OPINIONTË FUNDIT

Fundi i bastioneve të vjetra dhe ngritja e forcave të reja – Humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve lokale

Në Kosovë u mbajtën dje zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se pjesëmarrja e qytetarëve në votime ka qenë 40 për qind.

Sipas KQZ-së, procesi në përgjithësi ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore. Rezultatet e deritanishme tregojnë se shumë komuna do të shkojnë në balotazh, që do të mbahen më 9 nëntor.

Disa prej kryetarëve të komunave u është lëkundur karrigeja, por mbetet të shihen në rundin tjetër.

Në këto zgjedhje, qytetarët e Kosovës kanë votuar për të zgjedhur udhëheqësit lokalë që do të qeverisin komunat për katër vitet e ardhshme.

Mehmeti: Ky trend mund të reflektojë drejtpërdrejt edhe në nivel qendror

Analisti Faton Mehmeti, vlerëson për “Bota sot”, se zgjedhjet lokale të 12 tetorit treguan ndarjen e qartë politike në vend.

Sipas tij, fitues janë ata që ruajtën besimin qytetar dhe shënuan rritje, ndërsa humbës ata që humbën mbështetje apo bastione.

ImageAnalisti Faton MehmetiFoto galeri
Ai thekson se qytetarët po bëhen më kërkues ndaj qeverisjes lokale dhe po ndëshkojnë korrupsionin e arrogancën.

Mehmeti shton se këto rezultate janë një sinjal politik që mund të ndikojë edhe në zgjedhjet parlamentare.

“Zgjedhjet lokale të 12 tetorit sollën një tablo të qartë të ndarjes politike në vend. Fituesit e këtyre zgjedhjeve nuk janë vetëm ata që siguruan më shumë komuna, por ata që arritën të ruajnë besimin qytetar dhe të dëshmojnë rritje krahas zgjedhjeve të kaluara. Nga ana tjetër, humbësit janë ata subjekte që pësuan tkurrje të mbështetjes, humbën bastione tradicionale apo nuk arritën të mobilizojnë elektoratin e tyre.

Rezultatet tregojnë se qytetarët po bëhen gjithnjë e më kërkues ndaj qeverisjes lokale, duke ndëshkuar arrogancën, korrupsionin dhe mungeswn e rezultateve konkrete. Ky trend mund të reflektojë drejtpërdrejt edhe në nivel qendror, pasi partitë që performuan mirë në këto zgjedhje do të hyjnë më të forta në zgjedhjet parlamentare, ndërsa ato që humbën do të pwrballen me presion të brendshëm për ndryshim kursi dhe lidershipi.

Në thelb, 12 tetori nuk ishte vetëm garë për komuna, por një sinjal politik për ekuilibrat e rinj në skenën kombëtare një test i besimit që qytetarët po ua japin atyre që ofrojnë punë, jo premtime”, shprehet ai.

Rexhepi: Sinjal i qartë se besimi në Vetëvendosje e Guxo po rritet

Edhe analisti Agim Rexhepi, deklaron se përparimi i LVV-së dhe Guxo-s në zgjedhjet lokale tregon se qytetarët nuk ndikohen më nga propaganda apo sondazhet e porositura.

Ai thekson se fitoret pa balotazh dhe rezultatet e forta në disa komuna dëshmojnë besimin në ndryshim dhe shpërblimin e punës e ndershmërisë.

ImageAgim RexhepiFoto galeri
Sipas Rexhepit, rritja vjen nga qeverisja e përgjegjshme, figurat e reja dhe lodhja nga partitë e vjetra, ndërsa rezultati është një sinjal i qartë se besimi në Vetëvendosje e Guxo po rritet.

“Përparimi i madh i LVV-së dhe Guxo-s në këto zgjedhje lokale, përkundër pritjeve dhe exit poll-ve të publikuara, tregon qartë se qytetarët nuk i nënshtrohen më propagandës apo sondazheve të porositura. Populli foli vetë me votë, jo me zë të tjerëve.

Tre fitore pa balotazh dhe rezultate të forta në 12 komuna të tjera janë dëshmi e qartë se besimi në ndryshim është ende i gjallë. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kjo është rritje e ndjeshme një mesazh i fuqishëm se qytetarët po shpërblejnë punën, përkushtimin dhe ndershmërinë.

Ky rezultat nuk është rastësi, por pasojë e disa faktorëve të dukshëm: Qeverisja e përgjegjshme dhe e ndershme në nivel qendror; Prania e figurave të reja e të guximshme në nivel lokal; Mbështetja për ekonominë vendore dhe lufta kundër korrupsionit; Lodhja e qytetarëve nga partitë e vjetra që për vite të tëra kanë keqpërdorur pushtetin.

Në fund, këto zgjedhje dërguan një mesazh të qartë: populli është më i mençur se exit poll-et. Ky është sinjal i fuqishëm për zgjedhjet nacionale që mund të vijnë se besimi në Vetëvendosje dhe Guxo po rritet, dhe se ndryshimi i nisur në nivel qendror po merr gjithnjë e më shumë mbështetje në çdo cep të vendit”, përfundon ai për “Bota sot”.

Vlen të përmendim, se garën pa balotazh e përmbyllën:

Agim Aliu i PDK-së në Ferizaj,

Sami Lushtaku i PDK-së në Skënderaj,

Imri Ahmeti i LDK-së në Lipjan,

Ilir Ferati i LDK-së në Istog,

Shpejtim Bulliqi i LVV-së në Podujevë,

Kadri Rahimaj nga LVV-ja në Kamenicë,

Bashkim Ramosaj i AAK-së në Deçan,

Ekrem Kastrati në Malishevë dhe

Ramiz Lladrovci nga partia Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin në Drenas.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, i ka fituar zgjedhjet në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Kjo parti ka fituar edhe në Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

Kurse, në balotazh do të shkojnë disa komuna si:

Në Prishtinë do të përballen Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me Hajrullah Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Në Prizren, Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do të garojë me Artan Abrashin e LVV-së.

Në Pejë, Gazmend Muhaxheri i LDK-së do të përballet me Taulant Kelmendin e LVV-së.

Në Junik do të përballen Ruzhdi Shehu i LDK-së me Agron Kuçin e AAK-së.

Në Dragash, përballja do të jetë mes Bexhet Xheladinit të LDK-së dhe Shaban Shabanit të PDK-së.

Në Gjakovë pritet të përballet Ardian Gjini i AAK-së me Ardian Golën e LVV-së.

Në Kaçanik do të përballen Sabedin Vishi i PDK-së me Jeton Rakën e LVV-së.

Në Fushë Kosovë do të ketë garë mes Valon Prebrezës së LVV-së dhe Besnik Osmanit të LDK-së.

Në Mitrovicën e Jugut, gara do të zhvillohet mes Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të LVV-së.

Në Rahovec do të përballen Smajl Latifi i AAK-së me Ali Dulën e LVV-së.

Në Suharekë, gara do të zhvillohet mes Bali Muharremajt të AAK-së dhe Ardian Shalës së LDK-së.

Në Gjilan do të përballen Alban Hyseni i LVV-së me Arbër Ismajlin e LDK-së.

Në Viti do të ketë garë mes Sokol Halitit të LDK-së dhe Arsim Ademit të LVV-së.

Në Vushtrri, përballja do të jetë mes Ferit Idrizit të PDK-së dhe Sylejman Mehollit të LVV-së

Në Obiliq do të përballen Xhafer Gashi i LDK-së me Halil Thaçin e LVV-së.

Në Klinë, përballja do të jetë mes Zenun Elezajt të AAK-së dhe Sokol Bashotës së PDK-së.

Në Kllokot do të përballen Bozhidar Dejanoviq nga Lista Serbe me Sreqko Spasiqin nga Uniteti Kombëtar Serb.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *