Çeku: Prishtina po kërkon ndryshim dhe ky ndryshim është i pashmangshëm
Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës Hajrulla Çeku, ka reaguar për rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve të 12 tetorit.
Çeku ka shkruar se rezultatet e raundit të parë dëshmuan se “Prishtina po kërkon ndryshim”.
Përmes një postimi në Facebook, kandidati i LVV-së u shpreh se ai dhe ekipi i tij po mobilizojnë qytetarët për t’ia kthyer komunën në duart e tyre.
“Prishtina po kërkon ndryshim. Dhe ky ndryshim është i pashmangshëm. Derisa të tjerët kalkulojnë për interesa të ngushta individuale e grupesh, ne jemi këtu për qytetarët. Po i bashkojmë njerëzit e ndershëm për ta kthyer Prishtinën në duar të qytetarëve. Bashkë për ndryshim, Prishtinë”, ka deklaruar Çeku.
Ai shtoi se qytetarët kanë folur me maturi e drejtësi si gjithmonë.
“Me shumë përzemërsi dhe respekt e konsideroj të përfunduar periudhën e qeverisjes aktuale, është koha për një drejtim të ri”, u shpreh Çeku.
Çeku pritet të përballet në balotazh me kandidatin e LDK-së dhe kryetarin aktual Përparim Rama.
Sipas rezultateve preliminare nga KQZ, Përparim Rama ka 33.78% apo 35 mijë e 190 vota, kurse Hajrulla Çeku ka 33.00% apo 34 mijë e 380 vota.