POLITIKATË FUNDIT

Helikopteri i Ramës për Hagë, përballë dinjitetit të Kurtit në Kosovë

Deri më tani, qeveria e Kosovës kishte mbajtur një qetësi të qëllimshme përballë zhvillimeve të fundit, por Albin Kurti, si zakonisht, zgjodhi të mos fshihet pas heshtjes diplomatike. Ai foli hapur, duke përdorur faqen e Lëvizjes Vetëvendosje për të sqaruar qëndrimin e tij rreth protestës, por edhe për t’i kujtuar Edi Ramës një të vërtetë të hidhur që askush në Tiranë nuk guxon ta thotë: Rama ishte ndër ata që shtynë drejt krijimit të Gjykatës Speciale, asaj që sot po gjykon çlirimtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti e tha troç, pa frikë dhe pa kalkulim politik: Rama duhet të ndjejë pendesë. Sepse historia nuk fshihet me propagandë, e as me spote televizive që lavdërojnë “liderin rajonal”. Kujtesa e Kosovës është e fortë, dhe njerëzit nuk harrojnë sesi ai, në një “vizitë emergjente me helikopter”, erdhi në Prishtinë për t’i bindur deputetët që të votonin pro Speciales një gjykatë që, nën petkun e drejtësisë ndërkombëtare, u kthye në mekanizëm selektiv për ndëshkimin e luftës çlirimtare.Rama mund të ketë helikopterë e podiume, por Kurti ka diçka më të fortë: besimin e popullit dhe guximin për të thënë të vërtetën. Ai nuk pranon që Kosova të trajtohet si provincë e Shqipërisë, e as që të heshtë kur interesat e saj përdoren për lojëra personale në Tiranë apo në Bruksel.

Në vend që të reflektojë mbi dëmin që i ka shkaktuar çështjes shqiptare, Rama zgjedh të sulmojë Kurtin, të etiketojë Kosovën, të luajë rolin e “të urtit” që shpërndan leksione nga lart. Por ajo që ai nuk kupton është se dinjiteti nuk matet me kilometra katrorë, as me tendera ndërkombëtarë, por me qëndrimin kur e gjithë bota të shtyp, e ti sërish ngul këmbë për të drejtën tënde. Albin Kurti e ka atë këmbëngulje. Ai e ka dëshmuar se politika mund të jetë edhe ndershmëri, edhe përballje. Dhe në këtë rast, përballja me Ramën nuk është personale është simbolike: përballja mes atyre që punojnë për Kosovën dhe atyre që punojnë mbi Kosovën.

Në fund, historia do të ndajë qartë rolet: njëri ngriti zërin për dinjitetin e popullit të vet, tjetri ngriti helikopterin për ta bindur Kosovën të përkulej. Dhe ky dallim, sado që Rama të përpiqet ta fshehë me fjalë të bukura, do të mbetet vulë në ndërgjegjen kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *