Prokuroria zgjeron hetimet dhe ngrin edhe 7 hektarë tokë në Veternik në vlerë mbi 10 milionë euro
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se në rastin e njohur si “Prona e Veternikut”, gjatë zhvillimit të hetimeve më 13 tetor 2025 ka ngrirë pasuri në vlerë mbi 10 milionë euro, duke lëshuar urdhër ndalues të përkohshëm për gjithsej 7 hektarë tokë dhe ka kërkuar nga gjykata që të lëshojë urdhrin përmes të cilit deri në përfundimin e procesit gjyqësor t’ua ndalojë personave që kanë interes shitjen, transferimin, dhurimin, zvogëlimin dhe ngarkimin e pronës në fjalë.
Në shtator, Themelorja kishte lëshuar urdhrin ndalues përfundimtar për 3 hektarët tjerë.
Prokuroria thekson se prona prej 7 hektarësh është pasuri e specifikuar për të cilën ka dyshim të bazuar se është përfituar me vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Prokurori i Shtetit është duke i zhvilluar hetimet me intezitetin me të lartë dhe për të pandehurit A.G, Y.H dhe M.G ka nxjerrë vendim për zgjerimin e hetimeve edhe në drejtim të veprës penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 390 dhe “Deklarimet e rreme”, nga neni 384 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prona rreth 3 hektarëshe, për të cilën “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 shtator 2021, dhe kishte zhvilluar debat në emisionin “Tempus”, dyshohet se iu është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara. Për këtë po hetohen Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi. Tash pas zgjerimit të hetimeve pëe pjesën tjetër të pronës, po hetohet edhe Melihate Gashi.
“Betimi për Drejtësi”, në hulumtimet e zhvilluara kishte treguar edhe për dyshimet që lidheshin me Melihate Gashin.
“Betimi për Drejtësi”, kishte pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë, se pse nuk kishte kërkuar urdhër ndalues përfundimtar për gjithë pronën e fituar prej 9 hektarësh, duke e ditur se veprat penale ndiqen ex-officio (sipas detyrës zyrtare).
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria është duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim më shumë informacione për shkak të natyrës së hetimeve”, ishte përgjigjur Prokuroria më 16 shtator 2025.
Gjykata e Apelit, çështjen e sekuestrimit e kishte kthyer për herë të pestë në rivendosje. Pas vendimit të fundit të Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 shtator ka lëshuar urdhrin ndalues përfundimtar për rreth 3 hektarë tokë, e cila pretendohet se iu është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Për zbatimin e këtij urdhri, është obliguar Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në afat prej 15 ditësh. Ndërsa, Policia e Kosovës obligohet që ta zbatojë këtë urdhër ndalues, duke u kujdesuar për pasurinë e Sekuestruar.
Gjithashtu, është urdhëruar Komuna e Prishtinës që të mos bëjë bartje/regjistrim apo tjetërsime që kanë të bëjnë me këtë ngastër.
Të pandehurit Ylber Hyseni, Kompanisë Lirimi &ACL dhe gjithë bashkëpronarëve tjerë në këtë pronë iu është ndaluar shitja apo transferimi i pronës për shkak se dyshohet se është fituar me vepër penale. Në anën tjetër, edhe Agjencia Kadastrale e Kosovës është obliguar ta zbatojë këtë urdhër ndalues përfundimtar.
Të dyshuar dhe nën hetime për këtë pronë janë Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi. Hyseni i cili konsiderohet si pronar legjitim i pronës, gjendet ende në arrati. Këtë pronë, e kishte fituar tashme e ndjera Zojë Hyseni, nëna e Ylber Hysenit i cili me pas është paraqitur si trashëgimtari i vetëm. Përmes Dhomave të Posaçme të Gjykatës Supreme, e ndjera Hyseni kishte fituar mbi 9 hektarë tokë, përmes dokumenteve që dyshohet se janë të falsifikuara.
“Betimi për Drejtësi”, ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë, se pse nuk kishte kërkuar urdhër ndalues përfundimtar për gjithë pronën e fituar prej 9 hektarësh, duke e ditur se veprat penale ndiqen ex-officio (sipas detyrës zyrtare).
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria është duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim më shumë informacione për shkak të natyrës së hetimeve”, është përgjigjur Prokuroria më 16 shtator 2025.
“Betimi për Drejtësi”, më 26 tetor 2024, kishte publikuar edhe hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”. Ndërsa, paraprakisht, më 6 prill 2024, kishte publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar, gjersa dëmi po rritej.
Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht gjykatësja e procedurës paraprake, Edita Çanta, më 18 dhjetor 2022, për herë të parë do të lëshonte urdhrin për sekuestrim të përkohshëm.
Por, pas një muaji, e njëjta gjyqtare kishe marrë aktvendim për refuzimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar. Kështu, rasti kishte shkuar edhe katër herë të tjera në Apel, e cila gjykatë kishte kthyer rastin në rivendosje, por Themelorja prapë kishte vendosur mos të lëshonte urdhër sekuestrues për këtë pronë.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” dhe diskutimi i zhvilluar në “Tempus”, do bënte që Prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët dhe të niste hetimet ndaj Ylber Hysenit, me dyshimin se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”, si dhe do kërkonte sekuestrimin e përkohshëm të pronës në Veternik, në të cilën veç kishin nisur punimet.
Ndërsa, më 6 prill 2024, “Betimi për Drejtësi”, ka publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë.
Kurse, “Betimi për Drejtësi” më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, ku tregohej se si Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur t’ia falte besimin një prove të ardhë përmes postes “DHL Serbia”, duke injoruar përgjigjen zyrtare të ardhë përmes bashkëpunimit me ILECU.
Prokurorja Nebahate Salihu, këtë përgjigje zyrtare nuk e kishte përfshirë as në aktvendimin për pushimin e hetimeve. Ndërsa, zarfi i referohej kërkesës së Ministrisë se Drejtësisë. Kjo e fundit ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, e cila shkon përmes zyrës se BE-së, njësoj edhe përgjigja.
Në këtë zarf të dërguar përmes rrugëve jozyrtare, kinse gjendej historiku i kësaj prone 9 hektarëshe dhe i referohej Kosovës Republikë, çka sipas palëve ngriste dyshimin për një falsifikim tjetër të radhës.
Më 29 tetor 2024, me një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë.
“Enti Republikan i Gjeodezisë-Departamenti i Arkivës dhe unë personalisht, nuk kemi asnjë lidhje me dërgesën e DHL që ju e përmendni, si dhe nuk e kemi njohuri se kush e ka dërguar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë.
Po ashtu, në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë, thuhet se Enti Gjeodezik Republikan lëshon dhe dërgon dokumente vetëm në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe kjo nuk dërgohet përmes Postës “DHL”.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” tregon se si po hetohet edhe noterja Valdete Ademi që kishte noterizuar këto dokumente, e cila shihet se ka shoqëri me gruan e të dyshuarit Afrim Gashi, Melihate Gashin. Për Gashin, Njësia e Inteligjencës Financiare kishte rekomanduar Policisë që të hetohej për transaksione të dyshimta dhe evazion fiskal.
Në një foto ku noterja dhe Melihate Gashi shihen në shoqërimin e njëra-tjetrës, prokuroja që ka mbyllur rastin- Nebahate Salihu, kishte komentuar duke i dërguar një “lule të madhe”.
Prokurorja Salihu kishte refuzuar të përgjigjet se pse kishte mbyllur hetimet për këtë rast bazuar në një zarf.
“Përgjigjem me kohë. Ju kam tregu edhe herën e kaluar, se jam për ngutë, e kam një kërkesë atje. Më fal”, kishte thënë prokuroria Salihu.
Ndryshe, djali i Nexhat Sadikut, Ergyn Sadiku, i cili pretendon të jetë pronari i vërtetë i kësaj prone, thotë se arsyeja se po hasin në pengesa për të zbardhur ketë rast është se mbrapa të dyshuarve qëndrojnë njerëz të fuqishëm.
“Kemi gjetur fotografi që janë të komentuara në rrjete sociale mes anëtareve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, fëmijët e tij bëjnë komente tek familja e Afrim Gashit, konkretisht i bëjnë komente bashkëshortes së Afrim Gashit, Melihate Gashit”, ka thënë Ergyn Sadiku.
Prokuroria e Apelit, pas ankesës së palëve, kishte kthyer rastin në rivendosje dhe ka treguar se si Themelorja të veprojë tutje.
Në këtë rast, pronarë të rreth 3 hektarë tokë pretendojnë të jenë Nexhat dhe Gursel Sadiku. Detajet nga hulumtimi, mund t’i gjeni: KËTU.
Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë.
Ndërsa kishte reaguar edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu duke thënë se ky rast është shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Kosovë.
Këtë pronë, Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se e kishin në posedim dhe e kishin punuar qysh nga viti 1938. Pasi kishin kuptuar se toka iu është marrë nga komuna, familja Sadiku kishte bërë padi në vitin 1984 për të vazhduar me disa procedura deri pas luftës. Në vitin 2010, kësaj herë në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, ata do bënin padi ndaj “Kosova Eksport” që përfaqësohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Për dallim nga familja Sadiku, të cilët të drejtën e pronësisë për rreth 3 hektarë në gjykatën e kishin kërkuar qysh nga 1984, këtë parcelë përfshirë edhe parcelat tjera, në total 9 hektarë në “Veternik”, e kishte fituar Zojë Hyseni, 86 vjeçare.
Padia e 86 vjeçares e bërë tek më 9 dhjetor 2014 ishte trajtuar në kohë rekord ku më 14 shtator 2015, pra për vetëm 9 muaj e 6 ditë, iu ishte njohur e drejta e pronësisë. Aktgjykimi ishte marrë pak ditë para se të ndërronte jetë Zojë Hyseni, ndërsa Gjykata për vdekjen e saj ishte njoftuar tek në vitin 2019, pasi ky vendim ishte bërë i plotfuqishëm.
Në anën tjetër, padia e familjes Sadiku megjithëse ishte bërë para asaj të Hysenit, ajo u trajtua 7 vite pas, në vitin 2017. Madje, u trajtua nga po i njëjti Kolegj, i cili padinë e saj, e kishte hedhur poshtë në mungesë legjitimiteti të palëve.
Pas ankesës, më 2021 shkalla e dytë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës se Supreme, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe padinë e kishte refuzuar si të pabazuar mbi bazën se kjo çështje tashmë është çështje e gjykuar.
Pra, kolegjet vendosën për padinë e dytë, të bërë në vitin 2014 dhe jo për padinë e parë të ushtruar në vitin 2010. Zojë Hyseni të drejtën e pronësisë e kishte fituar në bazë të dokumenteve të viteve ’60-ta të nxjerra aso kohe në gjuhën serbe, për të cilat palët po ngrisin dyshime se të njëjtat ishin të falsifikuara.
Këto dokumente i kishte noterizuar noterja Valdete Ademi, e cila në deklaratën e saj në Polici kishte deklaruar se me përgjegjësi të plotë deklaron se ajo këto dokumente i kishte noterizuar nga origjinali dhe se ajo asnjëherë nuk noterizon diçka pa pasur në dorë origjinalin.
Megjithëse, sipas aktgjykimit të Gjykatës mbi bazën e së cilit Zojë Hyseni e kishte fituar pronën thoshte se, origjinali i tyre gjendej në arkivat përkatëse të Komunës së Prishtinës, e vërteta nuk qëndronte ashtu.
Palët Sadiku, privatisht kanë bërë një ekspertizë të dokumentit “Resenje Broj ”, të vitit 1961 e që sipas ekspertizës nga mostrat e analizuara vula nuk është e njëjtë me mostrat e marra të asaj kohe, si dhe nënshkrimi nuk është i zyrtarit që ka nënshkruar.
Për më tepër, palët kanë pretendime edhe për dokumente tjera, të cilat Kolegji i kishte marrë parasysh, e që sipas tyre datat e lëshimit të dokumenteve rezultojnë ditë vikendi.
Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohet të jetë përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas edhe si trashëgimtari i vetëm.
Për këtë, do trashëgonte pronën milionëshe në Veternik, për të cilën nuk do vononte ta parcelizonte dhe shiste.
Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte i autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.
Për Afrim Gashin dhe gruan e tij Melihate Gashin, raport ka nxjerrë edhe Njësia për Inteligjencë Financiare, kur ka kërkuar të hetohen për transfere të dyshimta dhe shmangie nga tatimi.
Në anën tjetër, avokati Venahr Hana, i cili është edhe bashkëpronarë në këtë pronë, është në paraburgim pasi dyshohet për falsifikim të dokumenteve të pronës 4 hektarëshe të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), gjithashtu në Veternik. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.