Gëzim Mekuli: Nga vendas në mysafirë – Kujtesa e Leskovcit 1878, paralajmërim për shqiptarët e 2025-ës
Gazetari Gëzim Mekuli ka kujtuar ngjarjet e vitit 1878 në Leskovc, kur mbi 30 mijë shqiptarë u vranë, u dogjën e u dëbuan nga trojet e tyre në Serbi gjatë spastrimeve etnike të ushtrisë serbe, me mbështetjen e Rusisë dhe heshtjen e fuqive europiane.
Në shkrimin e tij “Leskovci 1878 – Nga vendas në 1878, në mysafirë në 2025”, Mekuli thekson se harresa historike po e bën kombin shqiptar “mysafir” edhe në trojet e veta. Ai paralajmëron se mungesa e kujtesës dhe politika pa vizion kombëtar mund të çojnë në humbje të reja territoriale e identitare.
“Kujtesa nuk është hakmarrje, por mburojë,” shkruan ai, duke bërë thirrje për një politikë që mbron historinë, tokën dhe dinjitetin shqiptar.
Shkrimi i Mekulit:
Leskovci 1878 – Nga vendas në 1878, në mysafirë në 2025, kur historia harrohet, toka pushtohet
Nëse ndeshja e kombëtares së shqiptarëve do të ishte zhvilluar në vitin e moçëm të 1877-ës, në Leskovc, ne, shqiptarët, do të ishim vendas. Po, shqiptarët ishin vendas në ato troje në vitin 1878; para se të largohej me dhunë e spastrime etnike nga Serbia. Në atë vit, ushtria serbe, me bekimin e Rusisë dhe me heshtjen e fuqive europiane, kreu një nga spastrimet më të egra, më barbare etnike në Ballkan: mbi 30 mijë shqiptarë u dogjën, u vranë e u dëbuan nga Leskovci, Nishi, Vranja, Toplica e Prokupla. U dogjën fshatra, u rrënuan xhami, u shkatërrua çdo gjurmë shqiptare, që një ditë si kjo në vitin 2025, të duket sikur “jemi mysafirë” në tokën tonë të dikurshme.
Të dashur lexues,
Kjo nuk është sall histori. Kjo është pasojë e politikës dhe organizimit të dobët, atëherë, por dhe sot. Kur ne harrojmë historinë, të tjerët e shkruajnë atë në kurrizin e kombit tonë. Sot shkojmë të luajmë në Leskovc si mysafirë, nesër, po nuk i hapëm sytë, do të na bëjnë mysafirë edhe në Mitrovicë, në Graqanicë, në Zubin Potok e Banjskë.
Kjo është arsyeja pse nuk mjafton vetëm flamuri në stadion, kjo është arsyeja pse na duhet Qeveria që si pikënisje ka historinë e gjeopolitikën; neve na duhet politikë që mbron tokën, kujtesën dhe dinjitetin kombëtar shqiptar.
Të dashur lexues,
Kujtesa nuk është hakmarrje. Është mburojë. Dhe kur politika jonë dorëzohet, korruptohet dhe nuk ka histori, kjo mburojë çahet.
Leskovci i 1878-s nuk është vetëm një faqe libri, është paralajmërim për çdo centimetër që humbim me “kompromise” ndaj Serbisë. Prandaj na duhet historia. Prandaj na duhet Shqipëria. Prandaj na duhen dronët, arsimi, shkollimi dhe shqiptarja si politikë: Që nesër të mos jemi “mysafirë” në trojet tona.