TË FUNDIT

Juristi Kadri Kryeziu reagoi ndaj deklaratave të deputetes Duda Balje

Juristi Kadri Kryeziu ka reaguar pas deklaratës së deputetes Duda Balje, e cila tha se “është histori e vjetër, të gjithë kemi folur me Shehollin”.

Në një postim në Facebook, Kryeziu tha se “ajo histori nuk fshihet me një fjalë goje” dhe akuzoi Baljen për mbështetje të projekteve që, sipas tij, “synojnë sakatosjen e Republikës”.

Ai përmendi edhe projektin për Komunën e Zhupës, duke e quajtur “projekt të Serbisë” dhe duke kërkuar nga Balje që të heqë dorë prej tij. Kryeziu paralajmëroi se “nuk do të tolerohen dhe as falen” përpjekjet për ndarje territoriale, duke përfunduar: “Prevalla është Prizren; Prizreni është Kosovë.”

Postimi i Kryeziut në Facebook:

“Është histori e vjetër, të gjithë kemi folur me Shehollin.”

Kështu foli zonja Duda Balje.

Jo, zonja Balje.

Ajo histori nuk fshihet me një fjalë goje, vetëm sepse “qenka e vjetër”.

Nëse Sheholli të garanton përkrahje të madhe në Serbi — pse duhet të ketë kjo ndonjë vlerë për ty? Ajo që duhet të të bëjë përshtypje është përkrahja në Kosovë, jo ajo që të servon dikush nga Serbia.

Të siguroj se jam në dijeni të manovrave të padenja dhe projekteve që, në thelb, synojnë vetëm një gjë: sakatosjen e kësaj Republike.

I tillë është edhe projekti për Komunën e Zhupës, të cilin ti po e kërkon në këmbim të votës tënde. Ky nuk është një projekt individual i yt — ne e njohim historinë dhe aktorët që qëndrojnë pas tij që nga koha para luftës. Po ashtu, nuk është dëshirë e popullit boshnjak të Zhupës.

Populli boshnjak është popull vëlla — me të cilin historikisht kemi ndarë si të mirën, ashtu edhe të keqen.

Mos e prishe këtë raport. Hiq dorë nga projektet e Serbisë.

E për ata shqiptarë që mendojnë të përfshihen në këtë ide: mendoni mirë — nuk do t’i tolerojmë dhe as nuk do t’i falim.

Prevalla është Prizren; Prizreni është Kosovë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *