OPINIONTË FUNDIT

“Nga zëri i Vuçiqit te avokati i Thaçit” / Nela ‘shpërthen’ ndaj Ramës: Ka tradhtuar Kosovën për pushtet, po luan me…!

Publicisti Milaim Nela ka kritikuar ashpër protestën e organizuar sot në Tiranë nga kryeministri Edi Rama në emër të mbështetjes për UÇK-në dhe ish-udhëheqësit e saj që po gjykohen në Hagë.

Sipas Nelës, kjo protestë është jo vetëm e pavend dhe hipokrite, por edhe pjesë e një loje politike të rrezikshme që Rama po zhvillon në dëm të interesave të Kosovës, përcjell “Bota sot”.

Ai kujton se vetë Rama ka qenë ndër shtytësit kryesorë për miratimin e Gjykatës Speciale dhe e akuzon atë për bashkëpunim me interesat serbe në rajon, duke renditur një sërë veprimesh që sipas tij e dëshmojnë këtë qasje.

Shkrimi i plotë

Për çfarë e kundër kujt është protesta e Edi Ramës?

Sot në Tiranë është thirrur një proteste në mbrojtje të UÇK-së dhe disa udhëheqësve të saj të cilët prej 5 vitesh ndodhen në gjykim në Hagë nga Gjykata Speciale e Kosovës.

Se pse kjo thirret në Tiranë këtë vetëm Edi Rama e di!

Ata që kanë kujtesë e dinë fort mirë se ky Edi që sot lufton kundër SPECIALES e i digjet shpirti për Hashim Thaçin nuk la gur pa luajtur deri sa fluturoi me helikopter kryeministror drejt Prishtinës për t’i bindur ata që sot janë në burg ta miratonin Gjykatën Speciale sepse ajo ishte në interes të Kosovës!

Se kah i ka ardhë Edit kjo dashuri për Thaçin këtë vetëm Edi mund ta dijë se Hashimi nëse nuk është i shantazhuar nuk besoj se e di!

Edi Rama e kam thënë shumë herë në këtë faqe pas Enver Hoxhës është njeriu që më së shumti e ka dëmtuar Kosovën.

Edi Rama bindi Thaçin të miratojë një gjykatë që ishte e njëanshme dhe do gjykonte jo xhelatin (Serbinë) por viktimën (Kosovën).

Në atë kohë edhe bufi e dinte se nëse miratohej Thaçi do ishte i pari që do të plasej brenda e realisht ashtu ndodhi!

Edi Rama vazhdon sot e kësaj dite të punojë në dëm të Kosovës e pro Vuçiçit të Serbisë!

Thaçi i duhej në burg atëherë sepse duke dërguar në Hagë kupolën e UÇK-së atëherë i jepte poena politike vëllait të tij në Beograd e i tregonte botës se shkaku i konfliktit civil (siç e quante ai) në ish Jugosllavi ishin shqiptarët e jo serbët!

Thaçi i duhet Edit jashtë burgut sot sepse Vuçiçi nuk po gjen derman e nuk po mundën ta rrëzojë qeverinë e Albin Kurtit!

Kaq naive po tregohet opozita e Kosovës në këtë lojë me UÇK të Edi Ramës sa plasja më vjen e nuk e di se çfarë duhet të bëjë tjetër Rama që këta të binden se ky për Kosovën nuk ndryshon fare nga Ivica Daçiçi e në mos është më i keq!

Kundër Albin Kurtit sot janë;

– Aleksandër Vuçiçi i cili e konsideron Kurtin pushtues dhe shtypës të serbëve të Veriut!

– Llomi i gazetaro-analistëve të banaqeve të Kosovës dhe Shqipërisë që kanë krijuar narrativën “anti-amerikane” të qeverisë së Kosovës!

Këta tani jo rrallë shkojnë deri atje sa ta quajnë Kurtin agjent serb dhe pa drojë fare i krahasojnë të drejtat e sërbeve sot në veri të Kosovës pra në “tokën e askujt” siç e quan Edi Rama me të drejtat e shqiptarëve të Kosovës nën rregjimin e Milosheviçit!

Deri këtu shkon marrëzia.

– Opozita naive e Kosovës që mendon se vetëm me ndihmën e Edi Ramës do mund të kthehet në pushtet!

UÇK-në pra o vllazën të Kosovës do ta mbrojë Rama i cili krijoi ‘Ballkanin e Hapur’ kundër interesit të Kosovës e pa Kosovën!

UÇK-në do ta mbrojë Rama që në sulmin terrorist shtetëror të Banjskës mbajti qartazi anën e Vuçiçit e hapur me zë e figurë mbajti anën e tij.

UÇK-në do ta mbrojë Rama i cili në arrestimin e tre efektivëve të policisë së Kosovës brenda territorit të saj nga forcat serbe në dhunim të marrëveshjeve dhe ligjit nderkombetar mbajti anën dhe bëri avokatinë e Serbisë!

UÇK-në do ta mbrojë Rama i cili nuk hoqi dorë asnjëherë nga shkëmbimi i territoreve me Serbinë (një kurth tjetër ky në të cilin e futi Thaçin).

UÇK-në do ta mbrojë Rama i cili nuk la gur pa luajtur kundër një vepre si Rruga e Kombit që lidh dhe integron dy pjesët e kombit më shumë se çdo gjë tjetër. E pat quajtur atëherë rruga e askundit.

UÇĶ-në do ta mbrojë Rama që po lufton për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe më shumë se sa vetë Vuçiçi.

***

Nëse Rama është i sinqertë në mbrojtje të interesit të Kosovës duhet të:

A) të kërkojë dhe të punijë fort për njohjen e saj nga 5 vendet që nuk e kanë njohur.

B) të organizojë protesta e të kërkojë me forcë diplomatike e politike heqjen e sanksioneve idiote të “Dear Ursulave” të BE-se ndaj Kosovës!

C) të miratojë një rezolutë në parlamentin që e kontrollon me një lëvizje vetullash kundër gjenocidit serb në Kosovë.

D) të hapë një kanal televiziv të RTSH-se të dedikuar për krimet e Serbisë në Kosovë.

E) të heqë doganat gjobvënëse për shtetasit e Kosovës në rrugët e Shqipërisë!

F) të hapet dosja e të hetohet vrasja e gazetarit Ali Uka ne vitin 1997 e po ashtu vrasja e Ahmet Krasniqit dhe e Ilir Konushevcit

G) të ndalojë gjuhën përçmuese ndaj pushuesve shqiptarë të Kosovës të cilët frekuentojnë bregdetin shqiptar!

J) të punojë fort kundër Asociacionit në arenën nderkombëtare e t’i bindë ata se asocacioni është rrënim i shtetit dhe sovranitetit të Kosovës.

Protesta e sotme në “mbrojtje” të UÇĶ-së është edhe një test tjetër për të kuptuar se kush janë soroistët më të zellshëm nga i gjithë spektri politik duke filluar nga presidentja (populiste) e Kosovës e duke mbaruar me kryetarin e Komunës së Prishtinës që duke mbushur autobuzët për turbofolkun e Edi Ramës beson se edhe do marrë vota nga kampi i PDK-se për një mandat tjetër në Prishtinë!

Për fund, kjo protestë luan me ndjenjat e shqiptareve për ushtrinë çlirimtare të Kosovës por nuk është në interes të saj.

Ajo ndihmon Edi Ramën dhe të adhuruarit e tij por jo interesin e shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës.

Mos bini pre e këtij pisllëku!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *