Lladrovci ‘tronditi’ PDK-në me fitoren në Drenas – lëvizja e gabuar politike, që i ‘kushtoi’ shumë Memli Krasniqit!
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit sollën rezultate interesant dhe garë të “nxehtë” në shumë komuna.
Madje, shumica prej tyre kanë shkuar në balotazh dhe partitë do përballen sërish më 9 nëntor, derisa në numër të vogël ishin komunat që fituan në rundin e parë.
E një nga befasitë më të mëdha, ishte fitorja pa balotazh e Ramiz Lladrovcit në Drenas, i cili pas përjashtimit që ia bëri kryesia e PDK-së, garoi në zgjedhje vet pa mbështetje të ndonjë partie.
Rjedhimisht, humbja e PDK-së në Drenas ishte tronditëse, pasi që kjo komunë njihej si bastion i kësaj partie dhe mund të cilësohet si një “humbje e madhe”.
Humbja në këtë komunë nuk ishte vetëm simbolike – ajo shënonte një thyerje të besimit të votuesve ndaj kësaj partie dhe ngriste pikëpyetje të mëdha për strategjinë e saj politike, sidomos në nivel lokal. Përjashtimi i Ramiz Lladrovcit, i cili gëzonte një mbështetje të gjerë në bazë, duket të ketë qenë një lëvizje politike e gabuar, që përfundimisht i kushtoi shumë PDK-së.
Kjo ngjarje mund të interpretohet si një goditje e rëndë elektorale për PDK-në, duke dëshmuar se vendimet e marra në qendër nuk përputhen gjithmonë me vullnetin e elektoratit në terren.
Fitorja e Lladrovcit konfirmoi edhe njëherë se votuesit janë të gatshëm të ndëshkojnë partitë që nuk dëgjojnë zërin e tyre dhe që nuk i japin vlerë figurave lokale me ndikim real në komunitet.
Po ashtu, ky rezultat i jep Lladrovcit një fuqi të re politike dhe një legjitimitet të fuqishëm si lider lokal, duke e vendosur atë në një pozitë të favorshme për të ardhmen e tij politike, qoftë si i pavarur apo nëse vendos të rikthehet në ndonjë subjekt politik.
E ndikimin e kësaj fitore të Lladrovcit në PDK, folën analistët politikë.
Drenori: Ishte befasi fitorja e Lladrovcit pa balotazh
Së pari, analisti Xhavit Drenori komentoi për “Bota sot” rezultatin zgjedhor në Drenas dhe fitoren bindëse të Ramiz Lladrovcit.
ImageXhavit DrenoriFoto galeri
Ai tha se për shumicën ishte befasi kjo fitore e Lladrovcit, e që sipas tij ky i fundit pas këtij rezultati do synojë të forcojë pozitën e tij në nivel qendror.
“Besoj që sikur për shumicën e qytetarëve, sidomos në Drenas, edhe për mua ishte befasi që Lladrovci kaloi pa balotazh, që në raundin e parë, duke fituar 52 për qind të votave.
Tani se çka do të thotë kjo për PDK-në, mbtet të shihet. Realisht ne kemi pas situatë të ngjashme, kur këta dy krahë të PDK-së në momente të caktuara edhe dijnë të bëhen bashkë. Një gjë është e qartë që Lladrovci me këtë rezultat sikur do të provojë të forcojë pozicionin e tij në vendimmarrjen e PDK-së, mirëpo në bazë të asaj që kemi pa “kokën” e Memli Krasniqit e kërkon”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, ai nuk pret që Lladrovci të ‘pajtohet’ me PDK-në, pa ndryshuar gjërat në nivel qëndror të kësaj partie.
Po ashtu, tha se rezultatet e fundit zgjedhore i kanë bërë mirë Drenasit dhe pluralizmit politik në këtë komunë.
“Pra, nuk do të ketë përafrim të tij më PDK-në, pa u bërë ndryshimet në nivel qëndron në kuptimin si lloj hakmarrje për mosnominim e tij edhe për një mandat tjetër, prandaj unë jam i lumtur që PDK po humb atje për herë të parë dhe se sado që ata dy krahë janë nga i njëjti brum dhe në aspektin e mirëqeverisjes realisht nuk do ndryshojë diçka substanciale, por në aspketin e pruralizmit politik besoj që i ka bërë mirë kësaj komune.
Unë kam garuar në listën e LVV, përmes “Green për Drenasi”, e padyshim që jam i pakënaqur me rezultatin që kemi marrë, por fundja qytetarët vendosën ashtu dhe ne nuk mbetet tjetër veçse të pajtohemi dhe t’i urojmë fitoren”, përmbylli Xhavit Drenori për “Bota sot”.
Mehmeti: Drenasi duket të jetë si një befasi, por befasi e pritur
ImageGani MehmetiFoto galeri
Ndërsa, opinionisti Gani Mehmeti vlerëson se Drenasi ishte një “befasi e pritur”, pasi partia e injoroi një kryetar të suksesshëm.
“Drenasi duket të jetë si një befasi, por befasi e pritur. Them befasi e pritur, sepse, sa herë janë larguar apo injoruar të suksesshmit nga cila do parti, ajo parti ka pësuar. Raste të tilla ka pasur edhe më herët. Dhe, sa herë ka pasur raste të tilla në një parti, ajo parti është dobësuar dhe ka shkuar deri në ndarje.
Disi, njësoj ndodhi edhe me Drenasin, kur PDK nuk e kandidoi për kryetar të Drenasit Ramiz Lladrovcin e suksesshëm. Me një fjalë, është pritur dhe ndodhi”.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se PDK ka pësuar një ‘tronditje’ dhe duhet të marrë mësimi ajo dhe gjithë partitë e tjera politike, kur vendosin të përjashtojnë figura të suksesshme.
“Nuk është me rëndësi sa të duan të “mëdhenjtë” e partisë, me rëndësi të të duan votuesit apo zgjedhësit.
Kjo i ka kushtuar shumë PDK-së, e cila ka humbur një numër të madh përkrahësish, anëtarësh e votuesish të saj, sa vërtet ka pësuar tronditje, duke i kushtuar shtrenjtë kësaj partie.
Kjo për Partinë Demokratike do të thotë se ka humbje të madhe në Drenas, për çka duhet të marrin mësim të gjitha partitë politike që të kenë kujdes me njerëzit, gjegjësisht, me anëtarët e tyre të suksesshëm, sepse e pësojnë”, shtjelloi ai.
Në fund, opinionisti shtoi se Lladrovci vetëm se e kishte parashikuar këtë fitore pa balotazh.
“Ramiz Lladriovci, duke e njohur veten në raport me elektoratin e tij, formoi grupin e tij dhe fitoi bindshëm pa balotazh në rundin e parë të zgjedhjeve lokale. Ai e pa se, më mirë është të ecësh vetëm, sesa me gjithkë dhe ia doli”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.