POLITIKATË FUNDIT

FSK-ja dhe ekuilibri i ri i sigurisë në Ballkan

Ka shumë arsye për të besuar se barazpesha relative e forcave ndërmjet dy ose më shumë shteteve është një mënyrë e ruajtjes së paqes përmes frikës, apo, siç quhet në teorinë strategjike amerikane, “paqe përmes forcës” (peace through strength). E përkthyer kjo në kontekstin ballkanik, veçanërisht në gjendjen e tensionuar të marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe në dritën e përshkallëzimit të garës në armatim, pritshmëritë duhet të shkojnë drejt thirrjes së arsyes së shëndoshë, në veçanti nga pala serbe, se zgjidhja qëndron në dialog dhe marrëveshje, ndërsa shkatërrimi vjen nga lufta.

Këtë e dëshmon edhe niveli në rritje i armatimit dhe përgatitjes së FSK-së, i cili nuk duhet parë si provokim, por si garanci për sigurinë dhe paqen. Megjithatë, është e qartë se procesi i zgjidhjes nuk i është lënë plotësisht në dorë asnjërës palë: ai mbetet nën ndikimin dhe kontrollin e faktorëve ndërkombëtarë – Brukselit, Washingtonit dhe Turqisë – ku kjo e fundit po shfaqet si një aktor i aftë për të mbështetur synimet strategjike të dy të parëve.

Jam i bindur se armatosja aktuale nuk është paradhomë e luftës, por e paqes. Ajo përforcon dialogun dhe qëllimin përfundimtar të arritjes së një marrëveshjeje paqeje, që do të rezultojë me njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.

Natyrisht, ky proces nuk do të jetë pa pengesa, por është inkurajues fakti se në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA kanë nisur procedurat fillestare për: 1. Përfshirjen në agjendën e qeverisë amerikane të synimit për pranimin e Kosovës në NATO; 2. Nxjerrjen e një rezolute që mbështet dialogun me qëllim përfundimtar njohjen reciproke. Pra, zhvillimet aktuale nuk tregojnë për përgatitje për luftë – siç do të dëshironin Serbia dhe Rusia – por për krijimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, siç e ka përmendur edhe presidenti Donald Trump (në mënyrën e tij karakteristike). Historia e Ballkanit e ka dëshmuar se paqja nuk fitohet me armë, por as nuk mbrohet pa to.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *