Kur kriminelët po dalin në paradë: PAN-i proteston kundër Hagës, në emër të “patriotizmit”!
Ndodhë edhe kjo: Krerët dhe eksponentët e OVL të UÇK-së të LPK-së, alias të PAN-it dhe ndoca shoqata fantomë , kinse, “të dala nga lufta”, me përkrahjen e Tiranës zyrtare, social-komuniste, kanë ftuar në protestë kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë!
Një grup nga ish-Kryesia e LPK-së, të cilët njihen si themelues të UÇK-së të LPK-së, sipas tyre, “këtë UÇK nuk arritëm ta angazhojmë kurrë në luftën e Kosovës”. Gjithnjë sipas tyre, kjo u pengua nga: Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, renditja sipas pozitave që mbanin në atë kohë. Katërshja në fjalë, në sabotimin e luftës në Kosovë, bashkëpunuan me Shërbimet Informative të Francës, të Serbisë dhe, aludimin për Sigurimin Shqiptar, SHISH, të Shqipërisë. Dhe, sipas ish-anëtarëve të Kryesisë të LPK-së, sabotimin e katërshes të cituar, e konsiderojnë tradhti të lartë ndaj Kosovës. Këto akuza janë publikuar në gazetë, më 2018.
Krerët dhe eksponentët të UÇK-së, të LPK-së, janë identifikuar dhe akuzuar nga UNMIK-u dhe populli i Kosovës, se zbatuan dy projekte armiqësore të Serbisë kundër Kosovës:
1) Organizuan protestat vandaliste të mars-prillit 2004, me ç` rast u vunë flakën shtëpive dhe kishave serbe, duke mbetur të vrarë 19 viktima. Pasojat ishin fatale për Kosovën, sepse u imponua decentralizimi i pushtetit lokal, fshat e komunë serbe; lindi ideja e Asociacionit për komunat serbe;
2) Beogradi zyrtar ua besoi dhe dorëzoi OVL të UÇK-së të LPK-së, pra, PAN-it, Dosjet e Gjykatës së Hagës, pikërisht, në selinë e kësaj shoqate. Qëllimi: nxitja e gjakderdhjes ndër shqiptare në Kosovë dhe pengimin e drejtësisë të Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë!
Kryeministri manipulator shqiptar, Edvin Rama, ta lërë demagogjinë e patriotizmit të rremë. Madje, kurrëfarë patriotizmi nuk është ta fsheshësh krimin. Përkundrazi, është penalizuese me ligj dhe Kanun. Ai duhet të sqarohet pse nuk i vënë para drejtësisë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët zyrtarë të Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit; zëdhënësin e parë të UÇK-së, Ali Ukaj, gazetar; vrasjen e oficerëve Ilir Konushevcin, Sadri Ramqaj, Qazim Jakupin; të kuadrove të Emergjencës të luftës, Dr. Hazir Malaj, Muharrfem Tafa, Rushit Elezin, Ibrahim dhe Rexhep Nikçin. Kidnapimin dhe zhdukjen e 11 ushtarëve, të nisur nga Shtabi Institucional i Kosovës, me seli në Tiranë, por nuk arritën kurrë në Koshare dhe as që u panë më në jetë, siç deklaron ministri Mbrojtjes, Kolonel Halil Bicaj, dhe të tjerë. Të gjithë të ekzekutuar në territorin e Shqipërisë!
Prapa OVL të UÇK-së qëndron PAN-i, me armatën e, të paktën, 65 mijë nëpunësve shtetërorë; 30 mijë anëtarë të SHIK-ut; 45.500 veteranët e rrejshëm, të cilët deri tani kanë zhvatur 206 milionë euro nga buxheti shtetëror. Dhe, kjo gjakderdhje financiare vazhdon, duke legalizuar makro-hajninë zyrtare. Një turp i shekullit, që ka bashkuar të gjithë spektrin politik të Kosovës!
PAN-i humbës i tri palë zgjedhjeve radhazi, kërkon të fitojë duke keqpërdorur demokracinë e mashtruar popullin, akuzon Institucionet e Kosovës “pse nuk po bëjnë asgjë për lirimin e 4 “luftëtarëve”, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që kanë vepruar si një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, një emërtesë e saktë juridike, përkatësisht, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit. Por, tre të parët nuk ishin pjesë e luftës, madje as në Kosovë gjatë luftës! Pra, jo vetëm që nuk janë krerë të luftës, por as bishti i saj.
PAN-i, me argatët e tij, OVL të UÇK-së provinciale, sepse ata nuk përfaqësojnë veteranët e vërtetë të luftës, por vetëm veteranët e rrejshëm, të cilët vetë i kanë falsifikuar e shumëzuar me pesëfishin, duke i bërë klientelë elektorale të subjekteve politike: PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN-in kriminal. Ata shpifin se nuk ua paguajnë dhjetra avokatër matrapazë e grykës ndërkombëtarë, tmerrësisht të kushtueshëm, madje krejt të panevojshëm, sepse shtatoret, bustët, varret e kundërshtarëve politikë cilësorë shqiptarë, të vrarë nga disa “komandantë”, me bandat e tyre, janë anekënd Kosovës. Realisht, në 7 (shtatë) vitet e fundit, nga buxheti i varfër i Kosovës, janë paguar 276 milionë euro, për Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë! “Luaje macë, kryet e buallit!”
Protestat karnevaleske të PAN-it, në Sheshin “Skënderbeu” në Tiranë si dhe ajo e dhjetëra motoristëve, të cilët po përshkojnë Evropën, për të zhurmuar në rrugët e Hagës, Brukselit dhe, ndoshta, edhe të Strasburgut! Ngjason me qenë më shumë kundër Kurtit dhe Vetëvendosjes së tij, se sa për misionin e proklamuar, me bujë dhe pompë! Një turp kombëtar! Disa “biçim komandantësh” kriminelë e shkatërruan Sistemin e Drejtësisë, për ta shmangur llogaridhënien për krimet e tyre serike, gjatë dhe pas luftës, në stilin e filo-sllavit Enver Hoxha, gjatë LDB dhe pas saj.
Dhe, në pamundësi për t`i zbuluar, hetuar dhe dënuar “komandantet” mujsharë e zuzarë, Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, nuk mund të heshtnin për krimet serike e makabre, torturat dhe vrasjet e kundërshtarëve politikë, për ta marrë dhe mbajtur pushtetin, me dajak e plumb, kërkoi krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, sepse shteti i Kosovës ishte kapur i tëri nga krimi dhe kriminelët. Dhe, për siguri dhe drejtësi normale, u caktua Haga e Holandës, atje ku është edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Parlamenti i Kosovës, me 120 deputetë, e aprovoi këtë Gjykatë me 84 vota demokratike. Dhe, mirë bëri, sepse shteti nuk mund të funksionojë me krime nëpër këmbë. Disa kriminelë, të trimëruar nga mungesa e Drejtësisë në Kosovë, pacipërisht e cinikisht, thonë se “krimet e luftës dhe të pas luftës, tashmë, janë vjetruar dhe duhet harruar!” Por, kodi juridik thotë se “krimit nuk i skadon kurrë afati”.
Për çudë, deri dje, të paktën, tej 80 % të shqiptarëve, vendorë dhe botërorë, ishin për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e krimit dhe të kriminelëve. Ndërsa sot PAN-i ka organizuar të gjithë arsenalin kriminal mediatik, për ta ndryshuar këtë përqindje faktike. Në mënyrën më të poshtër dhe kriminale abuzohet me paranë e popullit, të shtetit, duke paguar qindra autobusë, vetura zyrtare, benzinë dhe naftë, duke humbur ditë pune, kotsekoti.
PAN-i i kriminalizuar vazhdon shantazhimin e shtetit, Qeverinë, popullin e Kosovës, për ta zhbërë Gjykatën Speciale, për ta shuar shpresën e vetme tek drejtësia ndërkombëtare, për qindra vrasje të kundërshtarëve politikë. Viktimat ishin kategori cilësore, kryesisht, veprimtarë dhe luftëtarë të lirisë dhe atdhetarë të devotshëm. Ata, para se të shenjëstroheshin, ishin të përzgjedhur, të listuar ngeshëm, nga një Shtab kriminal, i cili për mision kishte marrjen e pushtetit dhe zhvatjen e pasurive të brezave shqiptarë.
Me ekzekutimin e ushtarakëve luftë bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; kuadro dhe veprimtarë të LDK-së; gazetarë – korrespodentë të luftës; veprimtarë të hershëm të LPK-së, edhe pse brenda llojit ideologjik, për ta shmangur konkurrencën e pritshme pushtetarë në liri, duke ia shtuar jetimët Kosovës, edhe ashtu të bollshëm nga lufta, për t`i veshur në zinë e përjetshme shumë qindra familje të viktimave dhe mijëra të tjera, që i ndërlidhë farefisnia dhe miqësia.
Mediat lehaqene mercenare të subjekteve politike PAN-iste, non-stop, 24 orëshe, nuk pushojnë se vjelluri vrerë, ndaj kundërshtarëve politikë, të gjallë dhe të vdekur. Dhe, megjithatë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës heshtë, sikur nuk po ndodhë asgjë! Ndërkohë që, një reagim i ligjshëm nga pala e viktimizuar, janë “hazërxhevap”, duke u ankuar në Evropë dhe botë, “për sulmin e padrejtë, kinse, po ua bënë pushteti!” Kësaj i thonë: “Ma mbaj kopilin, sa t`i them kurvë!” Dhe, “shyqyr që ra ky mort dhe u pamë!” Mirë thoshte një plak urtak i Gmicës të Kamenicës: “Nuk vdiq kush, pa u koritë!”