“Albin Kurti ka të drejtë” – Bytyçi: Exit-pollet e Baton Haxhiut, armë e luftës hibride serbe kundër Kurtit
Profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi ka komentuar për “Bota sot” rezultatet e mbrëmjes së zgjedhjeve lokale, duke theksuar se dallimet e mëdha midis Exit-Polleve të publikuara nga Klan Kosova dhe TV Dukagjini dhe rezultateve reale të KQZ-së janë shqetësuese dhe të dyshimta.
“Në Prishtinë: Përparim Rama (LDK), 37,7%. Hajrullah Çeku (LVV) 30,00%. Urain Ismaili (PDK) 26.03%. Në Mitrovicë (fitore pa balotazh): Arian Tahiri (PDK) 58,30%. Faton Peci (LVV) 35,06%. Në Podujevë: Shepjtim Bulliqi (LVV) 47,07%. Ekrem Hyseni (LDK) 38,09%. Në Drenas: Ramiz Lladrovci (PDKRLL) 48,06%. Petrit Hajdari (PDK) 45,03%. Ndërkaq kemi një rezultat krejt tjëtër nga këto rezultate të Exit-Polleve. Në Prishtinë diverenca midis kandidatit të LDK-së dhe atij të VV nuk është 7.7 përqind, por vetëm 0,7 përqind. Arian Tahiri dhe Faton Peci në Mitrovicë kanë diferencë vetëm nja 20 vota, as 0,001 përqind, ndërkohë që Exit-pollet e nxorën fitues absolut dhe me diferëncë 25 përqind kandidatin e PDK-së. Në Podujevë Shpejtim Bulliqi ka fituar dhe nuk është në balotazh. Edhe Ramiz Lladrovci në Drenas është fitues dhe nuk është në balotazh”, theksoi Bytyçi për gazetën “Bota sot”.
Profesori shtoi se “këto luhatje nuk janë të rastësishme”, ndërsa tha se diferenca e qëllimshme në sondazhe është pjesë e luftës hibride të Serbisë kundër Albin Kurtit.
“Kjo diferencë e qëllimshme në publikimin e sondazheve është pjesë e luftës hibride që Serbia bën kundër kryeministrit Albin Kurti. Qëllimi është të manipulohet opinioni publik, të krijohet konfuzion dhe të ndikohet në procesin zgjedhor”, deklaroi ai.
Në kuadër të kësaj, profesori mbështeti kërkesën e kryeministrit Kurti për hetimin e këtyre Exit-Polleve.
“Prandaj Albini ka të drejtë kur kërkon që Exit-Pollet e Baton Haxhiut të hetohen. Sepse ka mundësi që ato të jenë pjesë e një skenari të manipulimit të opinionit publik, me qëllim që të ndikohet në zgjedhje dhe të destabilizohet Kosova!”, ka përfunduar profesor Bytyçi.
Ndryshe, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka ftuar organet e hetuesisë që të hetojnë Exit Poll-et e publikuara për garën për kryetar të Mitrovicës së Jugut. Ndërsa, teksa komentoi rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 12 tetor tha se ato treguan se Vetëvendosje është forca kryesore politike edhe në nivelin lokal.