OPINIONTË FUNDIT

“Do ta bëjmë Prishtinën qytet të dashurisë, barazisë dhe funksionalitetit” – VV mbyll fushatën zgjedhore në kryeqytet

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sonte tubimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Kjo parti me këtë rast ka paraqitur vizionin e saj për një Prishtinë më të mirë me në krye Hajrulla Çekun.

Mandatari për formimin e qeverisë së re, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka thënë se kryeqyteti ka nevojë për një kryetar me vizion.

“Neve na duhet një qytet që funksionon, prandaj Hajra jonë është hairi juaj qytetarë të dashur të Prishtinës. Hajrullah Çeku, i cili është profesionist i shquar, kushdo që ka shkuar ka shkëlqyer, dhe tash është koha është koha që ministrin e Kulturës ta bëjmë kryetar të kryeqytetit. E për të funksionuar Prishtina duhet të krijohet zona metropolitane. Komunat fqinje të Prishtinës duhet të lidhen me kryeqytetin, sepse në të gjitha anët e saj, Prishtina i ka fytet e ngushtë që po e ngulfasin dhe e vetmja zgjidhje është që të kuptohet që Komuna e Prishtinës duhet të integrohet me komunat fqinje dhe të ketë një zonë metropolitane, mundësia e garancia për këtë është i njëjti njeri, kryetari i ardhshëm i Komunës së Prishtinë, Hajrulla Çeku…”, tha Kurti.

Kurti tha se Prishtina ka stagnuar gjatë këtyre katër vjetëve, pasi sipas tij, nuk ka pasur projekte e ide për zhvillim dhe se dalja nga kjo gjendje do të arrihet përmes qeverisjes me Hajrulla Çekun për të cilin kërkoi votë nga qytetarët më 12 tetor.

Ndërkaq, Kandidati për kryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, tha se qytetarët janë për ndryshime në kryeqytet.

“Buxheti për Prishtinën për vitin e ardhshëm të Prishtinës do të bëhet 156 milionë euro dhe të gjitha punët e projektet do t’i nisi vetë. Do të vij në qeveri për të kërkuar mbështetje që të kemi bashkëpunim, ta përfundojmë periudhën e bllokadave çfarë ka bërë kryetari aktual, duke pamundësuar shumë projekte për mirëqenie të qytetarëve të Prishtinës… Do t’i kundërshtoj ndarjet, dhe padrejtësitë. Prishtina ka vend për secilin, mund të fitojmë të gjithë, sepse Prishtina mund të jetë mirë kur të gjithë fitojmë. Por, kohëve të fundit kemi pasur shumë ofendime, unë kam vetëm një përgjigje për ta – vetëm dashuri për ta, sepse ata kanë nevojë për dashuri dhe kanë nevojë për një Prishtinë që funksionon, sepse të gjithë banorët do të trajtohen në mënyrë të barabartë në Prishtinën që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Çeku.

Ai tha se gjatë mandatit të tij do të angazhohet për funksionalizimin e Prishtinës si një qytet ku do të ketë zgjidhje të problemit të ujit të pijes, menaxhim efikas të mbeturinave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *