TË FUNDIT

FSK në veri dhe narrativa shqetësuese e mediave

FSK hyri gabimisht në veri”, kështu raportuan shumica e mediave në Kosovë, pas hyrjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit.

Ky akt legjitim i një shteti sovran për të ushtruar autoritet mbi gjithë territorin e vet, ka bërë që disa media në Kosovë dhe në Shqipëri të reagojnë në mënyrë befasuese. Në vend që ta mbështesin këtë hap si një përpjekje për konsolidimin e shtetit dhe mbrojtjen e rendit kushtetues, ato zgjodhën ta portretizojnë si “provokim” ndaj komunitetit serb në veri.

Tonaliteti dhe përmbajtja e disa prej këtyre raportimeve linte të kuptohej sikur Serbia dhe strukturat e saj paralele në Kosovë janë “viktima” të një shteti që thjesht po vendos trupat e veta në territorin e vet. Kjo qasje nuk është thjesht e gabuar profesionalisht — ajo është rrezikshëm e njëanshme dhe në thelb përçon të njëjtën linjë që për vite me radhë është përdorur nga Beogradi për të mohuar dhe minuar shtetësinë e Kosovës.

Në një kontekst normal, do të pritej që media shqiptare, të paktën ajo në Kosovë e Shqipëri, të ishte më e qartë dhe më e vendosur kur vjen puna te mbrojtja e sovranitetit të shtetit të Kosovës. Mirëpo, përkundrazi, kemi një situatë ku analiza dhe raportimi shpesh shmang termat si “strukturat ilegale serbe” dhe “pushtimi institucional në veri”, duke preferuar fjalime neutralizuese si “përkeqësim situate” apo “tension ndërmjet komuniteteve”.

Ky relativizim është i rrezikshëm. Ai i jep legjitimitet një narrative të përpunuar mirë nga makineria propagandistike e Beogradit, e cila nuk ka pushuar asnjëherë së paraqituri Kosovën si “zonë të diskutueshme”, e jo si shtet të pavarur me të drejtën e vet të brendshme dhe ndërkombëtare për të kontrolluar çdo centimetër të territorit të saj.

Askush nuk po kërkon që mediat të bëhen zëdhënëse të qeverisë, por është legjitime të kërkohet që ato të mos bëhen zëdhënëse të interesave të huaja që dëmtojnë shtetin. Në një moment kur Serbia, me ndihmën e aleatëve të saj rusë dhe me mbështetje propagandistike, po synon të minojë themelet e pavarësisë së Kosovës, është e papranueshme që brenda vetë Kosovës të ketë media që amplifikojnë këto mesazhe.

Nuk është e tepërt të thuhet se në këtë betejë për integritetin territorial të Kosovës, fjala është armë. Dhe nëse kjo armë përdoret kundër vendit, ajo nuk është më pjesë e lirisë së shprehjes — por e një lufte të re, të padukshme, që zhvillohet me mjete propagandistike.

FSK-ja në veri nuk është provokim. Është detyrë. Është funksion normal i një shteti që ka të drejtë dhe përgjegjësi për të ruajtur rendin, sigurinë dhe integritetin territorial. Mediat që e përshkruajnë këtë veprim si të tepruar, të rrezikshëm, apo si shkak të tensioneve, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, po e ndihmojnë një narrativë që e mohon vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Është koha që diskursi mediatik të vendoset në shërbim të së vërtetës dhe të interesit publik — dhe ajo e vërtetë është se Kosova është shtet, me kufij të njohur, me institucione legjitime, dhe me të drejtën për të qenë e pranishme kudo në territorin e vet.

Përgjegjësia ndaj vendit dhe ‘tendenca’ për mbulim mediatik të gjenocidit serb

Gazetari Gëzim Olluri, thotë se nuk është vetëm raportim, por tentativë që përmes raportimit të krijohet narracion që nuk prodhon asgjë tjetër veçse pasoja te opinioni publik kundër Kosovës.

Sipas tij, ka përjashtime, por ekziston tendenca nga disa media që ushtria dhe policia të pasqyrohen negativisht para publikut.

“Fakti që shkuarja e FSK-së në veri, pra në një pjesë të Kosovës, është portretizuar si gabim, nuk është thjesht një raportim, por tentativë që përmes raportimit të krijohet narracion që nuk prodhon asgjë tjetër veçse pasoja tek opinioni publik, rrjedhimisht edhe kundër Kosovës. Raportimi është përdor thjesht si tel përçues. Disa e kanë bërë me dashje, disa pa dashje. Ka dhe përjashtime, kuptohet. Ushtria dhe Policia mbesin dy institucionet më të besueshme në Kosovë dhe ekziston një tendencë nga disa media që këto të pasqyrohen negativisht para publikut”, deklaron Olluri për “Bota sot”.

ImageGazetari Gëzim OlluriFoto galeri
Sipas tij, këto media veprojnë në Kosovë dhe minimalisht duhet të kenë përgjegjësi ndaj këtij vendi.

“Ky nuk duhet të nënkuptohet sulm ndaj mediave, por si kritikë edhe pse e di që kritikën vështirë e kuptojnë ata që nuk e kuptojnë gazetarinë. Në fund të fundit, këto media veprojnë në Kosovë dhe minimalisht duhet të kenë përgjegjësi ndaj këtij vendi. Mirëpo, vetë titujt medial në të njëjtën linjë “FSK shkon gabim në Veri”, i thotë të gjitha. Fatkeqësisht, Serbia i ka disa megafona të saj edhe nëpër disa media e studio televizive. Atëherë kur këta megafonë po arrestohen nën dyshime për spiunazh, këto media po heshtin. Pushteti medial ka përgjegjësi për raportimet dhe fatkeqësisht tek ne ky pushtet nuk ka pikë përgjegjësie”, thekson gazetari.

I pyetur pse mungon sot në hapësirën mediatike shqiptare një frymë e qartë mbrojtëse ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, Olluri thotë se nëse pushteti medial nuk është objektiv ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, të paktën nuk duhet t’iu sjellë dëme.

“Jo vetëm sot, edhe dje, çdoherë. Që të mos përgjithësoj, ka edhe gazetarë të besueshëm, korrekt dhe profesionist. Mirëpo, nëse pushteti medial nuk është objektiv ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, të paktën nuk duhet t’iu sjellë dëme. Kjo do analizë të thelluar, por ata që e kuptojnë rëndësinë e raportimit, e dinë ndikimin e gazetarisë tek publiku brenda e jashtë kufijve”, shton Olluri.

Gjenocidi serb po tentohet të mbulohet mediakisht, thotë Olluri, gjersa përmend edhe rastet kur mediat kanë mbështetur raportimet për marrëveshjet e dëmshme.

“Një titull, një lajm, një analizë, në vetvete duket se nuk kanë peshë, por kur shumësohen qindra tituj e tekste, atëherë mjegullnaja dhe narracioni veçse janë gatuar dhe priti pasojat. Nuk është mendimi im, por është fakt, i kemi parë mediat në të kaluarën çfarë mbështetje me raportime i kanë dhënë marrëveshjeve të dëmshme siç është rasti i Zajednicës, Gjykatës Speciale dhe Demarkacionit. I kemi parë me vite një mori mediash sesi kanë shkru zi e terr për UÇK-në. Shihni çfarë gjenocidi ka kryer Serbia në Kosovë në luftën e viteve 1998-1999 dhe shihni sa është mbuluar e mbulohet mediatikisht. Nëse edhe për këso raste nuk ndjejnë përgjegjësi, të paktën për hir të së vërtetës, atëherë ku është lorza e tyre”, përfundon Olluri.

Ndërsa, avokati Gazmend Halilaj, thotë se qasja e raportimit ngre disa pyetje të rëndësishme ligjore dhe politike.

“Pas vendosjes së pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit, një pjesë e mediave reaguan me tone të ashpra, duke e portretizuar këtë veprim si “provokim ndaj komunitetit serb”. Në vend që të shihej si një ushtrim i ligjshëm i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, u krijua narrativa e rrezikshme e viktimizimit të palës që tradicionalisht ka kundërshtuar autoritetin e shtetit të Kosovës. Kjo qasje ngre disa pyetje të rëndësishme ligjore dhe politike”, shprehet Halilaj.

ImageGazmend HalilajFoto galeri
Ai përmend pyetjet e rëndësishme, që sipas tij, janë tri.

“1. E drejta dhe detyrimi për ushtrimin e sovranitetit Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, territori i vendit është unik, i pandashëm dhe i pacenueshëm. Asnjë pjesë e territorit nuk mund të përjashtohet nga zbatimi i autoritetit shtetëror, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Prandaj, prania e FSK-së në veri nuk përbën provokim, por është zbatim i plotë i parimeve kushtetuese dhe sovrane të shtetit. Përkundrazi, mungesa e autoritetit të forcave shtetërore do të ishte shkelje e rendit kushtetues dhe do të linte hapësirë për struktura paralele dhe ndikim të huaj”.

“2. Roli i mediave dhe përgjegjësia profesionale; Mediet në një shtet demokratik kanë të drejtë të jenë kritike, por gjithmonë mbi bazën e fakteve dhe të respektimit të interesit publik. Kur një pjesë e mediave adopton gjuhën, termat dhe këndvështrimin që përkon me narrativën e Beogradit zyrtar, atëherë ato rrezikojnë të bëhen zëdhënëse të interesave të huaja, jo të qytetarëve të Kosovës. Ky fenomen e dobëson diskursin e brendshëm kombëtar dhe minon unitetin institucional për çështje që prekin sovranitetin”.

“3. Mungesa e një fryme mbrojtëse në hapësirën mediatike Në hapësirën publike shqiptare, shpesh mungon një frymë e koordinuar mbrojtëse ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Ai përmend edhe arsyet pse ndodh kjo, gjersa shton se FSK është institucion kushtetues dhe se prania e saj në çdo pjesë të territorit është e drejtë legjitime dhe detyrë shtetërore.

“Kjo ndodh për disa arsye: • Polarizimi politik i skajshëm, që bën që çdo veprim institucional të shihet përmes lenteve partiake; • Varësia ekonomike dhe editoriale e mediave, që ndikon në formimin e qëndrimeve editoriale; • Dhe mungesa e një kulture strategjike shtetformuese, ku mbrojtja e sovranitetit të shihet si vlerë e përbashkët, e jo si axhendë e një partie apo qeverie. 4. Përfundim FSK-ja është institucion kushtetues, i krijuar me ligj, që vepron në bazë të mandatit të dhënë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Prania e saj në çdo pjesë të territorit është e drejtë legjitime dhe detyrë shtetërore. Çdo përpjekje për ta portretizuar këtë si provokim përbën dëmtim të perceptimit të sovranitetit të brendshëm dhe të legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë kuadër, është detyrë e mediave, shoqërisë civile dhe institucioneve që të kultivojnë një diskurs të përgjegjshëm dhe shtetformues, ku interesat kombëtare dhe integriteti territorial të mbrohen me dinjitet, jo të relativizohen në emër të “neutralitetit mediatik””, përfundon Halilaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *