Dyshime për manipulimin e votave – Zyrtari i Guxo-s konfirmon: Faton Peci ka bërë kallëzim penal
Anëtari i kryesisë së listës Guxo, Kujtim Hajdaj e ka konfirmuar që kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, ka ngritur kallëzim penal
Ditë më parë, Peci përmes një postimi në Facebook, kishet paralajmëruar që se do ta ndërmerr një veprim të tillë.
“Pas analizës së thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe shqyrtimit të dëshmive e argumenteve të manipulimeve dhe ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve, njoftojmë opinionin se do të dorëzojmë kallëzim penal ndaj personave të mëposhtëm:
Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Visar Imeri, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë për dyshimin e bazuar të Cenimit të Përcaktimit të Lirë të Votuesve, të sanksionuar me nenin 210 dhe të Falsifikimit të Rezultateve të Votimit sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës”, ka shkruar Peci në Fcebook.
Anëtari i kryesisë së listës Guxo, Kujtim Hajdaj, në një prononcim për “Bota sot” ka deklaruar se për herë të parë në historinë zgjedhore të Kosovës, exit pollet kanë dëmtuar rëndë procesin zgjedhor.
Sipas tij, PDK dhe media të afërta me të shpallën disa herë gjatë ditës rezultate të rreme në favor të kandidatit të tyre Arian Tahiri, duke tentuar të manipulojnë opinionin publik kundër kandidatit të VV-së, Peci.
“Më gjithë faktin që zgjedhjet ishin të lira, të qeta dhe demokratike në zgjedhjet lokale në Kosovë…, ajo çka ndodhi atë ditë me 12 tetor në Mitrovicën e Jugut, ishte sa e pa pritshme aq edhe irrituese dhe e pa pranueshme për votuesit dhe qytetarët e Mitrovicës. Dhe me sa e di unë, kurrë më parë nuk ka ndodhur në historinë e zgjedhjeve në Kosovën e lirë dhe të pavarur, qoftë në ato qendrore apo lokale, që agjencionet që bëjnë matjen e rezultateve zgjedhore-exit pollet – të kenë dëmtuar aq rëndë procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe gjetiu në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës dhe disa burime të saja të afërta mediatike duke e parë se kandidati i tyre Arian Tahiri kishte gjasa minimale të fitojë përballë Faton Pecit në Mitrovicë, organizuan një komplot të paparë kundër kandidatit të Lëvizjes VETËVENDOSJE, duke e shpallur rezultatin e parakohshëm zgjedhor – disa herë brenda ditës – në favor të kandidatit të tyre, Arian Tahiri. Dhe sigurisht, ai veprim skandaloz i patë shqetësuar tej mase elektoratin dhe qytetarët e Mitrovicës së Jugut, duke mos besuar se diçka e tillë mund të ndodhte”, ka shpjeguar ai.
Gjithashtu, Hajdaj ka thënë se Peci ka bërë kallëzim penal ndaj shkelësve të procesit zgjedhor në Mitrovicë të Jugut, duke mbrojtur votën e lirë dhe demokracinë.
“Tanimë, kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE, Faton Peci, i gjindur në atë situatë të pa precedentë në Kosovë, ndërmori masa të duhura pranë organeve tona të drejtësisë duke bërë kallxim penal kundër shkelësve të zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Mitrovicën e Jugut. Dhe mendoj unë, kjo siq ka vepruar Faton Peci është shumë e drejtë dhe konsideroj se ai nuk e ka bërë këtë vetëm për vetën e tij, por para se gjithash, sepse ka konsideruar se është cenuar vota e lirë e qytetarëve dhe vet demokracia në Kosovë. Fatkeqësisht, këto agjencione – exit polle – qoftë anonime apo publike, me aktin e bërë të trafikimit me votën e lirë të qytetarëve tanë jo vetëm në Mitrovicë, tanimë veç e kanë dëmtuar procesin zgjedhor dhe cenuar rëndë demokracinë e shtetit tonë të pavarur dhe demokratik”, ka shtuar ai.
Në fund, Hajdaj tha se PDK dhe mediat e saj po vazhdojnë propagandën kundër Pecit, pasi kandidati i tyre është në pozitë të pafavorshme pas skandalit me exit pollet.
Ai kërkoi që prokuroria të veprojë ndaj falsifikatorëve që tentuan të cenojnë votën e lirë më 12 tetor në Mitrovicën e Jugut
“Me gjithë ato veprime skandaloze dhe antidemokratike, ju e keni parë se PDK me disa media dhe portale te afërta me të, po vazhdojnë edhe më tutje të prodhojnë raste tjera të mashtrimit duke propaganduar kundër Faton Peci, kjo për shkak se janë duke e parë se kandidati i tyre gjindet në një pozitë të pa volitshme (pas atij skandali të paparë të exit- polleve) për t’i fituar zgjedhjet në rundin e dytë në balotazh. Unë besoj shumë se prokuroria e jonë duhet të veprojë dhe t’i ndëshkojë rëndë falsifikatorët e rezultatit të zgjedhjeve të 12 tetorit, që dështen me shkel vullnetin dhe votën e lirë demokratike të qytetarëve në Mitrovicën e Jugut”, ka përfunduar Hajdaj.