“Foto sa 1000 fjalë”, analisti nga Shqipëria ‘godet’ Ramën e LDK-në: Kujt do të ja merrte mendja se…
Kryetari në detyrë i Prishtinës dhe kandidati tashmë në balotazh për mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, ka marrë pjesë dje në protestën e organizuar nga veteranët në mbështetje të ish- ushtarëve të UÇK-së dhe kundër Gjykatës Speciale.
I shoqëruar edhe nga djali i ish- presidentit Hashim Thaçi, Rama shihej i buzëqeshur, ndërsa në shkrimin e tij në Facebook, ai shkroi se sheshi i Tiranës ka një zë.
“Sot, ky shesh frymon me gjakun dhe nderin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë!
Sot, ky shesh është zemra e kombit që rrah me një ritëm të vetëm: ritmin e dinjitetit, të kujtesës dhe të krenarisë!
Në këtë shesh, përkulemi me mirënjohje para atyre që rrokën pushkën për nder, për tokë, për gjuhë.
Sot, jemi bashkë për t’i dhënë zë asaj të vërtete që s’mund të heshtet: Se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, çlirimtare! Se gjaku i djemve e vajzave të UÇK-së është themel i shtetit të Kosovës dhe forca e gjallë e qenies shqiptare në Ballkan.
Nga ky shesh, le të ngrihet një zë i vetëm: Nder për luftëtarët e lirisë! Krenari për bijtë e kombit! Drejtësi për çlirimtarët!”, ka shkruar Rama.
E ndaj pjesëmarrjes së tij ka reaguar analisti nga Shqipëria, Milaim Nela, i cili fotografinë e tij në protestë e cilëson si “foto që flet sa 1000 fjalë”.
Tutje, ai shkroi se “kujt do të ja merrte mendja se LDK-ja e Ibrahim Rugovës bie në llom kaq poshtë!?”