TË FUNDIT

Ishte me të në momentin e arrestimit / Cila është lidhja e Milaim Zekës me spiunin e BIA-s serbe?

Pas hetimeve disa mujore nga Prokuroria Speciale, me asistencë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë, në Prishtinë është arrestuar Fatmir Sheholli nën dyshimet për spiunazh.

Shehollit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe janë kryer bastisje në vendbanimin e tij për të siguruar prova materiale.

Ndërkohë, arrestimi i Shehollit ka nxitur debate të gjera politike dhe publike, për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me disa figura të njohura të “krahut të luftës” dhe raporteve të përfolura me struktura politike të afërta me Listën Serbe, si dhe kriminelin serb Milan Radojçiq.

E në momentin e arrestimit, sipas dëshmisë së tij për media, gazetari Milaim Zeka është shprehur se ndodhej rastësisht me Shehollin në një kafene, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me rastin.

Por, analistët dhe njohësit e zhvillimeve në vend ngrenë dyshime për Zekën dhe lidhjet që kishte me Shehollin, të dyshuarin për spiunazh me Serbinë.

Lidhja e Shehollit me Milaim Zekën

Analisti Gani Qarri thotë se është e dyshimtë se si Fatmir Sheholli kishte lidhje me disa nga politikanët e krahut të luftës dhe Milaim Zekën, i cili ishte bashkë me Shehollin në momentin kur u arrestua ky i fundit.

“Arrestimi i spiunit të regjur të UDB-së dhe BIA-së së Serbisë, sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Ndaj, për shkaqe dhe arsye të forta, vet ministri Sveçla u kërkoi organeve të drejtësisë trajtim me seriozitetin më të lartë institucional të këtij rasti, kur dihet se ky njeri, për dy dekada, pati kontakte të ngushta me figurat kryesore politike, që nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Daut Haradinaj, deri te Enver Hasani, etj. Dhe përveç spiunimit të kuadrove me rëndësi, si dhe figurave të larta politike shqiptare në Kosovë, spiuni i Serbisë Fatmir Sheholli kishte marrë para nga BIA serbe edhe për publikimin në media të disa audio-bisedave komprometuese në Ministrinë për Kthim e Komunitete të Nenad Rashiqit, që në opinion u tha se i publikoi miku për kokë i Fatmir Shehollit dhe shoku i tij, Milaim Zeka, i cili edhe vet e pranoi se përgjimet për Nenad Rashiqin i kishte marrë nga spiuni i sapoarrestuar Fatmir Sheholli”, shprehet Qarri.

Sipas tij, është e çuditshme se si arriti një njeri i dyshuar për spiunazh të bëhet aq i rëndësishëm tek politikanët në Kosovë.

“Andaj, fakti se me rastin e arrestimit të spiunit të BIA-së serbe, Fatmir Sheholli, Milaim Zeka u gjet në një tavolinë me të, i cili madje u mor edhe në pyetje nga hetuesia për lidhjet e tij ‘miqësore’ me Shehollin, në zyrat e Policisë së Kosovës, dëshmon se koketimi i tyre ka rrënjë shumë të thella. Andaj, problemi i spiunazhit në favor të Serbisë kohët e fundit duket se është tepër i thellë dhe i fuqizuar jashtë mase – gjë që hetimet e drejtësisë ndoshta do ta vërtetojnë më së miri – por lind pyetja e patejkalueshme dhe shumë e dyshimtë: si u lidhën kaq fort dhe pashkëputshëm figurat kryesore udhëheqëse të të ashtuquajturave parti të dala nga lufta deri te matrapazët më të zhurmshëm me spiunin Fatmir Sheholli? Kështu që habit fort afërsia e frikshme e Fatmir Shehollit edhe me shumë figura të tjera të të ashtuquajturit ‘krahu i luftës’, dhe krijon dyshimin se si u bë një spiun kaq i njohur i UDB-së dhe BIA-së së Serbisë si Sheholli edhe subjekt kaq i preferuar për politikanë dhe ‘analist’ politik në televizionet e mafio-oligarkëve me adresa në Serbi, Maqedoninë e Veriut apo edhe në Mal të Zi”, shprehet Qarri.

Më tej, Qarri hedh dyshime se edhe Milaim Zeka bën të njëjtën punë si Sheholli.

“Derisa Fatmir Sheholli besohet se ka marrë para të majme nga BIA për publikimin në media të disa audio-bisedave në ministrinë e udhëhequr nga Nenad Rashiqi, auto-incizimet në fjalë i ka marrë edhe Milaim Zeka. Po çfarë i duheshin Milaimit ato? Apo ka marrë para edhe Milaimi nga BIA direkt ose përmes spiunit të saj Fatmir Sheholli, që të bëjë propagandë kundër konstituimit të Kuvendit të Kosovës, nëse nënkryetari i fundit nuk zgjidhet nga e ashtuquajtura ‘Listë Serbe’? Prandaj jo vetëm që nuk habit fakti se edhe kur u arrestua spiuni Sheholli, në shoqërimin e tij gjendej Milaim Zeka, por ata duket se edhe bëjnë të njëjtën punë, kanë për mision spiunazhin në favor të Serbisë dhe kjo i lidh ata që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe gjenden gjithkund bashkë”, nënvizon Qarri.

Siç thotë Qarri, krejt kjo bëhet me qëllim për realizimin e projekteve serbomëdha dhe dështimin e shtetit të brishtë të Kosovës, duke rekrutuar spiunë nga të gjitha shtresat dhe forcuar ish-agjenturat ekzistuese të spiunazhit shtetëror të Serbisë në Kosovë.

“Çështje që duhet analizuar mirë dhe të merren shumë seriozisht, duke hetuar në të gjitha dimensionet, ngase vërtet po bien erë të keqe, dhe ky spiunazh kaq i rafinuar pro-Serbisë mund të jetë shumë më i thellë dhe ta kërcënojë rëndë ardhmërinë e popullit dhe të shtetit tonë. Aktet e spiunimit në favor të Serbisë janë shpeshtuar shumë, sidomos pas shtrirjes së shtetësisë në veri dhe vendosjes së rendit e të ligjit gjithandej, për shkatërrimin e të arriturave pas pavarësimit të vendit, imponimin e një të ashtuquajture ‘republika srpska’ dhe ndarjen përfundimtare të shtetit të pavarur të Kosovës”, thotë Qarri.

“Andaj, qeveria, partitë politike dhe institucionet përkatëse të shtetit duhet të kërkojnë edhe ndihmën e qytetarëve për goditjen e madhe dhe shkatërrimin përfundimtar të qendrave të spiunazhit serb në Kosovë, të cilat përmes spiunëve shqipfolës po përpiqen të pengojnë avancimin në shtetndërtim dhe të rrezikojnë ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës. Propagandë e dimensioneve të luftës, që tash e sa kohë me ndihmën e spiunëve dhe televizioneve e mediave satelite shqipfolëse të saj me veprim në Kosovë, Serbia sikur ka arritur ta kontaminojë edhe ndërgjegjen e pastër patriotike dhe vetëdijen e fuqishme atdhetare të shqiptarëve të Kosovës, gjë që po shkakton ngarkesë të paparë emocionale te qytetarët dhe fut përçarje të thellë kombëtare gjithandej. Shteti duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri, ndryshe me një kastë të degraduar politike, media të shitura e biznese të varura nga spiunë të infiltruar të Serbisë, të cilat promovojnë krime dhe prodhojnë kriminelë të niveleve më të larta, vendi ynë po rrezikohet hapur të pësojë sërish ndonjë goditje të rëndë”, shpjegon Qarri.

Për fund, Qarri shprehet se nga gjykimi i Shehollit do të zbardhen edhe më shumë detaje të tjera, për çka mund të dalin në skenë edhe emra të tjerë të njohur të skenës politike.

“Edhe arrestimi i spiunit të Serbisë Fatmir Sheholli, mu në kohën kur ishin duke qëndruar bashkë me Milaim Zekën, hedh dyshime të forta se kjo nuk ishte rastësi dhe, përveç dyshimeve të bazuara për afërsinë e madhe ndërmjet tyre, nga procesi i ndalimit të Shehollit përfundimisht pritet të dalin të ‘përlyer’ shumë figura të tjera publike dhe personalitete politike, që për kohë të gjatë jo vetëm janë shoqëruar, por edhe kanë punuar bashkë me veteranin e UDB–BIA-së Fatmir Sheholli dhe spiunë të tjerë për Serbinë”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.

Dosjet e Shehollit

Kurse analisti Faton Mehmeti deklaron se dihej publikisht se Fatmir Sheholli ishte një spiun i BIA-s serbe.

“Dihet qysh moti se Fatmir Sheholli është spiun, mirëpo një pjesë e madhe e njerëzve të cilët nuk kanë qenë fare në luftë, siç u dëshmua edhe në Gjykatën e Hagës, nuk kanë qenë pra fare pjesëmarrës në luftë – thjesht kanë qenë njerëz që kanë pasur një të kaluar jo të mirë dhe e kanë përdorur, si me thënë, kyçjen në UÇK si një lloj lavatriçe për t’u pastruar”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, Fatmir Sheholli i kishte shantazhuar me dosje krahun e luftës, për çka ishte shërbyer edhe me favore nga ta.

“Edhe duke qenë se Fatmir Sheholli ka qenë pjesë e UDB-së, ai i ka ditur dosjet e tyre dhe, thjesht, për të mos hapur gojën e për të mos treguar se kush janë, edhe janë shoqëruar me të dhe e kanë bërë edhe analist, se një pjesë e tyre janë edhe pronarë mediash apo të lidhur me to. Domethënë, kanë qenë vazhdimisht të shantazhuar nga Fatmir Sheholli që mos po tregon ky diçka, dhe prandaj e kanë mbajtur vetes, disa me paturpësinë më të madhe. Një ish-komandant i UÇK-së i betejës së Koshares ka bërë shqiponjën me të, imagjino këtë!”, deklaron Mehmeti.

“Në asnjë vend të botës nuk ndodh që një spiun të rrijë jashtë burgut, e aq më tepër të jetë personalitet i rëndësishëm në media dhe të bëhet analist e të japë analiza politike. Kështu që kjo ndodh vetëm në Kosovë, të cilën frymë e kanë krijuar krahu i luftës që veç me luftë nuk kanë të bëjnë – të cilët janë në të vërtetë krahu i plaçkitjes. Kështu që, në këtë aspekt, Fatmir Sheholli e ka ditur se kush janë dhe, me pak fjalë, për t’ia mbyllur gojën, e kanë mbajtur afër”, shton Mehmeti.

Për fund, Mehmeti thotë se edhe Milaim Zeka duhet të merret në pyetje për lidhjen me Shehollin dhe BIA-n serbe.

“Milaimi ka ndryshuar versionin, herë duke thënë se qëllova rastësisht dhe herë që Fatmiri më thirri për kafe, por natyrisht se duhet të pyetet. Ose më mirë, duhet pyetur vet Fatmiri për lidhjet me të tjerët, e në veçanti me personazhet publike”, përfundon Faton Mehmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *