolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *