POLITIKATË FUNDIT

Vetëvendosje riktheu rendin në veri të Kosovës dhe fitoi besimin e qytetarëve në zgjedhjet lokale

Të dielën u mbajtën zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. Procesi zgjedhor është mbajtur në të gjitha komunat e vendit, ku qytetarët patën mundësinë të zgjedhin udhëheqësit e rinj lokalë për një mandat katërvjeçar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pjesëmarrja e përgjithshme e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë rreth 40 për qind, një përqindje që, sipas vëzhguesve, është disi më e ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale.

Procesi zgjedhor, sipas raportimeve të para të KQZ-së dhe organizatave vëzhguese, është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente madhore.

Analistët vlerësojnë, se në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje në bashkëpunim me partnerë ka shënuar një rritje përkundër zgjedhjeve të kaluara.

Hajdaj: Në këto zgjedhje lokale të 12 tetorit, LV-GUXO-ALT dolën mjaft suksesshëm

Anëtari i kryesisë së listës Guxo, Kujtim Hajdaj, deklaroi se koalicioni LV–GUXO–ALT ka shënuar sukses të madh në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke fituar 3 komuna (praktikisht 4 me Gjilanin) dhe duke u rritur ndjeshëm në numrin e asamblistëve.

Ai theksoi se ky rezultat vjen si pasojë e qeverisjes me duar të pastra, pa afera korruptive, dhe e fushatës dinjitoze me kandidatë kredibilë e programe të mirë përgatitura.

Hajdaj shtoi se koalicioni ka gjasa reale të fitojë shumicën e komunave në balotazh.

“Po shikoni, tashmë u bë e qartë se përveç zgjedhjeve parlamentare që LV i fitoi bindshëm me partnerët e saj bashkë qeverisës GUXO-ALT, në zgjedhjet e 9 shkurtit, edhe në këto zgjedhje lokale të 12 tetorit, LV-GUXO-ALT dolën mjaft suksesshëm duke i fituar 3 komuna e praktikisht 4 me Gjilanin, dhe duke shënuar kështu një ngritje të konsiderueshme me asamblist në ulëset e ardhshme të kuvendeve komunale. Kjo rritje dhe ky besim është si rezultat i udhëheqjes se suksesshme që LV ka shënuar në nivelin lokal edhe atë qendror: me duar të pastëra, dhe pa afera korruptive.

Përveç kësaj, LV-GUXO-ALT kanë zhvilluar një fushatë të dinjitetshme duke dalë me kandidatë kredibil dhe programe mirë të përgatitura qeverisëse për qeverisjen e ardhshme 5 vjeçare. Mos të harrojmë këtu, se LV-GUXO-ALT shkojnë në rundin e dytë në balotazh në shumicën e komunave dhe gjasat janë shumë reale dhe të pritshme që LV me partnerët e vet qeverisës GUXO-ALT, të fitojnë numrin me të madh të komunave në rrafshin e Kosovës” – thotë ai.

ImageAnëtari i kryesisë së listës Guxo, Kujtim HajdajFoto galeri
Hajdaj tha se, pavarësisht rezultateve të mira, procesi zgjedhor nuk ka kaluar pa probleme, duke përmendur rastin e Mitrovicës, ku sipas tij, PDK dhe disa media organizuan exit polle të rreme për të dëmtuar kandidatin e LV–GUXO–ALT, Faton Pecin.

Ai e quajti këtë veprim komplot të koordinuar që dëmtoi edhe imazhin demokratik të vendit.

Hajdaj shtoi se nëse nuk formohet qeveria Kurti 3, koalicioni do të hyjë edhe më i motivuar në zgjedhje të reja parlamentare.

Ai po ashtu reagoi ndaj propagandës së presidentit serb Vuçiq, duke theksuar se Lista “Srpska” sot është nën kontroll institucional dhe nuk mund të veprojë më si në të kaluarën kundër shtetit të Kosovës.

“Sigurisht, këto rezultate të mira nuk janë arritur edhe pa probleme duke e pasur parasysh sidomos rastin e Mitrovicës, ku është bërë një komplot i koordinuar i PDK-ës me disa nga mediumet në Kosovë, duke organizuar exit polle të rrejshme me qëllim për të dëmtuar kandidatin me të mirë që e ka LV-GUXO-ALT në Mitrovicë, Faton Pecin.

Ky rast i paprecedentë jo vetëm që kishte për qëllim të dëmtojë Faton Pecin, por e dëmtoi rëndë edhe imazhin demokratik të Kosovës. Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare – në rast se nuk do të formohet qeveria Kurti 3 – atëherë po, LV-GUXO-ALT do të hynë edhe më të motivuara në ato zgjedhje, kjo duke e parë suksesin e arritur në zgjedhjet lokale dhe ngritjen e besimit ndër qytetarët tanë në Kosovë.

Këtu deshta të shtoj edhe çështjen e propagandës që po e përhap Vuqiqi dhe dora e tij e zgjatur në Kosovë, se gjoja Lista “Srpska” është rikthyer “fuqishëm ” në këto zgjedhje lokale dhe se e paska “mundur ” Albin Kurtin. Sigurisht kjo është një propagandë tjetër e radhës sepse nuk është njësoj sikur në të kaluarën kur e kishim një Listë “Srpska” që bllokonin kufi, që barrikadoheshin, qe organizonin dhunë, që hapnin rrugë ilegale për trafiqe të ndryshme, që paguanin me dinarë (me thasë) kriminelët, e deri të akti terrorist që e organizuan në brendi të territorit sovran të Kosovës…, apo sikur sot me një Listë “Srpska” e disiplinuar dhe e kontrolluar nga institucionet tona shtetërore. Lista “Srpska” mund të garojë në zgjedhje si të gjitha partitë tjera në Kosovë, por kurrë më nën petkun e terrorizmit kundër shtetit tonë sovran, Republikës së Kosovës”, shton ai.

Aliçkaj: Populli i Kosovës i voton liderët e fortë, jo matrapazët

Veprimtari Agim Aliçkaj, vlerëson se zgjedhjet lokale të 12 tetorit u organizuan mirë dhe qytetarët e Kosovës treguan pjekuri demokratike, por kritikon gazetarët dhe analistët për njëanshmëri dhe përhapje konfuzioni me “exit poll”-e të parakohshme.

Ai thekson se, sipas rezultateve përfundimtare, Vetëvendosje ka shënuar përmirësim krahasuar me vitin 2021, pavarësisht sulmeve të shumta politike e mediatike.

Sipas tij, suksesi në zgjedhjet lokale varet më shumë nga cilësia e kandidatëve sesa nga përkatësia partiake.

“Zgjedhjet lokale të 12 tetorit ishin të organizuara mirë dhe populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për shumicën e gazetarëve dhe analistëve, të cilët janë shndërruar në njerëz të njëanshëm dhe shumë të mërzitshëm. Opinionet e tyre, së bashku me sondazhet dhe “exit poll”-et që filluan të publikoheshin para se të përfundonin zgjedhjet, krijuan një konfuzion të paparë. Megjithatë, me ardhjen graduale të rezultateve, situata u vu nën kontroll dhe të gjithë filluan të përballen me realitetin.

Me përfundimin e numërimit të votave – përfshirë ato me kusht dhe nga diaspora – besoj se vlerësimi i KDI-së konfirmohet, se Vetëvendosje (LVV) ka bërë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021.

E sulmuar nga agresori serb, i cili futi miliona dollarë brenda dhe jashtë Kosovës për ta shkatërruar atë, e goditur padrejtësisht nga disa aktorë ndërkombëtarë të shtyrë nga interesa të kota gjeopolitike, nga proserbët si Grenellët e Ramët, te një opozitë e sëmurë nga etja për pushtet, te një shtyp i shitur dhe shumë të tjerë – Vetëvendosje dhe koalicioni i saj duhet të jenë të kënaqur me rezultatet e arritura. Kjo tregon se populli e ka kuptuar se, pavarësisht gabimeve të mundshme, ata janë viktima të të këqijve sepse po punojnë në interes të shtetit dhe kombit.

Megjithatë, rezultatet në zgjedhjet lokale varen kryesisht nga cilësia e kandidatëve dhe jo gjithmonë lidhen me përkatësinë partiake. Shumë votues i njohin personalisht kandidatët dhe votojnë bazuar në vlerësime individuale. Disa kandidatë të LVV-së, dhe më pak nga partitë e tjera, fituan sepse ishin të njohur dhe kishin dëshmuar rezultate”, thotë ai.

ImageVeprimtari Agim AliçkajFoto galeri
Aliçkaj thekson disa raste të veçanta nga zgjedhjet lokale: fitoren bindëse të Ramiz Lladrovcit në Drenas, të cilën e sheh si fitore të sinqeritetit dhe punës kundër korrupsionit partiak; rezultatin në Pejë e quan të pakuptueshëm për shkak të qëndrimeve armiqësore të Gazmend Muhaxherit ndaj qeverisë; ndërsa votimin në Mitrovicë për kandidatin e PDK-së e konsideron zhgënjyes, duke theksuar se Vetëvendosje ka qenë forca që riktheu rendin dhe jetën normale në veri të vendit, prandaj sipas tij Faton Peci meritonte mbështetjen qytetare.

“Një rast veçanërisht mbresëlënës dhe shumë pozitiv për të ardhmen ishte fitorja bindëse e Ramiz Lladrovcit kundër kandidatit të përkrahur nga partia në Drenas. PDK mobilizoi të gjitha forcat kundër Ramizit, por sinqeriteti i tij, përkushtimi ndaj popullit dhe rezultatet e punës e mundën klikën e korruptuar partiake.

Rezultati në Pejë, ku Gazmend Muhaxheri mori më së shumti vota – megjithëse shkon në balotazh – është i pakuptueshëm. Si mund të votojnë qytetarët e Pejës për një kandidat që e ka krahasuar qeverinë demokratike të Kosovës me regjimin fashist të Millosheviqit?! Deklaratat e tij publike janë jo vetëm të rreme, por edhe armiqësore ndaj shtetit të Kosovës.

Rezultati në Mitrovicë (i ndarë në Veri e Jug nga PDK) është po ashtu zhgënjyes dhe i pakuptueshëm. Si mund të votojnë qytetarët e Mitrovicës për një kandidat të PDK-së – të së njëjtës parti që e la Veriun të bjerë nën çizmen e regjimit shovinist dhe kriminal të Vuçiqit? Qeveria Kurti, pra Vetëvendosje me Guxo dhe Alternativa, i dëboi bandat dhe solli nën kontroll të Kosovës pjesën veriore.

Ka filluar kthimi në shtëpitë, pronat dhe tokat stërgjyshore. Ka nisur ndërtimi i urave dhe i një jete normale për shqiptarët – por edhe për pakicën serbe. Jo shumë kohë më parë, shqiptarët as që guxonin t’i afroheshin urës së Ibrit nga frika se do të vriteshin nga bandat serbe. Një zhgënjim i plotë me votuesit e Mitrovicës, sidomos duke ditur që Faton Peci është kandidat serioz, i aftë dhe i dëshmuar”, vazhdon ai.

Në fund, Aliçkaj, thotë se fitorja e Listës Serbe në komunat me shumicë serbe është pasojë e lejimit të saj nga PDK, LDK dhe AAK/Nisma, të cilat ai i akuzon për nënshtrim ndaj presioneve ndërkombëtare.

Ai kërkon formimin e qeverisë nga Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa me Albin Kurtin në krye, pa përfshirjen e Listës Serbe, duke theksuar se vetëm kjo qeveri mund ta mbrojë sovranitetin e Kosovës dhe ta çojë vendin përpara.

“Fitorja e Listës Serbe në komunat e krijuara artificialisht me shumicë serbe nuk është surprizë. Për këtë nuk mund të fajësohet Vetëvendosje – por drejtpërdrejt dhe pa asnjë dyshim PDK, LDK dhe AAK/Nisma. Këto parti, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre në KQZ dhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – të trembur nga aktorët ndërkombëtarë dhe me shpresën për t’u rikthyer në pushtet me ndihmën e tyre – lejuan regjistrimin dhe pjesëmarrjen në jetën demokratike të një organizate hapur armiqësore, që as nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Ky është një fenomen absurd dhe rekord botëror që meriton të hyjë në Librin Guinness-it. Organizata armiqësore “Lista Srpska”, e cila punon hapur kundër Kosovës dhe drejtohet nga Beogradi, shfrytëzon “të drejtën” për ta shkatërruar “në mënyrë demokratike” shtetin e vet në interes të një shteti të huaj, Serbisë hegjemoniste.

Kjo e bën ekzistencialisht të domosdoshme formimin sa më të shpejtë të një Qeverie të Kosovës të udhëhequr nga fituesi i zgjedhjeve – Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa me Kryeministrin Albin Kurti – në koalicion me partitë e pakicave (përjashto Listën Serbe) dhe me LDK-në ose deputetë individualë të pakënaqur me udhëheqjet e partive të tyre. Përndryshe, nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme.

Kushdo që tenton të formojë qeveri me organizatën armiqësore Lista Serbe do të dështojë me turp.

Shpresa e vetme për ruajtjen dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës – dhe për mbajtjen nën kontroll të Listës Serbe, duke e detyruar ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – është që shteti të vazhdojë të udhëhiqet nga liderë të dëshmuar, me përvojë dhe aftësi të padiskutueshme: Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Jam i bindur se nëse mbahen zgjedhje të reja nacionale, më së shumti do të humbasë LDK-ja, nëse refuzon për të hyrë në koalicion me Vetëvendosjen, ndërsa Vetëvendosje me Guxo dhe Alternativa do të fitojnë më shumë se 50% të votave. Krerët e partive opozitare kanë deklaruar sa here se, nëse e marrin pushtetin, do ta kthejnë veriun nën kontroll të Serbisë.

Manipulimet për të ashtuquajturat “përçarje me miqtë ndërkombëtarë dhe Amerikën” nuk e mashtrojnë më popullin e Kosovës. Edhe Amerika, pavarësisht interesave të përkohshme gjeopolitike, në fund preferon liderë të fortë, të përkushtuar ndaj vendit të tyre – jo matrapazë të korruptuar”, – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *